Ekonomia e vendit, e zaptuar nga mafio-oligarkët e fuqishëm

  • 16 January 2017 - 07:36
Ekonomia e vendit, e zaptuar nga mafio-oligarkët e fuqishëm

Berisha: Ekonomia kosovare dita-ditës po rrëshqet kah dominimi i oligarkisë mafio-biznesore 

 

E ardhmja ekonomike e Kosovës po mbahet peng dhe një grusht i një strukture mafio-oligarkike. Kështu shprehen analistë të ekonomisë e përfaqësues të opozitës në Kuvendin e Kosovës, të cilët thonë se është struktura e mafio-oligarkëve kosovarë, siç janë vëllezërit Devolli dhe të tjerët, të cilët janë shndërruar në perandorë të ekonomisë që zotërojnë pothuaj gjithçka në Kosovën e pasluftës e deri më sot. Sipas tyre, janë mafio-oligarkët ata, që në bashkëpunim e koordinim me pushtetarët e tashëm, po kontrollojnë importet kryesore, ngase e kanë në dorë prodhimin jocilësor e të dyshimtë, që ka vite që është fuqizuar në monopole dhe të njëjtët bashkëveprojnë në mënyrë absolute dhe perfide me pushtetin. Nisur nga këto rrethana, as që mund të bëhet fjalë për një ekonomi të lirë të tregut në kohën kur ekonomia kosovare është e zaptuar dhe e sunduar nga njerëzit e fuqishëm oligarkikë e të inkriminuar. Nënkryetari i Bordit të ri të Autoritetit të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, ndryshe i vetmi që ka qenë pjesë e bordit edhe në përbërjen e parë të këtij Autoriteti, ka thënë për gazetën"Kosova Sot", se pajtohet me vlerësimin se për të qenë një ekonomi e zhvilluare e një vendi, fillimisht duhet që të ketë një konkurrueshmëri e ndershme dhe të ketë sa më pak biznese dhe ndërmarre që kanë pozita dominuese. Ai përkujtoi se Autoriteti Kosovar për Mbrojtjen e Konkurrencës nuk ka qenë funksional një kohë të gjatë, ku janë grumbulluar lëndë, të cilat janë kryer. "Po ua rikujtoj se monopoli dhe pozita dominuese me ligj nuk janë të lejuara edhe pse insistimi ynë gjithherë është që të ketë sa më tepër operatorë në treg", është shprehur ai. Shton se Autoriteti Kosovar për Mbrojtjen e Konkurrencës në këtë vit e ka në plan-program që të monitorojë ndërmarrësit që kanë pozita dominuese apo monopol që eventualisht mos po abuzohet me pozitën dominuese të cilën Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës e ndalon.

Ekonomia kosovare dita-ditës po rrëshqet kah dominimi i oligarkisë

Nënkryetari i parë i AKB-së, Suad Berisha, që është edhe kryetar i Bordit Drejtues në Kolegjin "Universum", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se ekonomia kosovare dita-ditës po rrëshqet kah dominimi i oligarkisë mafio-biznesore, përmes ndërlidhjes së fuqishme me elemente shtetërore dhe imponimit të filozofisë monopoliste në ekonominë kosovare. "Krejt kjo është pasojë e mosfunksionimit të shtetit ligjor dhe inkriminimit të elementeve shtetërore në transaksione ekonomike të rëndësisë së veçantë, sidomos në projekte kapitale, siç janë: energjetika, minierat, komplekset turistike, PTK-ja, autostradat etj.", tha ai."Kjo situatë ka impakt negativ tek ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe ka impakt të përgjithshëm në ekonominë kosovare, duke e dëmtuar konkurrueshmërinë luajale në sektorin privat, si dhe duke zvogëluar mundësinë e prezencës në treg të dërmarrjeve të vogla dhe të mesme", ka thënë Berisha. Sipas tij, ndërlidhja e oligarkisë politike me oligarkinë biznesore kohët e fundit po institucionalizohet edhe përmes legjislacionit dhe legalizimit të ndërhyrjes së Qeverisë së Kosovës në negocimin e transaksioneve biznesore në investime strategjike. "Kjo formë e legalizimit të ndërhyrjes së oligarkisë politike u zyrtarizua me Projektligjin e fundit për investime strategjike, ku me këtë rast i hapet mundësia e negocimit të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës me investitorë potencialë strategjikë", u shpreh ai....

Muharremaj: Kosova po sundohet nga familjet e pasura oligarkike

Bali Muharremaj, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, thotë se ekonomia e Kosovës është prangosur nga një strukturë e mafio-oligarkëve, që është e kapur ngushtë me pushtetarët aktualë dhe që ka zaptuar gjithçka". "Shteti i Kosovës është bërë një "parajsë" për oligarkët e mafio-bizneseve, siç janë vëllezërit "Devolli', por edhe disa të tjerë, të cilët janë bërë perandorë të ekonomisë vendore", u shpreh ai. Sipas Muharremajt, oligarkia kosovare dhe mafio-bizneset përmes koalicionit aktual e kanë sistemuar ndikimin në monopole, në import e prodhim dhe kjo mafio-strukturë oligarkike e ekonomisë dhe që zotërojnë gjithçka dhe këtë strukturë janë një pjesë e familjeve oligarkike në Kosovë të lidhura me pushtetin që po e sundojnë vendin në pikëpamje ekonomike, por edhe në fusha të tjera. Muharremaj thotë se mafio-oligarkët i kontrollojnë importet kryesore, sepse kanë në dorë prodhimin jocilësor, kanë fuqizuar monopolet dhe janë në koordinim të plotë me pushtetin e tashëm. "Të bësh afarizëm e biznes në këto rrethana gati është e pamundur. Në këtë formë dhe me privilegjet që u mundësohen disa kompanive mafio-oligarkike nuk mund të ketë ekonomi të lirë të tregut, sepse ekonomia edhe ashtu është e zaptuar nga njerëzit e fuqishëm oligarkikë", është shprehur Muharremaj. Ai vlerëson se ekonominë e tregut po shkatërrojnë monopolet, sepse oligarkët ekonomikë, që janë të lidhur me mafinë politike, tash e një dekadë nuk po e lënë të zhvillohet konkurrenca e lirë dhe në këtë mënyrë e ngulfasin zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Qeverisja korruptive tashmë 10 vjet e mbyti biznesin e lirë

Deputeti Salih Salihu nga "Vetëvendosje" u shpreh për gazetën " Kosova Sot', se është për keqardhje se si shteti i Kosovës është bërë një parajsë për oligarkët e mafio-bizneseve, siç janë vëllezërit "Devolli" me të tjerë. Sipas Salihut kompania "Devolli', por edhe shumë të tjerë janë shndërruar në perandorë të ekonomisë së brishtë të Kosovës së vogël, jo nga përfitimet që kanë pasur nga konkurrenca e lirë dhe e ndershme në biznes, por në saje të monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, që e arritën me bekimin e pushtetarëve të kriminalizuar. "Vëllezërit Devolli këtë e arritën edhe me ndihmën e ish-Qeverisë së Hashim Thaçit, e cila duket se i shndërroi këta biznesmenë në një grup të madh të mafio-oligarkëve për një periudhë 10-vjeçare, duke u hapur rrugë paligjshmërive", është shprehur ai.  

Heshtja e qeveritarëve

Analisti Florim Rudhani tha për gazetën "Kosova Sot " se është për keqardhje gjendja e tashme e ekonomisë së vendit, e cila po u vazhdua kësisoj po rrezikon që të falimentojë nga kolapsi ekonomik. "Kemi monopole të "Devollëve" në shumë fusha të ekonomisë dhe në të njëjtën kohë kemi edhe eliminimin e konkurrencës së lirë i mbrojtur edhe institucionalisht nga pushtetarët e dekadës së fundit që kaloi plotësisht në formalitet", është shprehur Rrudhani. "Këto sjellje inerte të qeverive të dekadës së fundit bënë që pronat dhe bizneset kryesore të vendit kaluan te një grup njerëzish të caktuar dhe me këtë proces Kosova përjetoi goditjen më të madhe para qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare", është shprehur ai. Shpreh habi për heshtjen e qeveritarëve në këtë aspekt pasi shteti ka nxjerrë ligje për mbrojtjen e konkurrencës, si dhe ka krijuar institucione për mbrojtjen e saj, por ato nuk vlejnë asgjë, sepse ato ligje janë të neutralizuara nga krimi i organizuar dhe oligarkët ekonomikë që po e dominojnë ekonominë e vendit tonë. Analisti Ardian Nokaj për gazetën "Kosova Sot" thotë se ky lloj i skenarit është vetëm për kushtet e Kosovës, të cilat janë ideale për korruptimin jo vetëm të individëve, por edhe të sistemit ekonomik në tërësi. Ai thotë se kompania e "Devollëve" këtë nivel të pasurisë së tyre marramendëse e arritën edhe me ndihmën e qeverisjes së Hashim Thaçit, e cila i shndërroi këta biznesmenë në një grup të madh të mafio-oligarkëve. 

(Kosova Sot)