Politika e kusarëve, opium për kosovarët

  • 29 March 2017 - 07:45
Politika e kusarëve, opium për kosovarët

Shoqëria, ende e pafuqishme për të reaguar

"Popullata kosovare nga pritjet e gjata sikur ka kaluar në agoni të thellë. Ka mbyllur sy e vesh përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kusarët politikë në të dyja nivelet,qendror dhe lokal, për interesa shumë të ngushta grupore e klanore, edhe pse po e shkatërrojnë shtetin në embrion, shoqëria kosovare vazhdon të heshtë", ka potencuar Florim Zeqa,raporton Gazeta Kosova Sot.

Degradimi dhe qeverisja e inkriminuar që po i ndodh vendit për gjithë këto vite të pasluftës, nga e njëjta klasë politike, nga analistët po shihet si një shtresim i madh dhe i rrezikshëm për vendin nga politika kosovare, pozitë e opozitë, që është bërë si opium për shoqërinë e nëpërkëmbur kosovare, e të cilën e ka duruar dhe po e duron tepër shumë ky popull i pashpresë dhe i nënshtruar, të cilit i ka hipur në qafë, duke e shkatërruar vendin me korrupsion e krim të organizuar. Është një gjykim i analistëve se vetëm një zgjim i thellë i vetëdijes së popullit për ta përmbysur këtë klasë politike, që po e shkatërron shtetin që në embrion, është shpëtimi i vendit. Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se kasta politike kosovare, pozitë dhe opozitë së bashku, përveçse një opium për shoqërinë e varfër e të nëpërkëmbur kosovare, janë shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës. "Deri më sot, nuk më ka rënë të dëgjoj për ndonjë vend tjetër, të ketë ndodhur një hipnotizim i skajshëm i shoqërisë nga politika! Popullata kosovare nga pritjet e gjata sikur ka kaluar në agoni të thellë. Ka mbyllur sy e vesh përballë korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kusarët politikë në të dyja nivelet,qendror dhe lokal, për interesa shumë të ngushta grupore e klanore, edhe pse po e shkatërrojnë shtetin në embrion, shoqëria kosovare vazhdon të heshtë", ka potencuar ai. 

Çdo vend e ka qeverinë që e meriton Një fjalë e urtë italiane thotë: "Kush nuk di me qeverisë është uzurpator", por një thënie tjetër italiane thotë: "Çdo vend e ka qeverinë që e meriton". "Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thë- nia e të madhit dhe të pavdekshmit, profesorit Fehmi Agani; "Koha sjell çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë". Thënë edhe më qartë për lexuesit, gjendja kaotike dhe e pashpresë në vendin tonë është rezultat i heshtjes së gjatë të shoqërisë kosovare", tha analisti Florim Zeqa. " Mbase është momenti i fundit që të këndellet popullata, për t'i dhënë goditjen e fundit kësaj klase të shëmtuar politike, e cila, përveç vjedhjes së pasurisë shtetërore, e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shtetit. Vetëm zgjimi i ndërgjegjes së pastër kombëtare mund ta nxjerrë vendin nga kthetrat e kusarëve politikë të të gjitha ngjyrave", tha Zeqa për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas Prof. Riza Smaka, subjektet politike, dy të parat, që një periudhë të gjatë kohore kanë kapur shtetin dhe pushtetin. "Klasa politike, veçanërisht kjo aktuale, është tërësisht e dehur nga benefitet pushtetare dhe, si e tillë, fare nuk korrespondon me realitetin e zymtë në vendin tonë. Qeveria aktuale, në disfavorin e efikasitetit dhe të efiçiencës, është e stërfryrë me ministri të shumta dhe për aq krejtësisht të panevojshme. Rrjedhimisht, secila ministri mban e favorizon me paratagra pushtetarë tejet të shumtë dhe funksionarë publikë, që as vetë nuk e dinë përse i marrin pagat, e ndaj pagave edhe benefitet e ndryshme", u shpreh Smak.

Politikëbërja degraduese dhe kriminale Sipas analistit Ali Hertica, derisa është i pranishëm ndërtimi i një sistemi imunitar ndaj asaj të keqes nga krimi i organizuar, që shfaqet e rishfaqet në forma të ndryshme të politikave dhe të pozitës dhe opozitës, është i domosdoshëm dhe nevojë urgjente për rizgjimin moral të shoqërisë. "Mbetem i mendimit se pozita dhe opozita janë ndotja e së tashmes, janë vepër e së kaluarës dhe se, nga ana tjetër, e kaluara nuk mund të pastrohet dot pa u pastruar e tash tej mase çdo segment i shoqërisë nga kjo klasë politike, që thuajse çdo bërthamë të shtetit, deri në embrion, është duke e shkatërruar", u shpreh ai. "Shkatërrimi i vendit ka filluar që me zanafillën kriminale të privatizimit nga një grup i krimit të organizuar, oligarkë të lidhur me politikën, që shkatërruan vendin, duke filluar nga privatizimi i pasurisë se shtetit", potencoi ai. Analisti Jeton Kelmendi pohon se partitë politike në Kosovë nuk dallojnë shumë njëra nga tjetra, me përjashtim Lëvizja 'VETËVENDOSJE' për nga koncepti i politikëbërjes, mirëpo për nga mjetet e veprimit të gjitha janë të ngjashme, për të mos thënë krejtësisht të njëjta. "Pra, në Kosovë është krijuar një model i politikës klienteliste, ku partitë varen nga punësimi i militantëve dhe tenderomania. Mendoj se kjo është një dukuri që është bërë standard dhe vështirë të ndryshohet. Për këtë gjë meritat kryesore i kanë partitë kryesore. Realisht, partitë paraqesin demokracinë e një vendi, ndërsa te ne partitë janë subjektet më të korruptuara në vend dhe si të tilla e kanë futur edhe qytetarin në një amnezi totale", tha Kelmendi. Ai pohon se, megjithatë, këtu nuk duhet harruar faktin se i njëjti brumë i ka gatuar edhe partitë në pushtet dhe ato në opozitë.

(Kosova Sot)