Kryeministri: Në mot krijohen kushtet për të aplikuar për kandidat në BE

  • 10 November 2017 - 13:00
Kryeministri: Në mot krijohen kushtet për të aplikuar për kandidat në BE

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë sot se Qeveria që ai drejton synon t’i krijojë kushtet për aplikim për statusin e kandidatit në Bashkimin Europian në vitin 2018.

Në konferencën për agjendën europiane të reformave të organizuar nga Grupi për hulumtimin e Politikave në Ballkan, Haradinaj  bëri thirrje BE-së që t’i intensifikojë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën në fazën e re të zhvillimeve.

“Dëshirojmë ta kërkojmë statusin e kandidatit, por statusin e kandidatit meritor. Presim që vitin e ardhshëm të aplikojmë prandaj kërkojmë marrëdhënie bilaterale më intensive me BE-në”, tha Haradinaj, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë.

Tutje Haradinaj e pranoi se vendimet e institucioneve të Kosovës po hasin në vështirësi në zbatimin e tyre në praktikë.

“Kemi vështirësi të shumta në zbatimin e vendimeve të marra. Nuk e them për ta kritikuar qeverinë e sotme apo të ardhshme, por duhet ta përmirësojmë këtë”, shtoi Haradinaj.

(Kosova Sot)