Muskuli sintetik, që çon peshë deri 1000 herë sa pesha e tij

  • 20 September 2017 - 21:18
Muskuli sintetik, që çon peshë deri 1000 herë sa pesha e tij

Robotët humanoidë (të ngjashëm me njerëzit) janë një hap më afër realizimit, pasi që inxhinierët kanë prodhuar një muskul sintetik i cili mund të ngrejë lart pesha deri në 1000 herë më të mëdha sesa pesha e vet. Ky muskul sintetik 3D nuk ka nevojë për kompresor të jashtëm, apo për ndonjë pajisje me voltazh të lartë, sikur që kishin nevojë modelet paraprake. Ky muskul artificial mund të tërheqë, të shtyjë, të dredhë dhe të mbështjellë, si dhe të ngrejë peshë.

Ky muskul vihet në funksion me një fuqi prej vetëm 8 voltësh

Me qëllim të prodhimit të një muskuli të tillë, udhëheqësi i studimit, Aslan Miriyev, përdori një matriks të gomës së silikonit me etanol të shpërndarë me anë të mikrogypave. Në fund u shpik një masë elastike me aftësi të ndryshimit të vëllimit, i cili është lehtë që të prodhohet, nuk kushton shumë dhe përbëhet nga materiet e sigurta për ambient. Ky muskul vihet në funksion me një fuqi prej vetëm 8 voltësh. I ngrohur nga rryma elektrike, ky muskul është parë se mund të zgjerohet deri në 900%. Me anë të kontrollit me kompjuter, ky muskul mund të bëjë detyra nga më të ndryshmet.

Këta muskuj mund të përdoren për robotët

Një ekip i inxhinierëve nga Universiteti "Columbia", thonë se, deri më tani, asnjë material nuk ka qenë në gjendje që të funksiononte si muskul i butë. Të frymëzuar nga organizmat e gjallë, udhëheqësi i ekipit, profesori Hod Lipson, thotë se këta muskuj mund të përdoren për robotët që kanë kontakt me njerëzit, sikur psh në prodhimtari dhe shëndetësi. Ai thotë se, derisa janë bërë përparime të mëdha në përsosjen e mendjes së robotëve, trupi i tyre ende lë për të dëshiruar.

(Kosova Sot)