Mehmeti: Rezistenca e oligarkëve

  • 09 November 2017 - 13:20
Mehmeti: Rezistenca e oligarkëve

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot" se është skeptik se ministri Hasani do të guxojë të ndërmarrë masa ndaj importimit të grurit nga Serbia. "Kjo për faktin se janë Devollët ata që importojnë, dhe kur Devollët janë në një biznes, aty nuk guxon askush të ndërhyjë. Nuk guxon, sepse Devollët i ushqejnë dhe ua mbushin kontot me para shefave të ministrave", u shpreh ai. "Edhe pse është e domosdoshme që të vendosen masa doganore ndaj grurit serb, për shkak të cilësisë së dobët dhe ikjes nga taksat doganore, derisa Devollët importojnë krunde në vend të grurit, duke shkaktuar edhe sëmundje tek qytetarët e vendit, Kosova nuk pritet që të çlirohet nga një ministër, qoftë ai edhe me vullnet të mirë për të bërë një gjë të tillë", theksoi Mehmeti. "Është për t'u përshëndetur që Komisioni i Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë që të ndërmarrë masa doganore ndaj grurit të importuar nga Serbia, por kjo pritet të mbetet veç një kërkesë që nuk do të zbatohet asnjëherë. Kështu ndodh kur kemi në pushtet politikanë që janë vegla të bandave dhe mafiozëve", tha më tutje ai. "Derisa ministri Hasani ka vendosur ta ndalë ventilin e vjedhjes ndaj Ramiz Kelmendit, këtë gjë nuk mund ta bëjë ndaj Devollëve. Kjo, sepse Devollët i kanë rrënjët shumë thellë tek koalicioni qeverisës, si dhe tek partitë e tjera. Nëse edhe Ramiz Kelmendi do të ishte pjesë e koalicionit qeverisës, sigurisht se nuk do t'i ndalej ventili. Kjo shpjegon më së miri rënien ekonomike në vend, mungesën e zhvillimit ekonomik dhe papunësinë e madhe", ka thënë Mehmeti.

(Kosova Sot)