Alarmi për arrestim: Kryeministri nuk heq dorë nga udhëtimi në Bruksel

  • 10 November 2017 - 18:27
Alarmi për arrestim: Kryeministri nuk heq dorë nga udhëtimi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të jetë më 17 nëntor në Bruksel dhe kjo është përfundimtare. Kështu bën të ditur për Express, shefi i Zyrës për Informim Halil Matoshi. Kjo deklaratë e tij, vjen pas një shkrimi që Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se Kryeministri Haradinaj mund të arrestohet gjatë udhëtimeve jashtë vendit edhe pse mban postin e shefit të ekzekutivit, nëse Serbia nuk e tërheq fletëarrestin kundër tij që e ka dërguar në Interpol.

Halil Matoshi nga Qeveria 'Haradinaj' shprehet i sigurt se asnjë vizitë e Haradinajt nuk do të anulohet, e që është paraparë të ndodh më 17 nëntor në Bruksel në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ai thotë se Qeveria e tyre nuk i komenton ato se çfarë shkruajnë mediet, por e vërteta është se kryeministri i Republikës së Kosovës  më 17 nëntor është në takim me krerët e Bashimit Evropian lidhur me MSA-në.

“Kjo është përfundimtare, është takim dypalësh Kosovë - BE në Bruksel më 17 nëntor. Ne nuk i komentojmë ato çfarë shkruajnë por e vërteta është se Haradinaj do të jetë më 17 në Bruksel”, u shpreh Matoshi.

Reuters duke u thirrur në diplomatët perëndimorë në Prishtinë dhe zyrtarët vendës, shkruan se Haradinaj mund të arrestohet gjatë vizitave jashtë shtetit nëse Serbia nuk e deaktivizon fletëarrestin.

Kjo agjenci rikujton se Serbia e mbështetur nga Rusia dhe Kina po e bllokon anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

(Kosova Sot)