Fajtorët e shkatërrimit të drejtësisë, të paprekshëm

  • 19 September 2017 - 08:03
Fajtorët e shkatërrimit të drejtësisë, të paprekshëm

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se ndërhyrja dhe kontrolli i tërë- sishëm që politika dhe mafia financiare i bënë drejtësisë në gjykata dhe ne prokurori e hetuesi, është dhe mbetet vërtetë një sëmundje e rëndë kronike në Kosovë. Ata pajtohen me konstatimin se adresa e përgjegjësisë mbetet Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku janë katapultuar e instaluar gjyqtarë e gjyqtare të dyshimta, si tipi i Makifete Saliukës, dhe jo vetëm, e cila edhe pse deklaron pasuri milionëshe, e përdor formulën e politikaneve "të sprovuar" se kinse atë, e ka "trashëguar", fakte të cilat edhe pas kaq vitesh shprese dhe pritjesh, detyrojnë qytetarët përfundimisht ta humbin durimin dhe të mos u besojnë më për asgjë. Në KGJK për një kohë mbi 7-vjeçare kryesues ishte Enver Peci, i cili njihet si për mbetjen e mijëra lëndëve të pazgjedhura nëpër gjykata, ashtu edhe për sjelljen me porosi në KGJK të gjykatësve si Makifete Saliukës dhe të ngjashëm me të, duke bërë që të dështojë në tërësi dhe gati deri në asgjësim këtë institucion. Ndaj ata kanë shtuar edhe çështjen se a do të mbajë përgjegjësi dikush ndonjëherë për qindra mijëra lëndë të pazgjidhura nëpër sirtarë të drejtësisë, për padrejtësitë, që u bëhen njerëzve qytetarë të këtij vendi dhe deri kur do të vazhdojë kjo gjendje, kështu që askush nuk do të përgjigjet për katandisjen e Gjyqësorit kosovar në këtë gjendje kome!?

Image

 

Riciklimi i të dështuarve

Analisti Gani Qarri thotë se përderisa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në njërën anë deklaron se që nga dita e parë e zgjedhjes në këtë post ka për prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në krye të Supremes si sektori më i dështuar në vend, nga politika vendoset pikërisht Enver Peci, personi më i përfolur dhe që ka zhgënjyer më së tepërmi në këtë drejtim. Ai thotë se nuk beson se pa ndryshime rrënjësore politike dhe ardhjen e ndonjë force të re e të pakompromentuar në krye të vendit, të mbajë dikush përgjegjësi ndonjëherë për qindra mijëra lëndë të pazgjidhura nëpër sirtarë të (pa)drejtësisë, që në vazhdimësi u bëhen qytetarëve të këtij vendi. "Njerëz si Enver Peci nuk përfundojnë me zgjidhjen e ndershme dhe ligjore të mijëra lëndëve të grumbulluara gjyqësore, por me luftën për t'u shërbyer atyre nga të cilët varet zgjedhja e rizgjedhja dhe mbajtja pa të drejtë në postet që kanë. Zgjedhja e Enver Pecit në krye të Supremes nuk lë asnjë shpresë se, të paktën, në të ardhmen e afërt do të përgjigjet kushdo qoftë, për mbi 400 mijë lëndët e pazgjidhura, që presin me durim për vite të tëra në sirtarët e gjykatave anembanë Kosovës. Ndaj dhe nuk është çudi as kurrfarë befasie se nëse nuk je pjesë e "nëntokës" dhe nuk ke pozitë udhëheqëse në pushtetin vendor, nuk ka shans që gjykatësit ta trajtojnë me kohe as profesionalizëm lëndën e dikujt, qoftë si qytetar apo si biznes, e as që vjen në radhë për shqyrtim, pa kaluar së paku deri në pesë vite pritje, nëse nuk përfundon tërësisht edhe si lëndë e parashkruar!", potencoi Qarri. "Adresa e përgjegjësisë mbetet Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku janë katapultuar e instaluar gjyqtarë e gjyqtare të dyshimta si tipi i Makifete Saliukës, dhe jo vetëm, e cila edhe pse deklaron pasuri milionëshe, e përdor formulën e politikaneve 'të sprovuar' se kinse atë, e ka 'trashëguar', fakte të cilat edhe pas kaq vitesh shprese dhe pritjesh, detyrojnë qytetarët përfundimisht ta humbin durimin dhe të mos u besojnë më për asgjë. Në KGJK për një kohë super të gjatë mbi 7-vjeçare kryesues ishte Enver Peci, i cili njihet si për mbetjen e mijëra lëndëve të pazgjedhura nëpër gjykata, ashtu edhe për sjelljen me porosi në KGJK të gjykatësve si Makifete Saliukës dhe të ngjashëm me të, duke bërë që të dështojë në tërësi dhe gati deri në asgjësim këtë institucion, madje, i njëjti, falë premtimeve të propaguara me bujë e pompozitet, sërish dhe pikërisht po nga e njëjta strukturë, që ai vetë e kishte zgjedhur sa kryesonte KGJK-në, 'delegohet' dhe përzgjidhet si njeriu i 'duhur' për katapultim në Gjykatën Supreme të Kosovës?", theksoi për gazetën "Kosova Sot" Qarri.

Image

 

Profesionalizmi në nivele alarmante

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, mendon se në këtë drejtim vështirë është për ta gjetur adresën kryesore për shkakun, siç tha, se këtu ka lëshime shumëdrejtimëshe, ku e para është fakti që numri i vogël i gjyqtarëve dhe i prokurorëve për kokë banori, buxheti që ndan Kuvendi i Kosovës për gjyqësi dhe prokurori. "Do të thotë kjo është një faktor, një adresë d.m.th. e fajit në këtë drejtim, ndërsa adresa tjetër është sigurisht joprofesionalizmi që i takon kryesisht universitetit dhe universiteteve, që prodhojnë kuadro që nuk janë të aftë, pasi marrin diplomën e juristit, kurse nuk meritojnë që ta kenë të kryer as shkollën fillore, e lëre më juridikun që nuk dinë ta lexojnë ligjin e lëre më ta zbatojnë ligjin. Ndërkaq, adresa tjetër është sigurisht ndërhyrja e politikës, pasi tash kjo paaftësia e gjyqtarëve dhe numri i vogël i tyre, edhe kjo d.m.th. ndërlidhet me këtë të tretën me ndërhyrjen politike, pra janë shumë adresa, të cilat e bëjnë situatën të tillë çfarë është dhe natyrisht secili është i prirur që ta hedhë fajin tek tjetri", është shprehur ai. "Por, duhet që problemet të zgjidhen një nga një dhe duhet të ketë një përkushtim qeveritar për këtë drejtim, duhet të evidentohet ky si problem dhe në anën tjetër jo vetëm qeveria, por edhe të gjitha segmentet e shoqërisë duhet t'i adresohen, së pari ta rrisin buxhetin për drejtësinë, numrin e gjykatësve e prokurorëve, e dyta të kërkohet llogaridhënie prej tyre dhe e treta të përmirësohet cilësia në universitet dhe kështu me radhë", potencoi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Nexhmedin Spahiu.

Image

 

KGJK-së i mungon efikasiteti

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka konsideruar se struktura e KGJK- së do duhej të ketë një qëndrim rigoroz në relacion me shkeljet disiplinore, që eventualisht bëhen nga ana e gjyqtarëve, ngase, sipas tij, me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë janë në Këshillin disiplinor me muaj dhe vite, derisa në fakt nuk procedohen apo nuk përfundohen lëndët ndaj tyre, derisa në këtë drejtim do të duhej që të shtohej përgjegjësia dhe të ashpërsoheshin kriteret edhe më tepër. Por, sipas Baraliut, deri më tani strukturat e mëhershme të KGJK-së mbase edhe këto të tanishmet nuk po tregohen aq efikase në këtë aspekt, andaj ai thotë se do duhej që ato të mos jenë të ndikuara nga politika, por të jenë sa më efikase në punën e tyre, në mënyrë që vërtet të ndryshojë perceptimi i bashkësisë ndërkombëtare në raportet e progresit për gjyqësorin. "Pra, së këndejmi veç të tjerash do duhej të ketë ndryshime dhe avancime në këtë fushë, në mënyrë që të ndryshojë gjendja e Gjyqësorit dhe të ketë avancime pozitive në mënyrën e funksionimit të tyre, por edhe në emërimin e anë- tarëve të tyre, si dhe në funksionalitetin dhe efikasitetin në kryerjen e lëndëve të veprimtarisë së gjykatave të të gjitha niveleve në Kosovë", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)