Zgjedhje të zbehta, shumica refuzojnë të votojnë

  • 24 October 2017 - 08:00
Zgjedhje të zbehta, shumica refuzojnë të votojnë

Edhe pse legaliteti i këtyre zgjedhjeve të fundit për nivelin lokal, sipas ekspertëve dhe analistëve politikë, nuk vihet në pikëpyetje, është një vlerësim i përgjithshëm dhe bindje se dalja e shumë e ulët në zgjedhjet lokale në nivel vendi arriti kulmin e zhgënjimit të qytetarëve në këto parti politike të tejkonsumuara dhe të pareformuara. Tani nga kjo gjendje analistët konsiderojnë se po bëhet e domosdoshme më shumë se kurrë dalja në skenën politike të vendit e alternativave të reja me figura të pakorruptuara dhe të pakonsumuara, për të rikthyer besimin qytetar në politikë dhe masivitetin e daljes në zgjedhjet e ardhshme për ndryshime pozitive. Eksperti i çështjeve elektorale, Blerim Burjani, thotë se dalja e ulët, disponimi i dobët i qytetarëve, ka bërë që të ketë jo kënaqshëm pjesë- marrje të qytetarëve në zgjedhje dhe këtu, sipas tij, mund të jenë shumë faktorë me ndikim, e mbi të gjitha është parë që nuk ka vullnet të madh për të bërë ndryshime me këtë klasë politike. "Ajo që ka bërë përshtypje në këto zgjedhje është edhe zhgënjimi në VV dhe rritja e LDK, përderisa PDK-ja mbetet gjithashtu e pakë- naqur dhe normal se tani kjo flet mjaftueshëm që është kohë për ndryshime dhe alternativa të reja", theksoi Burjani.

Image

 

Legjitimiteti i cenuar

Pa ndryshime në skenën politike nuk sheh zgjim të elektoratit as analisti Skënder Mulliqi. "Dalja nën 50 për qind në zgjedhje nuk është legjitime. Pjesa më e madhe nuk kanë dalë më votuar së nuk po shohin personalitet serioz brenda subjekteve garuese politike që do të kishte punuar ndershmërisht për qytetarët dhe Kosovën. LDK-ja i fitoi zgjedhjet se shumë e ka kthyer frymën rugoviane dhe ka filluar te reformohet në strukturën e saj, duke ua dhënë rastin njerëzve profesionistë dhe të rinj në politikë. Por, megjithatë nevojitet një reformim shumë më i thellë i gjithë partive politike, të cilat më shumë po ngjajnë në korporata", u shpreh ai. "Duhet të largohen të gjithë ata të cilët janë të implikuar në krim dhe korrupsion. Kjo do të bënte edhe daljen më masovike të qytetarëve për të votuar. Nëse vazhdohet edhe pas këtyre zgjedhjeve me logjikën përfituese që ka shumë mundësi, në zgjedhjet tjera do të kemi dalje edhe më të vogël në votime, apo do të bojkotohen me të drejtë ato", tha Mulliqi për "Kosova Sot"

Image

 

Qytetarët e irrituar me klasën politike

Analisti politik Florim Zeqa i tha gazetës se barometri më i mirë i zhgënjimit të qytetarëve në këto parti politike dhe rënies së kredibilitetit të liderëve partiakë është dalja e ulët në zgjedhjet e 22 tetorit. "Dalja e ulët në zgjedhje është rezultat i irritimit të qytetarëve në klasën e korruptuar politike, e cila për 18 vite rresht punoi vetëm për interesat e tyre personale, duke u shkëputur skajshmërisht nga interesat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kjo, përveçse shqetësim i përgjithshëm kombëtarm është bërë edhe domosdoshmëri e kohës për daljen në skenën politike të vendit e alternativave të reja me figura pastra, të pakorruptuara dhe pakonsumuara politike", ka theksuar ai. "Dështimi i politikanëve në dy nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale) shtron nevojën urgjente të ndryshimeve substanciale në politik bërjen kosovare. Aq keq është katandisur skena politike kosovare, saqë edhe reformimi sa do i thellë dhe përmbajtjesorë, disa partive politike nuk do t'u mjaftonte për kthimin e besimit të humbur të rreth 56 % të qytetarëve të vendit që hezituan të dalin në zgjedhjet e fundit", tha Zeqa për "Kosova Sot".

Image

 

Vendit i duhen alternativa të reja

Politologu Gurakuq Kuçi pohon se dalja e votuesve në zgjedhje pak mbi 40% vjen edhe nga shumë faktorë të tjerë, sikur që kemi akoma lista të papastruara si duhet dhe që mbajnë akoma të vdekur, pastaj njerëzit të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, ikjet masive që kanë ndodhur dhe migrimet e tanishme po ashtu janë faktorë, votimi i diasporës është një procedurë që deri në një masë po u nevojitët si duket vendorëve që ata të dalin sa më pak në zgjedhje. "Sistemi zgjedhor, i cili nuk krijon përgjegjësi nga të zgjedhurit tanë, është faktor i rëndësishëm që i demotivon qytetarët që të dalin në zgjedhje, pastaj edhe lodhja nga fushata e gjatë i bënë zgjedhjet e bezdisshme. Por edhe një faktor tjetër kyç është qëndrimi i gjatë i oligarkëve dhe uzurpokratëve në pozitat e njëjta që shumë vite", potencoi ai. "Vendi ka nevojë për freski politike dhe alternativa të reja, por edhe qytetarët kanë nevojë për vetëdijesim. Partitë politike si PDK dhe LDK kanë shumë vota klienteliste, mirëpo pjesa tjetër e qytetarëve ku nëse llogarisim vetëm të papunët do ishte e mjaftueshme të bëhej ndryshimi", u shpreh Kuçi.

Shpresa është zbehur

Edhe analisti Arsim Haziri pohon se zgjedhjet lokale të vitit 2017, jo edhe kënaqshëm u përcollën me përqindjen e daljes së votuesve dhe kjo është bërë pikërisht nga mungesa e perspektivës të qytetarëve dhe mungesës së besimit për subjektet politike. "Vendi më shumë së kurrë ka nevojë për klasa të reja udhëheqjes, për mentalitet më të mirëfilltë dhe premtues për nevojën e përgjithshme qytetare. Prezenca e vogël e qytetarëve në të gjitha zgjedhjet, veçanërisht në zgjedhjet e djeshme, tregon për mungesën e shpresës dhe besueshmërisë tek partitë politike dhe vetë demokracia nuk mund të jetë e shëndetshme kur ka aq pak dalje të elektoratit në zgjedhje", tha ai. "Kjo është një shenjë e humbjes së besimit dhe perspektives së qytetarëve dhe pikërisht ky mentalitet i dobët dhe negativ politik përbën rrugën dhe mendësinë më urgjente për orientimin e të rinjve drejt rrugëve të Evropës. Pa klasë të ndërgjegjshme dhe prosperuese s'mund të ketë qeverisje kredibile dhe pa qeverisje qytetare s'mund të ketë ekonomizim të vendit", tha Arsim Haziri.

Image

 

Procesi demokratik u dëmtua

Analisti politik Florim Rrudhani, megjithatë, konsideron se ndëshkimi nuk ka shkuar në masën e duhur me këtë mosdalje në zgjedhje."Mendoj se kjo dëshmon që populli i Kosovës, po lejon që partitë politike të sundojnë popullin e Kosovës. Mungojnë tema vazhduese në elaborimin për drejtat e qytetarëve në nivel individual dhe të përgjithshëm. Klasa politike në Kosovë po tregojnë mjeshtri të hatashme në manipulimin e qytetarëve, prandaj shtrohet pyetja, a ka ndokush që më tregon që shporta e qytetarit ka ndryshuar? apo kuleta qytetarit a është dinjitoze? Nëse këto dyja nuk janë përmirësuar atëherë çfarë suksesi është i kësaj klase politike?", u shpreh ai. "Në mungesë të mospërmbushjeve të pritjeve substanciale të qytetarëve krijojnë tema tjera, për qëllim vëmendja me dalë nga problemet sociale-ekonomike, në tema që nuk ndikojnë në jetën e qytetarëve", tha Florim Rudhani. Tepër të dëmtuar e sheh procesin demokratik dhe legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, me mosdalje të shumicës qytetare në votim edhe analisti Ali Hertica."Kjo do të thotë se shumica e popullit (rreth 68%) është kundër të gjitha partive politike dhe politikëbërësve të tyre. Të gjitha subjektet politike tani këtë rezultat duhet ta analizojnë mirë dhe asnjëra prej tyre nuk duhet ta marrin si një fitore të merituar sepse ky është dënim nga sovrani. Realisht zgjedhjet e pranueshme si demokratike janë vetëm me pjesëmarrje mbi 51% të votuesve, ndërsa tek ne nuk po arrin as 47% të votave për shkak të bojkotit qytetar", tha Ali Hertica.

(Kosova Sot)