< Rudhani: Poste për të rehatuar partitë - Lajme - Kosova Sot
Rudhani: Poste pėr tė rehatuar partitė

Rudhani: Poste pėr tė rehatuar partitė

Eksperti i ekonomisë, Florim Rudhani tha për "Kosova Sot" se e veçanta e kësaj Qeverie është se Qeveria e Republikës së Kosovës për nga numri i ministrive e mban rekordin në Evropë. "Ndaj, formimi i kësaj Qeverie galopante ka qenë një gabim i madh, sepse është barrë për buxhetin e varfër të Kosovës", u shpreh ai. "Është gabim, sepse, si dihet, rreth 1 mijë e 474 euro është paga e një ministri, pa llogaritur këtu mëditjet, dhe kjo tregon se për çdo muaj nga buxheti i Kosovës vetëm për pagat e ministrave do të ndahen mbi 30 mijë euro. Veç saj dihet se edhe më shumë buxhet nga praktika e deritashme shpenzohet për të gjithë zëvendësministrat e stafin tjetër politik", vijoi më tutje Rudhani. "Këtë çështje e ka shpjeguar kryeministri Haradinaj, sipas të cilit kjo Qeveri me aq shumë ministri është bërë për shkak të numrit të vogël të votave që e kanë pasur subjektet politike në këtë koalicion, i cili, sikurse që dihet, është i përbërë nga disa parti", tha ai. Sipas tij, as kjo Qeveri nuk dallon nga qeveritë e kaluara ku Qeveria ka shumë ministri që merren me dikaster ekonomik, ngase deri më sot nuk kemi as shenjat më të vogla për një gjë të dobishme nga të emëruarit politikë e qeveritarë. Analisti Rudhani shpreson se shumë shpejt do të zvogëlohet numri i ministrive, ngase e tëra kjo është bërë për pazare politike dhe për të rehatuar militantët partiakë të këtij koalicioni dhe nuk ka asnjë dyshim se e tëra kjo është një barrë shumë e madhe për buxhetin e Kosovës, derisa ekonomia e brishtë e vendit po vendnumëron.

(Kosova Sot)

21 orë e 22 minuta më parë