< Shpëtimi te VETTING-u, rritja e pagave nuk kryen punë - Lajme - Kosova Sot
Shpėtimi te VETTING-u, rritja e pagave nuk kryen punė

Shpėtimi te VETTING-u, rritja e pagave nuk kryen punė

Analistët: Prokuroritë dhe gjykatat janë të kapura nga krimi

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se nëse Qeveria rritjen e buxhetit për KGJK-në dhe për KPK-në e shikon si arsye që me rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ata të mos korruptohen dhe të mos inkriminohen, kjo e vërteton katërçipërisht amoralitetin e sistemit gjyqësor aktual në Kosovë, degradimin dhe falimentimin e tij, i cili sipas kësaj logjike paska pasur të drejtë, për arsye se i paskan pasur pagat jo të mira dhe u paska lindur atyre e drejta për të bërë krimin dhe për t'u bërë palë me politiken e kriminalizuar, me bizneset e pista dhe me paligjshmërinë abuzive, gjë e cila përben amoralitetin më të madh në një shtet. Ata nuk u besojnë aspak as premtimeve të ministrit të ri të Drejtësisë për kinse reformë të thellë në drejtësi dhe në kuadër të saj që thotë se zyrtarët që udhëheqin pozita të larta shtetërore të pezullohen nga puna në rast se ngarkohen me ndonjë aktakuzë për afera korruptive ose keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngase ky hap i Tahirit mund të jetë vetëm një pikë në deti nga paligjshmëritë e mëdha që vlojnë në sistemin e drejtë- sisë. Sipas tyre reformë mund të ketë vetëm kur të bëhet pastrimi i plotë i Prokurorisë dhe gjyqësorit nga të korruptuarit e bashkë me ata edhe të policisë e avokatisë, prandaj vetëm një VETTING i përgjithshëm e shpëton dhe e sjell NJË DREJTËSI TË RE e të besueshme dhe ligjore për qytetarët që kanë humbur besimin në garniturën aktuale.

Image

Të vetinkriminuarit i rezistojnë reformës

Analisti Skënder Kapiti, në një prononcim për gazetën"Kosova Sot" ka thënë se në fakt sistemi i drejtësisë në Kosovë ka nevojë imanente për një Vetting të fuqishëm e përmbajtjesor e jo për reforma sipërfaqësore sa për sy e faqe dhe, sipas tij, nisma e ministrit Tahiri për të rritur buxhetin për KGJKnë e KPK-në do të duhej të jetë po ashtu një motiv më shumë për kupolat aktuale të drejtësisë për të qenë më të suksesshëm dhe më të përgjegjshëm në luftë kundër krimit e korrupsionit. Por, Kapiti thotë se derisa janë të vetinkriminuara, zor se mund të priten ndryshime cilësore në këtë drejtim, pasi që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka degraduar e është katandisur në masë dhe ky degradim nuk ka ndodhur sot, por është rezultat i sa viteve më parë e deri më sot dhe krejt kjo siç tha si rezultat i pushteteve të papërgjegjshme të pasluftës, duke mbajtur kontrollin dhe ndikimin e vet në drejtësi me njerëzit e inkriminuar në krim të organizuar e korrupsion. Edhe proklamimi i ministrit Tahiri për kinse një reformë të thellë në drejtësi dhe se kinse edhe zyrtare që udhëheqin pozita të larta shtetërore të pezullohen nga puna në rast se ngarkohen me ndonjë aktakuzë për afera korruptive ose keqpërdorim të detyrës zyrtare etj., mund të jetë vetëm një pikë ujë në det, ngase sipas tij në sistemin e drejtësisë vlojnë paligjshmëritë e mëdha."Vetëm ligji për Vetting-un dhe Ligji i Dekriminalizimit do të duhej të vepronte fuqishëm për të bërë vetë- pastrimin ligjor në të gjithë sektorët e drejtësisë, në gjyqësor, në prokurori, në hetuesinë policore, në avokati etj.", potencoi Kapiti.

Justifikim i turpshëm për ryshfetin dhe korrupsionin

Analisti Naim Kelmendi thotë se nëse Qeveria rritjen e buxhetit për KGJK-në dhe për KPK-në e shikon si arsye që me rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve ata të mos korruptohen dhe të mos inkriminohen, kjo e vërteton katërçipërisht amoralitetin e sistemit gjyqësor aktual në Kosovë, degradimin dhe falimentimin e tij."Kjo vjen edhe si një justifikim shumë i turpshëm për korrupsionin, për ryshfetin dhe për mbrojtjen e krimit dhe të aferave korruptive të gjyqësorit në Kosovë", u shpreh ai.
"Gjyqtarëve dhe prokurorëve aktualë në Kosovë sado t'ua rrisësh atyre rrogat mos të mendojë ndokush se kjo do t'i ndreqë ata dhe do t'i shërojë prej sëmundjes së shitblerjes së të drejtave të qytetarëve, prej shërbimit për krimin e parasë së pistë dhe të allishverisheve të tjera. Vetëm ndëshkimi ligjor dhe minimalisht dëbimi dhe pastrimi i gjyqësorit prej gjyqtarëve dhe prokurorëve aktual, mundësisht dëbimi i të gjithë atyre prej sistemit të drejtësisë dhe zëvendësimi i tyre me juristë të rinj të papërlyer në afera korruptivoabuzive dhe kriminale, zëvendësimi i juristëve, gjyqtarëve e prokurorëve aktualë me profesionistë të përgjegjshëm dhe jopolitikë do të bënte të mundur futjen e drejtësisë në Kosovë në binarët e zbatimit të ligjit", vijoi më tej Kelmendi."Vetëm një VETTING i këtyre përmasave në drejtësi do të mundësonte edhe VETTING-un e politikës kosovare", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi.

Image

Me këta shefa, nuk ka drejtësi të fortë

 Hasan Preteni, nga Qendra për Etikë, Transparencë dhe Integritet, mendon se rritja e pagave - buxhetit për "drejtësi", nuk garanton efikasitet."Krimi mund të paguajë gjithmonë më shumë", theksoi ai."Duhet të insistohet në ngritjen e llogaridhënies dhe efikasitetit me këta titullarë të institucioneve nuk ka progres", spikati për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni. Ndërsa analisti Naim Miftari ka thënë se beson se nuk do të ketë ndryshim të gjendjes për shkak se, siç tha, do të kishte ndryshim nëse së pari Vetting-u do ta rrokte politikën, pra partitë politike, sidomos sistemet parapolitike, të cilat edhe janë si dorë e zgjatur e nëntokës dhe biznesmenëve që janë të lidhur me politikanët e korruptuar. Sipas tij, faktikisht dihet se ata biznesmenë dhe ata multimilionerë gjithmonë janë dorë e zgjatur e një politikani të fuqishëm."Së pari, nuk besoj që edhe nëse ua rritin 10 mijë euro pagën prokurorëve apo gjyqtarëve këta prokurorë e gjyqtarë do të jenë të pavarur, për shkak se edhe akoma pa u hap konkursi për prokurorë dihet shumë mirë se kush do të pranohet prokuror dhe kush jo, gjithmonë krimi i organizuar do të kujdeset që pozita në gjyqësi, prokurori, në hetuesi të policisë, në Agjencinë e Inteligjencës t'i sjellin njerëzit e tyre që ua mbulojnë veprimet e tyre të paligjshme", theksoi ai.

Image

Koalicioni me SHIK-istat, pengesë për ligjin

Miftari nuk beson se do të na shpëtojë vetëm rritja e pagave. "I vetmi shpëtim është Vetting-u i përgjithshëm, sidomos në sistemin politik të inkriminuar, për shkak se sot për sot të gjithë e dimë se ligji po përdoret vetëm kur ka ndonjë hakmarrje politike apo për të bërë shaka me popullatën kinse po punohet diçka dhe Kosova është i vetmi vend që ende pa ia filluar një procedurë kundër një personi të fuqishëm dihet shumë mirë se kush lirohet, kush do të arrestohet, kush do të burgoset dhe kush do të qëndrojë në shtëpi të tij dhe do të llogaritet se po qëndron në burg etj. Vetting-u i fuqishëm dhe i përkrahur fuqimisht nga SHBA-të, por edhe nga disa shtete mike të Kosovës, por sidomos edhe disa parti apo politikanë, të cilët nuk janë të korruptuar duhet të jenë më të fuqishëm dhe zëri i tyre të jetë më i fuqishëm dhe të jenë më këmbëngulës se në Kosovë të ketë drejtësi", potencoi ai."Është koha e fundit që të rregullohet çështja që polici të jetë polic, që të shikojë zbatimin e ligjit, prokuroi të ndjekë keqbërësit, gjyqtari të bëjë ndarjen në mes të vërtetës dhe jo të vërtetës, mirëpo të gjithë e dimë se ky dallim në Kosovë është shumë negativ", vijoi më tutje Miftari. "Unë kam besim tek Ramush Haradinaj, por duke e parë strukturën e tij politike dhe fuqinë e tij si parti politike dhe e cila është në koalicion me ish-pjesëtarë të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilët janë të inkriminuar në shumë raste, duke filluar që nga kryetari i shtetit, ai i Kuvendit, etj. dhe plus një qeveri, e cila varet nga votat e përfaqësuesve serbë, të cilët e mbrojnë interesin e vet dhe jo të Kosovës, unë nuk shoh një ardhmëri që Ramush Haradinaj me gjithë vullnetin që e ka të bëjë rend dhe ligj dhe as do të ketë sukses ta pastrojë drejtësinë nga keqbërësit", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

(Kosova Sot)

14 orë e 55 minuta më parë