< ZRRE-ja meriton ndëshkimin penal për fryrjen e faturave - Lajme - Kosova Sot
ZRRE-ja meriton ndėshkimin penal pėr fryrjen e faturave

ZRRE-ja meriton ndėshkimin penal pėr fryrjen e faturave

Rreth 8 milionë euro po llogaritet vlera e energjisë elektrike të pafaturuar për vitin 2016 në pjesën veriore të Kosovës, shifër kjo që është paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, e këtë po e thonë vetë autoritet kompetente. Mirëpo, duke u nisur nga fakti se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, autoritetet kompetente për sektorin e energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t'ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje, ato ua ngarkuan qytetarëve në pjesët tjera të Kosovës, në Kosovën Qendrore. Bazuar në raportet që merr Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) nga operatoret e licencuar, vlera e përgjithshme e energjisë së pafaturuar në veri të Kosovës është rreth 8 milionë euro. Pasi kjo vlerë e mjeteve nuk është mbuluar nga institucionet e Kosovës, ZRRE-ja ka vendosur që kostot për mbulimin e humbjeve, duke përfshirë edhe humbjet në veri të vendit, t'ua shpërndajë të gjithë konsumatorëve. Ky veprim skandaloz ka alarmuar njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe të të drejtave të njeriut, të cilët pyesin me të drejtë se më çfarë të drejte ka marrë vendim ZRRE-ja që t`i ngarkojë shumicën e qytetarëve për mospagesën e serbëve në 4 komuna. Ata theksojnë se asnjë bazë ligjore nuk e ka ZRRE-ja për të marrë një vendim të tillë. ZRRE-ja ka pas mundësi që t'i drejtohet Kuvendit të Kosovës që shpenzimet e pambuluara të paguhen nga buxheti i shtetit, e jo t`u vidhen qytetarëve. Është një thirrje unike dhe kërkesë që të sillen para përgjegjësisë individët brenda ZRRE-së për këtë vepër penale që kanë bërë në dëm të qytetarëve të Kosovës. Kritika marrin edhe qeveritë e deritanishme, që kanë lejuar që të vidhen qytetarët për t`ua paguar borxhet e energjisë elektrike serbëve në komunat serbe.

Image

 

Avokati i Popullit kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës

Rreth këtij skandali, të cilit i doli e vërteta në shesh së fundi dhe përgjegjësisë që duhet të mbajë ZRRE-ja, gazeta i ka dërguar pyetje zyrës Qeverisë së Kosovës, prokurorit të Shtetit, Zyrës së Avokatit të Popullit dhe vetë ZRRE-së, por përgjigje ka marrë vetëm nga Avokati i Popullit. "Shpresojmë se ZRRE-ja do të reflektojë për pozicionin në të cilin ndodhet dhe për përgjegjësinë ligjore kundrejt zbatimit të një vendimi gjyqësor të plotfuqishëm, siç është aktvendimi i Gjykatës së Apelit, i datës 20. 10. 2017. Avokati i Popullit beson në përgjegjshmërinë që duhet të kenë autoritetet publike, përkatësisht Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), në këtë rast, që vendimet e plotfuqishme gjyqësore nuk duhet dhe nuk guxojnë të varen nga ekzistimi/funksionimi i mekanizmave të ndryshëm administrativë, përfshirë Bordet, sepse vendimet gjyqësore janë të plotfuqishme dhe së këndejmi janë të obligueshme të zbatohen", thuhen në përgjigjen e zyrës së Avokatit të Popullit nga Majlindë Sinani-Lulaj, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun dhe Mediat.

Paralajmërohet padi në Strasburg

Njohësit e këtij problemi theksojnë se qytetarët duhet të kompensohen për plaçkitjen që u është bërë, kurse përgjegjësit të përgjigjen penalisht para gjykatës kompetente. Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik Nisma për Kosovën, tha se këtë temë e ka ngritur edhe në Parlament, në seancë plenare."Për këtë vjedhje institucionale që u bëhet qytetarëve kam folur edhe në seancën e fundit të Kuvendit. Konsideroj se përpos që qytetarët duhet të kompensohen për vjedhjen që u është bërë si rezultat i një vendimi joligjor të ZRRE-së, dikush edhe duhet të japë llogari para drejtësisë", u shpreh ai. "Që nga viti 2012, me vendim antiligjor janë vjedhur qytetarët, shtresa e rrezikuara sociale, bizneset, andaj me një vendim të gjykatës duhet t'u kthehen qytetarëve 40 milionë eurot e plaçkitura. Si deputet do të inicioj edhe një padi në Gjykatën e Strasburgut për këtë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, që është bërë në emër të institucioneve", tha Berisha për "Kosova Sot"

Image

 

ZRRE-ja shkeli ligjin

Njohësi i fushës së të drejtës, Ilir Fetahu, tha se këto të dhëna do të duhej ta ngrinin urgjentisht në këmbë Prokurorinë e Shtetit, sepse një veprim i tillë është vepër e rëndë penale, kurse institucionet tjera relevante të angazhohen për kompensimin e dëmit që u është shkaktuar qytetarëve shumicë të pjesëve të tjera të Kosovës dhe të ndërmerren masa që edhe serbët në veri ta paguajnë energjinë që e shpenzojnë atje. Sipas tij, territori i Kosovës është një dhe i pandarë, kurse të drejtat dhe obligimet e qytetarëve para ligjit duhet të jenë të njëtrajtshme për të gjithë."Vendimi i ZRREsë që faturat e energjisë, të cilat i kanë shpenzuar qytetarët serbë të veriut të Kosovës, t'u ngarkohen qytetarëve në pjesët tjera të Kosovës, është një veprim i paprecedent, nuk e ka asnjë bazë ligjore, është fillimisht shkelje e të drejtave të njeriut dhe për më tepër përbën edhe vepër të rëndë penale, sepse askush nuk ka të drejtë që barra e tjetrit t'i ngarkohet dikujt tjetër, në këtë rast borxhi për energjinë e shpenzuar, sepse askush nuk ka as të drejtën tjetër që dikush të mos paguajë fare e dikush të paguajë rregullisht", u shpreh ai. "Në këtë rast i bie që një qytetar i përgjegjshëm i Kosovës ka paguar pa dijen e tij për një qytetar tjetër, sepse këtë gjë e ka manipuluar dikush. Unë konsideroj që ZRRE-ja të gjitha humbjet eventuale që i ka pasur duhej t'i dërgonte për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, për të parë nëse ato shpenzime do të mund të gjejnë zgjidhje të mbulesës nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe që ajo kosto e humbjeve të mos u ngarkohet padrejtësisht qytetarëve", potencoi Fetahu.

Taktika serbe që të mos paguajë shërbimet

Analisti Gani Qarri dyshon se gjeneza e këtij skandali mund të jetë akoma edhe më e hershme, duke dyshuar në faktin se derisa që nga çlirimi i Kosovës, më 1999, serbët e veriut nuk e kanë paguar asnjëherë energjinë e shpenzuar, ajo padrejtë- sisht mund t' u jetë faturuar banorëve shqiptarë anekënd Kosovës, e jo vetëm sipas atij raporti të ZRRE-së, që flet për periudhën kohore prej vitit 2012 e këndej. "Madje, përveç energjisë elektrike, që nga ajo kohë serbët e rebeluar nuk e paguajnë as ujin, me të cilin rregullisht i furnizon jugu dhe paguan Qeveria e Kosovës për ta. Edhe kur në vitin 2009 u provua që borxhlinjtë e veriut të shkyçen nga rryma, ata zgjatën linjën furnizuese të energjisë nga Novi Pazari, kinse për të mbuluar vendbanimet me rrymë të shkyçur dhe dëshmuar se kinse ata mund të furnizohen edhe nga linjat serbe të energjisë, gjë që nuk doli të jetë e saktë", u shpreh ai. "Siç u pa më vonë, kjo ishte vetëm një metodë taktike për të detyruar Kosovën që t'i furnizojë serbët në veri të vendit me energji falas për gjithë këto vite. Kështu që më se rreth 8 milionë euro arriti vlera e energjisë së papaguar elektrike, vetëm për vitin 2016, nga serbët në veri të Kosovës", theksoi Qarri."Me gjithë vendimin e fundit të Gjykatës së Kosovës për ndalimin e kësaj praktike të çuditshme, situata e tillë duket se jo vetëm që nuk do të ndryshojë së shpejti, por ajo pritet të vazhdojë edhe më tej, me arsyetimin banal se kinse Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk e paska bordin të kompletuar. E se si arriti kjo zyrë të kompletojë bordin e saj të famshëm dhe me leje të kujt mori ajo vendime kaq të çuditshme për dënimin e qytetarëve shqiptarë, që ata ta paguajnë edhe energjinë e shpenzuar nga serbët e veriut, nuk e thotë njeri", potencoi Gani Qarri për 'Kosova Sot'. Ai thotë se misteri rreth këtyre veprimeve monstruoze bëhet edhe më i madh sidomos kur kihet parasysh edhe deklarata e kryetares së komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Sala Berisha, e cila në vend se të kërkojë nga ZRRE-ja zbatimin e menjëhershëm të vendimit të gjykatës, për lirimin e shqiptarëve nga mbingarkesat e padrejta, ajo deklaron se si edhe Kuvendi qenka i interesuar që bordi i ZRRE-së të plotë- sohet sa më shpejt. "Ndaj nëse qeveritë e deritanishme lejuan dukuri të tilla të padëgjuara dhe për gjithë këto vite vodhën pa të drejtë qytetarët shqiptarë, për të mbuluar shpenzimet e energjisë së shpenzuar elektrike nga serbët në komunat e veriut të vendit tonë, metodat e tilla të shkeljes së të drejtave të njeriut duhet përfundimisht të marrin fund dhe ZRRE-ja të thirret para përgjegjë- sisë nga institucionet e Kosovës", tha Qarri.

Image

 

Qeveria të shqyrtojë ankesat

Edhe analisti politik Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se koncesionet politike në veri të Mitrovicës dhe gjithandej në veri të Kosovës nuk po kanë të ndalur dhe kjo më së miri faktohet edhe me strukturat kriminale që ishin në funksion të përpjekjes për ndarjen e qytetit të Mitrovicës, kriminelët "Rojat e Urës" e shërbime të tjera sekrete mbi lumin Ibër. "Kur bëhet fjalë për borxhin e rrymës në shumën prej 8 milionëve të vitit 2016, e cila në vend që t'u faturohet atyre, të cilët e kanë shpenzuar rrymën, veriut më shumicë serbe, këtë borxh pa asnjë logjikë të shëndoshë po e paguajnë qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës, kjo tregon se si shtet ligjor akoma nuk i kemi punët mirë, i kemi keq punët edhe në këtë plan. Atë e them duke u bazuar në faktin se nuk vumë kontroll mbi këtë pjesë të Kosovës që nga viti 1999, ashtu edhe autoritet kompetente për sektorin e energjisë e patën të pamundur qasjen në veri të Mitrovicës, duke mos arritur t'i lexojnë njehsorët. Katër komunat në veri janë të banuara me shumicë serbe, të cilat ndër vite po funksionojnë jashtë sistemit juridik e kushtetues të vendit", u shpreh ai. "Më në fund ishte dashur që Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Tregtisë dhe Industrisë ta shqyrtojë këtë çështje të mospagesës së rrymës nga serbët. Është i padrejtë vendimi i ZRRE-së që borxhet nga "humbjet teknike" dhe konsumimi i paautorizuar i energjisë elektrike të paguhet nga konsumatorët e komunave të tjera. Ky problem ka qenë dashur të zgjidhet gjatë bisedimeve që janë mbajtur në Bruksel në mes të Prishtinës dhe Beogradit zyrtar", theksoi Mulliqi. "Të gjitha këto lojëra të minoritetit serb në veri, në dëm të Kosovës, edhe kjo më mos pagesën e rrymës, po bëhen sepse qeveritë e deritashme nuk ishin sa duhet këmbëngulëse që ta shtrijnë sovranitetin në pjesën veriore. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) e ka të pamundur qasjen në veri të Kosovës, humbjet që shkaktohen në këtë pjesë të territorit nga OSSH duhet të konsiderohen si humbje edhe politike, për çka nga përgjegjësia nuk mund të lirohet Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike", ka thënë Mulliqi.

(Kosova Sot)

23 orë e 18 minuta më parë