Mustafa: Rritja, në proporcion me ritmin ekonomik

  • 22 September 2017 - 22:55
Mustafa: Rritja, në proporcion me ritmin ekonomik

Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitarë, Muhamet Mustafa (LDK), që në përbërjen e kaluar ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, lidhur me çështje ka folur për gazetën" Kosova Sot ", duke thënë se rritja e pagave në sektorin publik, në administratë e gjetiu, është një çështje shumë e ndjeshme, pasi ajo e prek standardin e jetesës së një pjese të konsiderueshme të popullatës. "Për shumë vjet nuk kishim një politikë të qartë lidhur me rritjen e pagave, kështu që lëvizja e tyre, më mirë me thënë rritja e tyre, bëhej " ad- hock" (aty për aty), duke u lidhur me ciklet elektorale", u shpreh ai. Prandaj, sipas Mustafës, një rritje të tillë të pagave në këmbim të votave, krijoi jo pak probleme në stabilitetin makroekonomik. "Natyrisht që kështu nuk mund të shkonte gjatë dhe për këtë qëllim Qeveria e kaluar ka vënë politika të qarta dhe konsistente në këtë fushë- rritja pagave në sektorin publik bëhet në përputhje me përqindjen e rritjes ekonomike dhe rritjes së produktivitetit të punës", u shpreh ai. "Kjo është një politikë që duhet ndjekur edhe në të ardhmen, aq më parë kur pagat në këtë sektor janë tanimë të krahasueshme , e në disa raste edhe më të volitshme, në krahasim me rajonin", tha Mustafa. " Pa marrë parasysh se për kategori të caktuara kjo rritje mund të mos jetë adekuate, në përgjithësi, në mesatare nuk do të duhej ndjekur politikë tjetër ", ka sqaruar analisti Mustafa. "Kjo nuk eviton mundësinë që të bëhen korrigjime e harmonizime brenda kësaj rritje të përgjithshme, pra mos të bëhet një rritje lineare për të gjithë njësoj", potencoi ai.

(Kosova Sot)