Stojanoviq: Po Gjykatës Speciale, jo FAK-ut

  • 28 July 2015 - 16:43
 Stojanoviq: Po Gjykatës Speciale, jo FAK-ut

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, i cili vjen nga radhët e Listës Serbe ka thënë se subjekti i tyre politik do ta votojë amendamentin kushtetues që hap rrugë për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, por nuk do të votojë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, në formën që ekzistojnë propozimet tash për tash.
Ai në intervistën për Radion Evropa e Lirë ka shtuar se që nga fillimi e kanë përkrahur këtë proces, dhe do ta përkrahin sërish si në Qeveri ashtu edhe në Kuvend.

Kurse, lidhur me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), ai ka thënë se jo vetëm Lista Serbe, por edhe përfaqësuesit serbë në mandatin e kaluar, nuk i kanë mbështetur ndryshimet kushtetuese, që është dashur të sjellin deri te formimi i Ushtrisë së Kosovës, në formën, për të cilën edhe tash janë propozimet. 
"Kërkohet një dialog serioz. Nëse dikush kërkon nga ne që të mbështesim diçka, atëherë duhet që të marrim pjesë në atë proces. Ndërkaq, në propozimin aktual, ka mjaft gjëra, me të cilat ne nuk pajtohemi. Siç thash, kur dikush me ne nuk bën dialog serioz, atëherë është e pakuptimtë që të pres mbështetjen tonë për diçka të tillë.
Një nga argumentet që për neve është telash, është fakti se sa do të kushtojë e gjithë kjo, sepse në këtë situatë kur një numër i madh i njerëzve jeton mjaft vështirë, e dimë se më së paku do të nevojitej shuma rreth 50 milionë euro që ajo (Forca e Armatosur e Kosovës) të formohet.
Nga cilat para do të bëhet kjo dhe si do të financohet? Ekzistojnë shumë pyetje të hapura. Ne kemi qenë gjithmonë për dialog, por në formën e tanishme, siç po propozohet, me siguri që nuk do ta mbështesim
", ka deklaruar Stojanoviq.