Shahini: Informaliteti godet buxhetin

  • 10 November 2017 - 14:56
Shahini: Informaliteti godet buxhetin

Informaliteti godet buxhetin Lideri i AKB-së, Agim Shahini, për gazetën "Kosova Sot" tha se shumë kompani të derivateve të naftës, qoftë vendore apo ndërkombëtare, që janë fuqizuar tej mase dhe kanë krijuar një monopol me fuqinë e vet në treg, perceptimet e opinionit janë se dikush nga politikanët e skenës politike vendore apo ndërkombëtare qëndron prapa tyre.

"Në këto raste ka dyshime të mëdha, por asnjëherë nuk janë të bazuara në fakte dhe derisa ne nuk kemi fakte për këto akuza mbesim vetëm si dëshmitarë okularë se diçka po ndodh", u shpreh ai. Shahini thekson se shumë milionerë të sotëm të Kosovës, që janë bërë pas lufte, nuk kanë pasur një trashëgimi nga e kaluara. Sipas tij, ekonomia jonë ka mundur që të rritet e të fuqizohet edhe më shumë sikur në vendin tonë të kishte një përgjegjësi më të lartë institucionale, për të cilën faktori ndërkombëtar vazhdimisht po jep vërejtjet e veta se në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor është i pranishëm korrupsioni, ndërsa vërehet ngadalësim i rritjes ekonomike në vend. I pari i AKB-së tërhoqi vërejtjen se tregu i derivateve të naftës është ndoshta sektori më i zhvilluar në Kosovë dhe të hyrat në buxhet kryesisht vijnë nga ky sektor dhe sigurojnë një qëndrueshmëri të buxhetit të Kosovës."Por e keqja është se po ky sektor po e rrezikon më së tepërmi buxhetin e Kosovës, për shkak se informaliteti është shumë prezent, ngase një numër i madh i këtyre pikave furnizohen me derivate të naftës duke iu shmangur kontrollimeve doganore dhe duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës", potencoi Shahini.  

(Kosova Sot)