< Rezoluta e re për fazën tjetër të dialogut me Serbinë - Lajme - Kosova Sot
Rezoluta e re pėr fazėn tjetėr tė dialogut me Serbinė

Rezoluta e re pėr fazėn tjetėr tė dialogut me Serbinė

Nxjerrja e një rezolute të re nga ana e Kuvendit të Kosovës, pritet t’i paraprijë hyrjes së Kosovës në fazën e re të dialogut me Serbinë.

Kështu të paktën paralajmërojnë deputetët, sidomos ata nga tabori opozitarë, shkruan Radio Europa e Lirë.

Ndonëse rezolutat nuk kanë karakter obligativ, deputetët besojnë se përmes saj do të shprehet një qëndrim dhe vullnet politik i përfaqësuesve të shtetit, i cili më pas do të duhej të përfillej nga liderët politikë që do të përfaqësojnë vendin në dialogun me Serbinë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimet e fundit në Bruksel, në fillim të korrikut dhe në fund të gushtit të këtij viti, ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë paralajmëruar ngritjen e nivelit të përfaqësimit politik, në nivelin e presidentëve, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por, deputetët e Kuvendit të Kosovës, të partive në pushtet dhe në opozitë, vlerësojnë se tashmë nevojitet një rezolutë e re nga legjislativi, me të cilën do të përcaktohej korniza e fazës së re të dialogut me Serbinë, niveli i përfaqësimit politik dhe përgjegjësitë e përfaqësuesit.

Ahmet Isufi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lideri i së cilës, Ramush Haradinaj udhëheqë ekzekutivin e vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë ekziston nevoja për një konsensus nacional për të përcaktuar formatin e bisedimeve dhe platformën e cila garanton mbrojtjen e interesave të Kosovës. Për një gjë të tillë, si dhe për nivelin e përfaqësimit në dialogun e Brukselit, sipas tij, nevojitet një pajtim i liderëve politikë.

“Liderët institucionalë dhe politikë duhet të pajtohen për një marrëveshje të përbashkët, sa i përket bisedimeve, duke krijuar kornizën mbi dialogun, në interes të Kosovës, si dhe Kuvendi të nxirrte një rezolutë, e cila do të autorizonte autoritetet e shtetit se si do të duhej të zhvillohej dialogu dhe kush ta përfaqësojë atë”, tha Isufi.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj nga radhët e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, para se të nis faza e re e dialogut në Bruksel, është e domosdoshme që në Kuvendin e Kosovës të ekzaminohet situata lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të deritashme që kanë dalë nga dialogu me Serbisë, si dhe përfitimet nga ky proces.

Sipas tij, në rast se vazhdojnë bisedimet, paraprakisht, do të duhej të qartësoheshin rolet e institucioneve të larta në raport me dialogun dhe kjo do të duhej të bëhej me një rezolutë të re të Kuvendit.

Rreth një muaj më parë, në një debat të organizuar ndërmjet shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, ishte kërkuar që legjislativi të ketë një rol shumë më aktiv në procesin e dialogut, si dhe për marrëveshjet e arritura me Serbinë.

Kuvendi i Kosovës, më 18 tetor të vitit 2012, pati miratuar një rezolutë që parashihte normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë. Përfaqësimi politik në dialog, deri më tash, ishte në nivelin e kryeministrave.

(Kosova Sot)

10 orë e 20 minuta më parë