Pazari i shtrenjtë i Shpendit, nga 230 mijë euro për një autobus

  • 27 February 2017 - 07:59
Pazari i shtrenjtë i Shpendit, nga 230 mijë euro për një autobus

Jotransparencë për përzgjedhjen e firmës tepër të shtrenjtë

Krerët e Komunës së Prishtinës, kohë më parë kanë vënë në qarkullim 25 autobusët e rinj nga 51 sish që i blenë fundvitin e kaluar me kredinë që morën nga BERZH-i. Por, nga të dhënat që ka siguruar Gazeta nga bashkëbiseduesit, mësohet se kryetari Shpend Ahmeti ka paguar çmime astronomike prej më shumë se 230 mijë euro vetëm për një autobus. Lidhur me çështjet se sa i kanë kushtuar buxhetit të Komunës së Prishtinës 51 autobusët e rinj, përkatësisht se sa ishte kostoja që u pagua për një autobus të ri me këto çmime astronomike, me gjithë pyetjet e dërguara përmes emailit dhe pritjes pothuajse një javë për përgjigje, nuk janë prononcuar zyrtarët e Komunës së Prishtinës, as kryetari Shpend Ahmeti, as nënkryetari Dardan Sejdiu dhe as zëdhënësi i Komunës. Për këto shifra nuk kanë dhënë përgjigjen e tyre as zyrtarët e Doganës së Kosovës, prej të cilëve ishte kërkuar përgjigjja se sa para ka paguar Komuna e Prishtinës në emër të taksave dhe në emër të doganimit për një autobus. Zëdhënësi Adriatik Stavileci tha se përgjigjen për këtë çështje duhet marrë nga Komuna e Prishtinës e jo nga Dogana. Burime nga opozita e Komunës së Prishtinës, që kanë folur në kushte anonimiteti për Gazetën "Kosova Sot", thonë se ndërmjetësues dhe sekserë të kësaj marrëveshjeje kanë qenë afaristë të njohur nga Kosova, Ekrem Lluka, vëllezërit Devolli dhe Baton Haxhiu, që kanë lidhje me ish-kryebashkiakun e Zagrebit, Milan Bandiq, i cili qe burgosur për keqpërdorime të pozitës zyrtare. Dhe, po sipas këtyre burimeve, thuhet se të gjithë këta aktorë të përfshirë në këtë marrëveshje kanë kontribuar që partia në pushtet e kryeqendrës ta marrë pjesën e vet të "tallit", të kësaj kontrate milionëshe. Kjo, ngase për qëllim të tyre të vetëm nevojiten fonde dhe po sipas këtij burimi mësohet se Shpend Ahmeti me kompaninë janë mobilizuar tej mase dhe kanë për synim mbetjen në pushtet edhe për një mandat tjetër 4- vjeçar të qeverisjes me kryeqendrën". As në këto pyetje rreth dyshimeve të ngritura nga opozita nuk kemi marrë përgjigje nga asnjëri nga të apostrofuar

Në tender pati oferta më të lira

Para ndërrimit të moteve në hapësirat e ndërmarrjes Trafiku Urban ishte bërë prezantimi i autobusëve të rinj, të cilët, sipas krerëve të Komunës së Prishtinës, është vlerësuar se janë faktorë të rëndë- sishëm në projektin e reformimit të trafikut urban në kryeqytet. Në këtë prezantim kishin marrë pjesë Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës; znj. Lin O'Grady, zëvendësdrejtoreshë në Departamenti për Infrastrukturë Komunale dhe Mjedisore në BERZH; Ivo Shilhavy, ambasador i Republikës së Çekisë në Kosovë, znj. Elena Petrovska, drejtoreshë për Kosovë në BERZH, si dhe Antoine Garnier, anë- tar i Bordit dhe Drejtor Industrial në "Iveco Bus". Komuna e Prishtinës, siç dihet, pati nënshkruar kontratën me kompaninë,"Iveco Czech Republic, a.s.", e cila është shpallur fituese nga Komuna e Prishtinës për furnizim me 51 autobusë të rinj për Trafikun Urban. Ndërkaq, si dihet, për ta realizuar këtë iniciativë, Komuna e Prishtinës, në emër të Trafikut Urban, ka kërkuar hua nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej mbi 10 milionë euro. Marrëveshja për garanci shtetërore, e cila garanton kredinë, është nënshkruar edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe është miratuar nga Kuvendi. Por, deri më tani, Komuna e Prishtinës ka qenë e mbyllur rreth tenderit dhe nuk e ka publikuar kontratën me "Iveco"-n, sikundër nuk është deklaruar qartë rreth eliminimit të ofertave të tjera konkurruese për këtë tender. Jozyrtarisht nga Komuna e Prishtinës kishte dalë se për këtë tender kishin garuar katër kompani dhe se "Iveco" kishte ofertë më të lartë se disa kompani të tjera.

Kamata vjetore për këta autobusë shkon deri në 100 mijë euro

 Lidhur me koston e 51 autobusëve të rinj kanë folur vetëm drejtuesit e Trafikut Urban të Prishtinës. Drejtori Financiar i kësaj kompanie publike, Ramush Sadiku u shpreh për "Kosova Sot" se kostoja e një autobusi të ri që është blerë nga kompania çeke" Iveco", është saktësisht 194.689.00 euro, ndërsa shtoi se TVSH-ja e paguar për një autobus për Doganën e Kosovës kap shumën e 35.044.18 euro. Sipas Sadikut, kjo tregon se për një autobus të ri Komuna e Prishtinës ka paguar në total shumën prej 229.734.08 eurosh. Ndërsa në total,51 autobusët e rinj i kanë kushtuar buxhetit të kësaj kompanie, 9 milionë e 929.184.90 euro, ndërsa shuma e paguar totale për TVSH-në e kap shifrën e 1.787. 253.28 euro. Ai sqaroi se në total shuma e paguar për 51 autobusët e rinj është 11 milionë e 716.438.28 euro. Sadiku u shpreh se nga kjo shumë me të cilën janë blerë autobusët e rinj,10 milionë kanë qenë kredi nga BERZH-i, kurse pjesën tjetër prej 1 milion e 787.253.28 euro do ta paguajë kompania Trafiku Urban. Ai ka sqaruar se garancia e tyre është 5- vjeçare për dy vjet servisimi, kurse me këtë rast është bërë edhe trajnimi i stafit në Çeki dhe në Prishtinë. Sadiku shtoi se kapaciteti i një autobusi që është i gjatë 12 metra dhe me një gjerësi 3,14 metra është për 106 udhë- tarë, ndërsa ka vetëm 35 ulëse. Ka shtuar se pjesa tjetër prej 21 autobusëve do të vijnë në Prishtinë në muajin mars të këtij viti. Kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Halil Mustafa u shpreh se janë dy vjet grejs periudhë për pagesën e kësaj kredie, kurse rata mujore e kësaj kredie do të jetë 8000-10000 euro, që i bie se gjatë një viti do të paguhen 80 mijë -100 mijë euro. I pyetur se a do të arrijnë që të paguajnë kredinë e BERZH-it, Mustafa u shpreh se nga një analizë e bërë pas blerjes së autobusëve të rinj dhe lëshimin e tyre nëpër linjat lokale kanë pasur rritje në të hyrat ditore. Duke folur për tenderin dhe shpalljen e fituesve të kompanisë çeke, Mustafa u shpreh se tenderin e ka shpallur dhe e ka monitoruar BERZH-i, duke shtuar se më e lira ka qenë kjo kompani krahasuar me ofertën e "Mercedes"-it dhe "Man"-it. 

Komuna e zvarriti tre vjet blerjen

Këshilltari komunal i Komunës së Prishtinës, Agim Gashi (LDK) u shpreh se Komuna e Prishtinës ka zvarritur plot tre vjet blerjen e autobusëve dhe se në fund të vitit 2013 ky projekt ka qenë në procedurë tenderimi. Gashi theksoi se me ardhjen e qeverisë së Shpend Ahmetit, ky tender është anuluar dhe iu kanë rrekur procedurës prej fillimit vetëm e vetëm për t'ia lënë meritat vetvetes. "Kjo anomali i ka sjellë Komunës së Prishtinës një vonesë prej tre vjetësh dhe një borxh kompanisë prej 10 milionë eurosh. Po ashtu, nëse kompania nuk do të mund ta kthejë sipas kontratës kredinë, obligohet Komuna e Prishtinës që ta kthejë, sepse për këtë është garantuese Qeveria e Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës". Sipas Gashit, çmimi i blerjes së një autobusi është mjaft i lartë. "Sipas informatës që kam, çmimi deri në regjistrim ka kushtuar rreth 230 mijë euro. Të gjitha këto mjete janë nga fondi kreditor e jo nga buxheti i rregullt i Komunës së Prishtinës. Kjo nuk do koment", u shpreh ai. Ndërsa, Baton Dushi, nga Nisma për Kosovën, Dega e Prishtinës, u shpreh se trafiku urban dhe kaosi që mbretëron në të janë një sfidë më vete e qytetarëve të qytetit tonë. "Një trafik ku oraret lënë për të dëshiruar dhe çmimet një pengesë për t"u përdorur nuk mund të quhet i mirë. Qytetari ynë sot përballet me 40 centëshe. Një stacion i vetëm dhe një rrugëtim i tërë njëdrejtimor kanë kosto të njëjta dhe kjo është një të themi ofendim inteligjence dhe pa përballim xhepi për qytetarin. Mungesa e unazave të rrugëve në qytet e kanë bërë të papërballueshëm kapacitetin e rrugëve karshi prezencës së automjeteve në komunikacion", u shpreh ai. Dushi tutje shtoi se pushteti lokal do të duhej të kishte një zgjidhje për këtë. " Është bërë shumë zhurmë dhe akoma nuk po shohim numër të madh autobusësh që të kenë mbuluar linjat e qarkullimit", ka theksuar Dushi. Sipas tij, 50 autobusë janë pak për të shëruar këtë mungesë të madhe në transportin publik, kur dimë se Prishtina e vuan mungesën e një rrjeti tramvajesh apo trolejbusësh. Ai tha se gjërat e tilla jetike për qytetarët nuk do të duhej të bëheshin aureolë e kauzave politike në luftën e pambarim mes aktorëve qendrorë të politikëbërjes në vend. " Le të jetë ky një mësim i mirë për cilindo që merr pushtetin lokal, që të mos lëshohet në të tilla gjëra që i dëmtojnë qytetarët. VV-ja nuk erdhi si përmbysje e të keqes. Ajo vazhdoi letargjinë e qytetit. Ajo shpejt mësoi praktikat e këqija të qeverisjeve të mëparshme. Në një post-pushtet të tyre, mund të gjenden goxha gabime. Qeverisja e saj ia ka vlejtur për të vërtetuar një thënie të popullit tonë,nga e thëna në të bërë në mes shkon një lumë i tërë ". Kohët do ta çmontojnë enigmën e Shpendit pushtetar, por ne sot mund të themi se për Prishtinën nuk ia vlejti.

Koston e paguajnë qytetarët

Lidhur me çështjen, analisti Florim Zeqa tha se autobusët e rinj, të blerë nga Komuna e Prishtinës, tashmë të lëshuar në qarkullim, 25 prej 51 sa janë të paraparë deri në gjysmën e parë të këtij viti, nuk janë dhuratë e askujt, nuk janë dhuratë e "Babadimrit" dhe as e Shpend Ahmetit . "Vetëm një autobus i tipit " Iveco" ka kushtuar hiç më pak se 230 mijë euro, kur kjo shumë të shumëzohet me 51, atëherë rezultati na del mbi 11 milionë euro. Jo vetëm kaq, kur kësaj shume t'i shtohet edhe kamata e lartë e kredisë së marrë nga BERZH-it, atëherë na del vërtet një shumë astronomike". Ai është i mendimit se këtë shumë do ta paguajnë qytetarët e Kosovës përmes taksave të tyre. "Me këtë kosto kaq të lartë të 51 autobusëve të rinj, do të furnizohej Trafiku Urban në tërë Kosovën me autobusë më të lirë, qofshin edhe të përdorur, do të plotësonin nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të varfër gjithandej Kosovës", potencoi Zeqa. Ai tha se, bazuar në varfërinë ekstreme të qytetarëve të vendit, autobusët e promovuar me aq pompozitet nga krerët komunalë, deri në përfundimin e kredisë, Prishtina do të ndërrojë shumë kryetarë, shumë prej autobusëve do të amortizohen dhe do të dalin jashtë përdorimit ende pa u paguar,...ndërsa qytetarëve, gjegjësisht dy brezave të qytetarëve, përveç pagesës së kostos së lartë të autobusëve, u mbetet edhe t'i ruajnë dhe të kujdesen për ta, ngase politizimi i skajshëm i tyre ka shkaktuar thyerjet e para të xhamave dhe dyerve të tyre, të cilat paraqesin kosto shtesë për xhepat e qytetarëve.

Pse nuk u hulumtua tregu?

Analisti Florim Rrudhani tha se, në realitet, janë të shtrenjtë krahasuar me gjendjen sociale që kanë qytetarët, sepse një autobus i tipit " Iveco" kushton 230 mijë euro, kur kemi parasysh 51 autobusë. Sipas Rrudhanit, duhet të shtrohet pyetje, a është hulumtuar tregu i çmimeve për të shikuar çmimet e autobusëve në rajon, se çfarë tipi të autobusëve urbanë i kanë dhe çfarë kostoje kanë paguar dhe të cilave firma janë? Ai tha se duhet analizë se si erdhi deri te vendimi në zgjedhjen e tipit " Iveco" dhe se a u hulumtua tregu sa duhet. Kurse, analisti i ekonomisë, Dardan Grapci theksoi se është mirë që qytetarët të sqarohen nga kryetari Shpend Ahmeti se përse këta autobusë janë më të shtrenjtët apo më të lirët, se çfarë firma të autobusëve kanë vendet në rajon, se me çfarë kostoje, cilët janë më të mirë, cilët jo. "I refuzoj deklaratat elektorale të Shpend Ahmeti të tipit, ja i kam sjellë autobusët dhe asnjë shpjegim më tutje", tha Grapci. Sipas tij, kjo është para publike dhe në paranë publike jo vetëm që duhet të tregohet se investova këtu, por duhet që edhe të tregohet se si u shpenzua dhe përse u shpenzua paraja publike. 

Ankesa dhe kritika të shumta

Vozitësi dhe konduktori i autobusëve në relacionin Prishtinë-Zona Industriale -Fushë- Kosovë, Naser Gashi, theksoi se çmimi që e ka paguar kryetari Shpend Ahmeti për një autobus të tillë është shumë i shtrenjtë, sepse në rajonin tonë të Ballkanit ka pasur autobusë me çmime edhe më të lira . "Shumë më mirë do të ishte sikur me tërë këto para të bliheshin autobusë të markës " Mercedes", që kanë qenë me pak vite prodhimi dhe vozitjeje, sepse ata janë autobusë dukshëm më komodë e më të qëndrueshëm se sa autobusët e markës "Iveco" . Kam frikën se do të prishen shumë shpejt dhe madje pas vetëm dy- tre vjetësh, sepse për një defekt, qoftë më i vogli, Trafiku Urban duhet të ftojë mjeshtrit e autobusëve nga Zagrebi dhe mirëmbajtja e tyre do t'i kushtojë me qindra mijëra euro vetëm kompanisë së Trafikut Urban, andaj ku është llogaria e blerjes së këtyre autobusëve", ka thënë ai. Ndërsa, njohësi i kësaj fushe, Jakup Hysenaj, shitës dhe bashkëpronar i autosallonit," Vushtrria", që afaron në dalje të Vushtrrisë, theksoi se shuma e paguar prej rreth 230 mijë euro bashkë me doganimin për këta autobusë nga ana e Shpend Ahmetit është astronomike dhe më e keqja është se ata janë të një cilësie shumë të dobët. "Shumë më mirë do të kishte qenë që të bliheshin autobusë të tipit "Mercedes", që janë të një vjetërsie jo më shumë se 4-5 vjet sesa që janë blerë këta autobusë "Iveco" me këto çmime astronomike ", u shpreh ai. Afaristi Naser Januzi, bashkëpronar i kompanisë turistike "Barileva Turist", theksoi se TVSH-ja dhe doganimi i një autobusi të tillë është 29 për qind e totalit të shumës së një autobusi që importohet. 

(Kosova Sot)