Vajza pëson infarkt në tru, me gjithë stilin e shëndetshëm të jetës

  • 13 October 2017 - 21:24
Vajza pëson infarkt në tru, me gjithë stilin e shëndetshëm të jetës

ENDE NUK I ËSHTË KTHYER NË TËRËSI LËVIZJA E DORËS SË MAJTË

Asaj i mbetet shpresa që më nuk do të përjetojë ndonjë sulm të tillë dhe dëshiron që t'i vetëdijesojë edhe fëmijët e tjerë se edhe ata mund ta tejkalojnë një gjendje të tillë shëndetësore, nëse ballafaqohen me të

Michelle Ostaudelafont ishte një adoleshente e shëndetshme, e cila ishte duke luajtur lojën "lacrosse" në Nashua, Nju Hemshajër, kur përjetoi infarkt të trurit. Si pasojë e kësaj, vajza, e cila asokohe kishte 17 vjet, kishte probleme me shikim dhe nuk mund ta lëvizte njërën dorë. Mjekët i thanë se ajo kishte përjetuar një 'infarkt pediatrik të trurit', i cili paraqitet te 11 nga 100,000 fëmijë në SHBA dhe është më i rrallë sesa infarkti i trurit te të rriturit.

Ende pa shpjegim

Tre vjet më vonë, ende nuk ka asnjë shpjegim pse një adoleshente e shëndetshme dhe aktive, përjetoi këtë sulm dhe vajzës ende nuk i është kthyer në tërësi lëvizja e dorës së majtë. Asaj i mbetet shpresa që më nuk do të përjetojë ndonjë sulm të tillë dhe dëshiron që t'i vetëdijesojë edhe fëmijët e tjerë se edhe ata mund ta tejkalojnë një gjendje të tillë shëndetësore, nëse ballafaqohen me të. Infarkti i trurit paraqitet kur pengohet qarkullimi i gjakut në një pjesë të trurit. Kjo bën që qelizat të mbesin pa oksigjen për një periudhë të shkurtër.

Fëmijët e prekur nga kjo sëmundje mund të përdorin aspirinë

Fëmijët rëndom shërohen nga infarkti i trurit më me sukses sesa të rriturit, meqë truri i tyre ende është duke u rritur. Ilaçi që përdoret te të rriturit në këto raste, nuk është aq i preferuar të përdoret te fëmijët. Fëmijët e prekur nga kjo sëmundje mund të përdorin aspirinë, e cila e tëhollon gjakun. Po ashtu, ata duhet të bëjnë terapi fizikale. Michelle dhe mjekët e saj mbesin me shpresë se ajo nuk do të ballafaqohet me një sfidë të tillë dhe se truri i saj, meqë është i ri, do të krijojë lidhje të reja qelizore, gjë që do t'ia kthente asaj të gjitha funksionet sensorike dhe motorike.

(Kosova Sot)