Fetahu: ZRRE-ja shkeli ligjin

  • 09 November 2017 - 15:16
Fetahu: ZRRE-ja shkeli ligjin

Njohësi i fushës së të drejtës, Ilir Fetahu, tha se këto të dhëna do të duhej ta ngrinin urgjentisht në këmbë Prokurorinë e Shtetit, sepse një veprim i tillë është vepër e rëndë penale, kurse institucionet tjera relevante të angazhohen për kompensimin e dëmit që u është shkaktuar qytetarëve shumicë të pjesëve të tjera të Kosovës dhe të ndërmerren masa që edhe serbët në veri ta paguajnë energjinë që e shpenzojnë atje. Sipas tij, territori i Kosovës është një dhe i pandarë, kurse të drejtat dhe obligimet e qytetarëve para ligjit duhet të jenë të njëtrajtshme për të gjithë."Vendimi i ZRREsë që faturat e energjisë, të cilat i kanë shpenzuar qytetarët serbë të veriut të Kosovës, t'u ngarkohen qytetarëve në pjesët tjera të Kosovës, është një veprim i paprecedent, nuk e ka asnjë bazë ligjore, është fillimisht shkelje e të drejtave të njeriut dhe për më tepër përbën edhe vepër të rëndë penale, sepse askush nuk ka të drejtë që barra e tjetrit t'i ngarkohet dikujt tjetër, në këtë rast borxhi për energjinë e shpenzuar, sepse askush nuk ka as të drejtën tjetër që dikush të mos paguajë fare e dikush të paguajë rregullisht", u shpreh ai. "Në këtë rast i bie që një qytetar i përgjegjshëm i Kosovës ka paguar pa dijen e tij për një qytetar tjetër, sepse këtë gjë e ka manipuluar dikush. Unë konsideroj që ZRRE-ja të gjitha humbjet eventuale që i ka pasur duhej t'i dërgonte për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, për të parë nëse ato shpenzime do të mund të gjejnë zgjidhje të mbulesës nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe që ajo kosto e humbjeve të mos u ngarkohet padrejtësisht qytetarëve", potencoi Fetahu.

(Kosova Sot)