Sundimi i mafio-oligarkisë do të shpërthejë një ditë

  • 19 October 2017 - 08:34
Sundimi i mafio-oligarkisë do të shpërthejë një ditë

Institucionet e zbatimit të ligjit, të sfiduara nga bandat

Bosët e krimit, të amnistuar nga drejtësia

“Prokurorët në Shqipëri e kishin informacionin, por informacioni u bë publik në Itali. Në Kosovë hetuesisë nuk i mungon informacioni, por ku ta gjejë guximin, kurajën dhe patriotizmin? Mjerisht, e kanë zgjedhur heshtjen, por do të shpërthejë edhe këtu”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni 

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë konsideruar se në vendin tonë është shumë vështirë bërja e luftës kundër mafisë, pasi vetë mafia është e integruar në partitë politike ku ka ndërtuar brenda tyre para- sisteme ose klane që e sundojnë partinë dhe politikën, por edhe pushtetin, edhe pse Kosova i ka të gjitha institucionet dhe ligjet prapëseprapë ato ligje nuk ka kush t’i zbatojë. Sipas tyre, sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës përcillet jo vetëm me mungesë të besimit, por edhe profesionalizmit si dhe të ndërhyrjes nga individët e fuqishëm për interesa individuale dhe për ndonjë grup të caktuar. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se përse Prokuroria Speciale nuk fillon të sjellë para drejtesise kokat e mafio-oligarkisë dhe  mafio- politikës që po sundojnë Kosovën. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sikur të vepronte ligji përmes institucioneve të drejtësisë, në këtë rast Prokuroria Speciale dhe gjyqësia kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deri më sot në Kosovën e pasluftës nuk do të ishim, siç tha, në këtë stad, ku jemi me degradimin e drejtësisë dhe pafuqishmërinë e saj për t’i luftuar këto fenomene të së keqes, që po e sundojnë shoqërinë tonë që nga pas lufta e këndej, sikur janë kartelet e trafiqeve të tenderëve, droga, korrupsioni, krimi etj.

 “Kështu që, në mungesë të një sistemi të mirëfilltë e profesional të drejtësisë, njerëzit e nëntokës kriminale në të gjitha format e krimit të organizuar po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën kaq gjatë, teksa në anën tjetër mbase sikur po tregohet e pafuqishme edhe Prokuroria Speciale për t’i sjellë para drejtësisë mafiozët e mafio- oligarkisë si dhe ata të mafio- politikës e që fatkeqësisht po e sundojnë Kosovën, por që janë bërë shqetësim serioz jo vetëm për shoqërinë tonë, por thuajse ka marrë peshën e vet edhe si shqetësim për bashkësinë ndërkombëtare e që po kërkon vazhdimisht që të ketë luftë më efikase nga drejtësia kosovare dhe të burgosen bosët e krimit në Kosovë, por sikur po duket drejtësia kosovare ende i ka veshët e shurdhër në këtë drejtim dhe nuk po vepron ende”, potencoi Kelmendi.

 

Drejtësia vendore hesht përballë krimit

 

Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, thotë se situata e krijuar tani në Shqipëri është tipike edhe për Kosovën. “ Prokurorët në Shqipëri e kishin informacionin, por informacioni u bë publik në Itali. Në Kosovë hetuesisë nuk i mungon informacioni, por ku ta gjejë guximin, kurajën dhe patriotizmin? Mjerisht, e kanë zgjedhur heshtjen, por do të shpërthejë edhe këtu”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni. Analisti Xhevdet Neziraj ka veçuar se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës përcillet jo vetëm me mungesë të besimit, por edhe profesionalizmit si dhe të ndërhyrjes nga individët e fuqishëm për interesa individuale dhe për ndonjë grup të caktuar. Sipas tij, sistemi i drejtësisë deri më tani që është dashur të bëjë një luftë kundër krimit të organizuar, drogës, korrupsionit është larg standardeve evropiane dhe për këto gjëra, siç tha, ne ende jemi larg liberalizimit të vizave dhe integrimit në strukturat euro- atlantike. “Z. Haradinaj, me punën që është duke e bërë, nuk do të lejojë dhe nuk do të dorëzohet para shkelësve të ligjit, të njerëzve që merren me krim të organizuar dhe korrupsion, sepse e ka të qartë se pa luftimin e këtyre dukurive nuk do të kemi vend në Bashkimin Evropian. Për të realizuar këtë duhet edhe ndihmë e ekzekutivit që të ngritë kapacitetet si dhe të jetë mburojë për gjyqtarët dhe prokurorët që janë të gatshëm të luftojnë këto dukuri të dëmshme, të cilat po e pengojnë zhvillimin e gjithmbarshëm të shoqërisë kosovare”, spikati për gazetën “Kosova Sot” analisti Xhevdet Neziraj.

 

Kupola e sistemit, të reformohet

 

Profesori universitar Muhamed Kelmendi mendon se mafia oligarkike e instaluar në politikë dhe në organet e sistemit të drejtësisë është çështja më e madhe që duhet të zgjidhet që të kemi shtet të së drejtës dhe të mbështetur në ligj, derisa, siç tha, kjo dukuri kriminale është e ndërtuar në Kosovë dhe natyrisht kërkon ndryshime të mëdha në sistem që të shërohet. “ Kurrë nuk do të kemi shërim pa plotësimin e disa faktorëve që janë themelor: 1. Ndryshimin dhe plotësimin e ligjit aktual me norma të reja juridike dhe 2. Ndërrimin dhe spastrimin e KPK-së dhe të KGJK-së, si dy mekanizma kryesorë dhe pa të cilët nuk shërohet sistemi i tillë”, u shpreh ai. “Sistemi i drejtësisë në Kosovë do shërim e që kjo arrihet me masa juridike, politike dhe penale, dhe duke i futur këto në veprim arrihet te reforma në drejtësi dhe te krijimi i një sistemi prokurorial dhe gjyqësor profesional. Masat e tilla e ndalin korrupsionin dhe krimin. Ato e bëjnë barazinë shoqërore të masave para ligjit dhe hapet mundësia e liberalizimit të vizave. Kjo e kërkon domosdo veprimin e tillë”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Muhamed Kelmendi.

Gjykatat e prokuroritë, të kapura

Analisti Naim Miftari ka nënvizuar se lufta e brendshme mes mafisë nuk e dobëson prapë mafinë vetëm po të ishte luftë e armatosur me shumë viktima, por jo ndryshe, pasi ndikimet dhe fërkimet e brendshme vetëm i qartësojnë pozicionet e mafisë se kush është bosi kryesor. “ Te ne, në vendin tonë, është shumë vështirë bërja e luftës kundër mafisë, pasi vetë mafia është e integruar në politikë dhe në partitë politike, ku ka ndërtuar brenda partive para-sisteme ose klane që e sundojnë partinë dhe politikën, por edhe pushtetin, edhe pse Kosova i ka të gjitha institucionet dhe ligjet prapëseprapë ato ligje nuk ka kush t’i zbatojë, ndërsa emrat e mëdhenj, si Prokurori Speciale me alamet prokurorë e kryeprokuror janë vetëm paravan i dështimit dhe mbulesë e kapjes së drejtësisë nga mafia”, u shpreh ai. “Pa u pastruar politika dhe drejtësia nga ndikimi i mafisë dhe ndikimi i dajallarëve, tezeve, nipërve e dashnorëve, Kosova gjithmonë do të jetë një vrimë e zezë, një shtet i cili nuk ka ardhmëri për popullatën e ndershme, por paraqet parajsë për kriminelët vendës dhe ndërkombëtarë”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Miftari.
 

“Ky mosveprim i drejtësisë kosovare, sikur po e zgjat agoninë e kësaj drejtësie ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit e që patjetër se kjo luftë s’ka alternativë dhe njerëzit e krimit e të korrupsionit të niveleve të larta duhet të goditen nga drejtësia dhe ligji”, u shpreh analisti Naim Kelmendi

 

“Qeveria e Z. Haradinaj duhet të veprojë shumë shpejt për ndërtim të shtetit ligjor, të bazuar në vlerat dhe standardet më të mira evropiane, ku askush nuk duhet të ndihet i lirë dhe i qetë, ata që shkelin ligjin dhe që merren me këto të këqija, që e kanë kapluar çdo sferë të shoqërisë kosovare”,u shpreh Xhevdet Neziraj

 

“Me pasuri të fituar në mënyrë joligjore nuk mund ta blejnë nderin, etikën, integritetin dhe qetësinë”, tha Hasan Preteni

 

 

(Kosova Sot)