Rritja e pagave, e pamundur me tërë këtë mbipunësim

  • 22 September 2017 - 08:29
Rritja e pagave, e pamundur me tërë këtë mbipunësim

Me këtë rritje ekonomike, një rritje e sforcuar e thellon hendekun me biznesin privat

Askush për momentin nuk e di se a po planifikon Qeveria "Haradinaj" që këtë vit të bëhet sërish një rritje pagash në sektorin publik, sikurse që e bënë qeveritë e mëhershme. Analistët e ekonomisë vlerësojnë se nëse ndodh rritja e pagave në sektorin publik, kështu edhe më shumë do të ketë hendek edhe më të thellë me sektorin privat. Rritja e pagave në sektorin privat në parim e reflekton normën e rritjes ekonomike, kurse rritja e pagave në sektorin publik, në Kosovën e pasluftës zakonisht është bërë me qëllime elektorale dhe politike. Në mesin e analistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, mendimet janë të ndara, ngase analistët vlerësojnë se kjo Qeveri gjithsesi duhet që të rrisë pagat. Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se në asnjë mënyrë nuk duhet që të ketë rritje pagash, pa u konsultuar me popullin, përkatësisht me qytetarin konsumator. Veç të tjerash, shoqëria civile thonë se rritje pagash nuk duhet të ketë, sepse po dyshojmë se në këtë mënyrë po blihen votat dhe dëgjueshmëria partiakopolitike e jo devotshmëria ndaj shtetit, ndaj vlerave të luftës, ndaj demokracisë, ndaj votës sonë të lirë dhe parasë sonë publike. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se rritja e pagave në sektorin publik, si në administratë dhe institucione të tjera shtetërore, por edhe gjetiu, është një çështje shumë e ndjeshme, pasi, sipas ekspertëve, kjo çështje e prek standardin e jetesës së një pjese të konsiderueshme të popullatës.

Rritja, në proporcion me ritmin ekonomik

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitarë, Muhamet Mustafa (LDK), që në përbërjen e kaluar ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me çështje ka folur për gazetën" Kosova Sot ", duke thënë se rritja e pagave në sektorin publik, në administratë e gjetiu, është një çështje shumë e ndjeshme, pasi ajo e prek standardin e jetesës së një pjese të konsiderueshme të popullatës. "Për shumë vjet nuk kishim një politikë të qartë lidhur me rritjen e pagave, kështu që lëvizja e tyre, më mirë me thënë rritja e tyre, bëhej " ad- hock" (aty për aty), duke u lidhur me ciklet elektorale", u shpreh ai. Prandaj, sipas Mustafës, një rritje të tillë të pagave në këmbim të votave, krijoi jo pak probleme në stabilitetin makroekonomik. "Natyrisht që kështu nuk mund të shkonte gjatë dhe për këtë qëllim Qeveria e kaluar ka vënë politika të qarta dhe konsistente në këtë fushë- rritja pagave në sektorin publik bëhet në përputhje me përqindjen e rritjes ekonomike dhe rritjes së produktivitetit të punës", u shpreh ai. "Kjo është një politikë që duhet ndjekur edhe në të ardhmen, aq më parë kur pagat në këtë sektor janë tanimë të krahasueshme , e në disa raste edhe më të volitshme, në krahasim me rajonin", tha Mustafa. " Pa marrë parasysh se për kategori të caktuara kjo rritje mund të mos jetë adekuate, në përgjithësi, në mesatare nuk do të duhej ndjekur politikë tjetër ", ka sqaruar analisti Mustafa. "Kjo nuk eviton mundësinë që të bëhen korrigjime e harmonizime brenda kësaj rritje të përgjithshme, pra mos të bëhet një rritje lineare për të gjithë njësoj", potencoi ai.

Vendimet e nxituara me pasoja të rënda politike

Nënkryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku, thotë për gazetën"Kosova Sot', se nëse edhe Qeveria "Haradinaj" e vazhdon punën që e ka nisur me avazin e vjetër, që të bëjnë rritje pagash për sektorin publik pa pasur asnjë mbulesë të rritjes ekonomike, kjo që në start tregon se këtë po e bëjnë me qëllime të përfitimeve elektorale. "Nëse pason një vendim i tillë kam frikën se as kjo Qeveri nuk do ta ketë jetën e saj të gjatë dhe se nuk do të arrijë në asnjë mënyrë që ta përfundojnë mandatin 4 -vjeçar ", u shpreh ai. "Kam lexuar një pjesë të madhe të Planit të punës së Qeverisë, veçanërisht atë dedikuar për sektorin e ekonomisë dhe nga ajo që kam mësuar nga ky program është qëndrimi i ekspertëve të kësaj Qeverie dhe vendosmëria e tyre se me Qeverinë 'Haradinaj' nuk do të ketë rritje të pagave të sektorit publik pa mbulesë e për marketing politik dhe fushata elektorale, por kjo do të bëhet vetëm krahas me shkallën e rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit, që tregon se kjo Qeveri nuk do të veprojnë me rritje pagash si bënë qeveritë paraprake për fushata elektorale dhe blerje votash", është shprehur më tutje Maloku.

Pagat nuk përballojnë koston e jetesës

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për " Kosova Sot" se në bazë të rregullave të shkruara të ekonomisë rritja e pagave në sektorin publik do të duhej të ishte konform rritjes ekonomike në atë vend, kurse në Kosovën e pasluftës rëndom rritje të tilla të pagave të sektorit publik nga të gjitha qeveritë janë bërë vetëm me qëllime elektorale dhe politike. "Derisa rritja e pagave në sektorin privat në parim nga bizneset private është respektuar dhe ato rritje e kanë reflektuar edhe normën e rritjes ekonomike të atyre bizneseve", theksoi ai. Por, Neziraj thotë se është optimist se me Qeverinë "Haradinaj" do të ketë rritje pagash në sektorin publik vetëm në proporcionin e rritjes ekonomike të vendit e jo si është vepruar më herët nga garniturat e qeverive të deritashme. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë për gazetën"Kosova Sot" se Qeveria "Haradinaj" duhet që të fillojë urgjentisht t'i rrisë pagat e të gjithë të punësuarve që janë në sektorin publik, ndaj shpresoj që kjo rritje e pagave do të jetë në kuotën, duke filluar nga 20 - 40 për qind. "Arsyeja se përse duhet që të ndodhë një rritje e tillë e pagave qëndrojnë në faktin se duhet ditur se çmimet në tregjet tona janë shumë të larta dhe sa i përket lartësisë së çmimeve jemi shteti më i shtrenjtë në rajon, e madje sipas disa statistikave krahasuese po këto shifra po na tregojnë se po dalim të jemi si shteti edhe më i shtrenjtë sesa Gjermania, Zvicra etj.", u shpreh ai. Grapci porositi qeveritarët e tashëm se çështja e pagave duhet që të rregullohet me ligj edhe për sektorin privat, në mënyrë që punëtorët e punësuar në këtë sektorë të mos ndjehen se janë të diskriminuar apo se janë lënë anash nga kjo Qeveri.

Gjeneruesi i buxhetit, të konsultohet

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori"), për gazetën" Kosova Sot"thotë se nuk duhet të ketë rritje pagash pa u konsultuar me popullin, sovranin, qytetarin konsumator taksapagues, gjenerues kryesor të buxhetit prej nga do të realizohen këto rritje. "Fillimisht, rritje pagash nuk duhet të ketë pa e matur cilësinë e produkteve dhe performancën e shërbimeve në sektorin- administratën publike, pa e matur kënaqshmërinë e qytetarit konsumator, të cilit i dedikohen ato shërbime, pa i krahasuar me standarde dhe me cilësinë e performancat, të paktën, në shtetet fqinje", u shpreh ai. "Rritje pagash nuk duhet të ketë pa sistematizim të vendeve të punës dhe pa aplikimin e kritereve, normave, standardeve të matjes së cilësisë së produkteve dhe të performancës së shërbimeve, pastaj pa e shqyrtuar mundësinë e shfrytëzimit të "rezervave të brendshme", të kursimit, të shtrëngimit të rripit, të ekonomizimit", vlerësoi më tutje Kaçaniku. Ai është i mendimit se nuk ka rritje të pagave pa e shqyrtuar mirë çështjen e mbipopullimit të administratës e të Ndërmarrjeve Publike, të institucioneve me mbi 50.000 punë- torë tepricë, mes të cilëve ka edhe familjarë, anëtarë partish politike, klientelistë, meritokratë, " marioneta " të partive politike, pjesëtarë të " makinave votuese " por edhe" pa e fituar pagën ".

(Kosova Sot)