< Demarkacioni nuk kalon as me këtë Qeveri - Lajme - Kosova Sot
Demarkacioni nuk kalon as me kėtė Qeveri

Demarkacioni nuk kalon as me kėtė Qeveri

MARRËVESHJA QË PO MBAN PENG LIBERALIZIMIN E VIZAVE

Mungon vizioni dhe komunikimi ndërpartiak e qeveritar

"Epilogun përfundimtar të Demarkacionit mund ta bëjë vetëm një Qeveri stabile, me shumicë absolute shqiptare në Kuvendin e Kosovës, që i bie, një legjislaturë e re në Kuvendin e Republikës së Kosovës", ka pohuar Florim Zeqa

Duke u bazuar në disa deklarime kontroverse të partnerëve të koalicionit qeverisës rreth trajtimit të temës së Demarkacionit, pro dhe kundër mundësisë që procesi të rishikohet dhe marrëveshja të rinegociohet me Malin e Zi, analistët politikë vlerësojnë se kjo temë do të vazhdojë të jetë edhe për një kohë patate e nxehtë në duart e partnerëve të koalicionit, gjë që mund të përjetohet me një tërmet tronditës. Sipas tyre, po shihet qartë se brenda Qeverisë së Kosovës ka politika të ndryshme për temat nacionale. Kjo u pa pas deklarimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili po e thotë hapur se Demarkacioni me Malin e Zi nuk negociohet më. Ai po e pohon të njëjtën gjë, siç e ka thënë presidenti Hashim Thaçi, kurse Ramush Haradinaj bën Komision të ri dhe ka shpresa se pas gjetjeve te reja të Komisionit kufiri do të lëvizë në drejtim të Çakorrit. Analisti politik Florim Zeqa pohon se Qeveria aktuale është njëra nga qeveritë më heterogjene që ka pasur ndonjëherë Kosova, dhe përveç heterogjenitetit, Qeverisë "Haradinaj" i mungon vizioni dhe konsensusi rreth politikave nacionale dhe vendimeve të rëndësishme për vendin. "Partnerëve të koalicionit qeverisës lidhur me temat nacionale u mungon komunikimi dhe koordinimi i brendshëm", u shpreh ai.

Gjasa të vogla për rinegociim

Sipas Zeqës, shpërfaqjen më të keqe ua bëri tema e Demarkacionit me Malin e Zi, ku partnerët e koalicionit mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta. "Përderisa lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli e thotë hapur se Demarkacioni me Malin e Zi nuk negociohet më, njëjtë siç e ka thënë presidenti Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj cakton Komision të ri dhe ka 'shpresa' se pas gjetjeve të reja të Komisionit kufiri do të lëvizë në drejtim të Çakorrit. Në fakt, çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, përveçse hipokrizi dhe punë e kryer, është edhe humbje kohe shkaku i gabimeve trashanike të Qeverisë së vjetër e drejtuar me hipokrizi nga Hashim Thaçi me sejmenët e tij", ka thënë Zeqa. "Qeveria 'Haradinaj' nuk mund të rinegociojë një marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruar nga dy kryeministrat paraprakë (Thaçi e Mustafa), këtë gjë e di mjaft mirë edhe kryeministri aktual Haradinaj, i cili vetëm sa do të mundohet të prolongojë çështjen e Demarkacionit duke ua vonuar pa nevojë kosovarëve liberalizimin e vizave. Edhe sikurse të ishte çdo gjë në rregull, Haradinaj nuk mund të bëjë asgjë me 61 vota, pasi nuk e ka të sigurt as PDK-në në votimin e versionit tjetër, siç e pretendon Haradinaj. Epilogun përfundimtar të Demarkacionit mund ta bëjë vetëm një Qeveri stabile, me shumicë absolute shqiptare në Kuvendin e Kosovës, që i bie, një legjislaturë e re në Kuvendin e Republikës së Kosovës", ka pohuar Florim Zeqa.

Image

Koordinimi mungoi

Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare Albinot Maloku, përgjegjësia për krijimin e kësaj situate i takon gjithë spektrit politik vendor, por në veçanti ekzekutivit të mandatit të kaluar, pa e përjashtuar edhe këtë që e kemi tani, që nuk janë treguar aspak transparentë e bashkëpunues si spektër politik, dhe aspak koordinues praktikë me faktorin ndërkombëtar. "Shpërputhja mes partnerëve qeverisës të vendit është pritur të ndodhë dhe ka për të ndodhur. Kryeministri i Kosovës nuk reflekton të jetë shef i gjithë anëtarëve të Qeverisë dhe kjo ka për t'i komplikuar shumë çështje. Mirëfilli dihet se kombinimi aktual i Qeverisë jo vetëm se do të shpërfaq shpërputhje mes partnerëve qeverisës, por mundet në ekstremin më të keq ta nxjerrë Kosovën me gafe edhe në arenën ndërkombëtare. Kurse çështja e Demarkacionit gjithsesi që është sfida më e madhe e kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së tij", theksoi ai. "Në anën tjetër, ishQeveria e kryeministrit Mustafa e ka nënshkruar marrëveshjen me Malin e Zi dhe situata është komplikuar. Kurse, Mali i Zi dukej në atë kohë më fleksibil, ndërsa tani sikur po tregohet më e prerë. Çështja e Demarkacionit e ka izoluar Kosovën e qytetarin e saj deri në paarsyeshmëri, kurse BE-ja vazhdon të mbajë qëndrim krejtë- sisht inert ndaj kësaj situate. Faji, gjithsesi, është tek koordinimi mes faktorit vendor politik dhe atij ndërkombëtar në dëm të qytetarit të Kosovës. Interesi i qytetarit e i vendit vazhdon të ngelet vetëm sa për konsum mediatik nga ana e politikëbërësve vendorë", tha Maloku për "Kosova Sot". Synohen zgjedhje të reja Sipas politologut Gurakuç Kuçi, pamundësia e Kosovës për të vepruar në drejtim të ndryshimit të marrëveshjes së tanishme të Demarkacionit është ditur dhe thënë haptas që kur Pacolli ishte për vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku atij iu tha qartazi nga homologu i tij se nuk i besojnë dhe bisedojnë vetëm me Haradinajn. Madje, politologu Kuçi nuk e përjashton mundësinë që edhe kjo Qeveri të rrëzohet pikërisht për shkak të Demarkacionit. "Kjo tregoi qartë që ministri i Jashtëm i Kosovës nuk gëzon reputacion të mirë tek vendi fqinj, madje vetëm sa ashpërsoi raportet, sepse Mali i Zi tani është një vend i NATO-s dhe jo Çadi. Demarkacioni ka humbur mundësinë e saj të zgjidhjes nga koha e kryeministrit Mustafa dhe ministrit të Jashtëm, e pastaj presidentit Thaçi, dhe tani po i ndihmon kësaj humbjeje edhe diplomacia fiktive e Kosovës me në krye z. Pacolli", u shpreh Kuçi. "Tani edhe këtë të fundit si të kaluarit po i mundin inatet personale kundrejt atyre shtetërore, sepse të tre këta nuk janë mësuar ndonjëherë të luftojnë për mbrojtjen e territoreve të Kosovës, si z. Haradinaj. Andaj, duke pasur parasysh këto veprime aspak në interes të vendit, duke tentuar që tani Demarkacionin ta bëjnë çështje pa zgjidhje dhe presionin e fajin t'ia hedhin vetëm z. Haradinaj, duke pamundësuar çdo zgjidhje të arsyeshme në interes të vendit, pasi sistemi zgjedhor dhe koalicionet para dhe paszgjedhore u kanë dhënë mundësi gjithkujt të blejë pushtetin. Me këtë po synojnë që vendin ta dërgojnë në zgjedhje më së largu deri në mesin e vitit të ardhshëm, pasi ka një komplot në gjithë këtë mesele", tha Kuçi për "Kosova Sot".

Image

 

A po dorëzohet Qeveria?

Sipas analistit Jeton Kelmendit, krejt kjo mjegull ngritët qëllimshëm nga vetë Qeveria e Kosovës para se të vendosë për ta pranuar versionin e Qeverisë së kaluar. "Pra, deklaratat e Behgjet Pacollit për çështjen e Demarkacionit janë shenja e parë e dorëzimit të kryeministrit Haradinaj në lidhje me këtë problem. Kjo është parë që në fillim se Haradinaj nuk mund të ndryshojë këtë version të Demarkacionit, kur partia e tij i ka vetëm 8 ulëse në Kuvend, ndërsa aleati i madh, PDK-ja, e ka bërë vetë këtë Demarkacion, i cili padyshim është i gabuar në dëm të Kosovës, por tani çdo guri e lëviz Thaçi dhe partia e tij që t'ia shpëtojnë fytyrën liderit të tyre", tha Kelmendi. Punë të kryer e sheh temën e Demarkacionit edhe Blerim Burjani. "Askush, madje këta njerëz që luftojnë për pushtet s'e kanë dert fare se çka ndodh me interesat e qytetarëve, themelojnë komision kot, që pritet të shpenzojë rreth 49 mijë euro koti, prandaj pikërisht për këtë duhet dikush të japë edhe përgjegjësi për shpërdorim të parave, ngase të gjithë e kanë ditur se kjo tema e Demarkacioni moti ka përfunduar, por e kanë shfrytëzuar si temë vetëm për ta rrëzuar Qeverinë", theksoi Burjani. Ndërsa, analisti politik Ali Hertica ia adreson si një dështim të ri të radhës kulmor vetë kryediplomatit Behgjet Pacolli. "Krejt kjo lojë e deritanishme me Demarkacionin e ka një emërues të vetëm, kundërshtimin deri në ekstrem, për shkak të lakmisë për pushtet", ka thënë Hertica. 

Fjalën e fundit e thotë Kuvendi

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi pohon se, pavarësisht dallimeve që tani po dalin në sipërfaqe, është obligim ligjor dhe kushtetues që fjalën e fundit ta thotë Kuvendi i Kosovës, të zgjedhurit nga vota e popullit, të cilët do të duhej të ishin të rreshtuar vetëm në interesin e plotë nacional. "Kuvendi i Kosovës ka dy mundësi vendosjeje: 1. Pranimin e Marrëveshjes dhe refuzimin e të dhë- nave të Komisionit të tashëm të Qeverisë së Kosovës; 2. Për ta pranuar Marrëveshjen në parim, por duke kërkuar përmirësime në pikat konfliktuoze dhe 3. Për ta anulua Marrëveshjen mbi bazën e të dhënave të Komisionit. Problemi nuk paraqitet nëse vjen te pranimi i Marrëveshjes. Me atë futet në fuqi Marrëveshja dhe demarkimi përfundon. Çështja fiton në peshë nëse aprovohet dhe kërkohen riparime në pikën e Çakorrit dhe të Zhlepit. Po kështu është edhe nëse anulohet tërësisht Marrëveshja", tha Prof. Kelmendi. Sipas tij, në rast të mosratifikimit të kësaj marrëveshje në formën dhe përmbajtjen që e ka bërë Mali i Zi, atëherë pala tjetër ka këto mundësi që t'i kundërpërgjigjet Kosovës.

(Kosova Sot) 

3 orë e 39 minuta më parë