Prizreni po e humb primatin në biznes, Ferizaj e lë prapa

  • 11 November 2017 - 18:56
Prizreni po e humb primatin në biznes, Ferizaj e lë prapa

Komuna dhe pushteti qendror kanë bërë pak për të fuqizuar ndërmarrësinë në qytetin historik

Brenda vitit mbyllen rreth 300 biznese

Prizreni mendohet se ishte si njëra nga komunat më të zhvilluara ekonomike. Mirëpo, edhe kjo komunë, sipas ekspertit të ekonomisë, Liman Asllani, ka probleme të theksuara në zhvillimin ekonomik. Ai me këtë rast tregon se gjatë vitit që shkoi në Prizren janë mbyllur 252 biznese. Nga ana tjetër, në cilësinë edhe të koordinatorit të AKB-së për regjionin e Prizrenit, Asllani tregon se ka qenë i angazhuar maksimalisht për zgjidhjen e problemeve të këtilla. Ai shprehet për "Kosova Sot" edhe për projektet e zhvillimit ekonomik lokal të paraqitura gjatë fushatës zgjedhore në Prizren. Asnjë projekt për zhvillimin lokal ekonomik nuk mund të qëndrojë po qe se nuk bazohet në një analizë të situatës aktuale ekonomike në të cilën gjendet Prizreni."Me shumë se një muaj dëgjuam më shumë akuza të ndërsjella si dhe premtime që më shumë ishin "mjegull" e shumë pak gjëra që ofrojnë një perspektivë për zhvillimin ekonomik të Komunës. Ku është sot ekonomia e Prizrenit? Gjatë disa viteve të fundit ka një stagnim dhe se ky qytet e ka humbur pozitën e dytë në nivel të Kosovës", është shprehur ai.

Gjithnjë e më pak ka investime të jashtme

Asllani thekson se përderisa në Prishtinë brenda vitit regjistrohen 2398 biznese, në Prizren regjistrohen 693, kurse në Ferizaj 675. "Por, alarmante është treguesi tjetër: derisa në Prishtinë mbyllen 284 biznese e në Ferizaj 113, në Prizren mbyllen 252 biznese brenda vitit. Përveç kësaj, gjithnjë e më pak kemi investime vendore e të jashtme. Ajo që është shqetësuese vitet e fundit është se po ndërtohen objekte banimi që nga njëra anë nuk përmbushin asnjë standard më elementar të banimit kolektiv e urban, e nga ana tjetër është shumë enigmatike vetë kapitali investiv", është shprehur Asllani. Ai shton se papunësia sa vjen e rritet, standardi i qytetarëve po bie dhe shumë të rinj perspektivën e shohin jashtë. "Me vite nuk kemi një strategji të zhvillimit ekonomik lokal që bazohet në nevojat e ndërmarrjeve të vogla e të mesme. Përderisa pushteti lokal ka funksionalizuar mekanizmin për harxhimin e buxhetit, përmes Komitetit për politikë e financa, asnjëherë nuk e pa vullnetin as më të vogël që të jetësojë dispozitat ligjore, për çka shumë iniciativa të asociacioneve të biznesit dhe shoqatave të shoqërisë civile hasën në vesh të shurdhër", ka theksuar ai. Shton se pushteti lokal dhe jo vetëm nuk krijon vende pune, por militantëve partiakë u gjetën vende pune në sektorin publik, duke mos zgjedhur mjete e respektuar procedura dhe fare nuk u lodhën që të krijojnë ambient e kushte më të mira për të bërë biznes."Shpirtin afarist prizrenas e ngulfat edhe pushteti qendror që përkrah politikën "ekpasiosniste" të disa kompanive të mëdha, që për shumë nga ndërmarrësit me traditë shumëvjeçare janë të dyshimta edhe për strukturën e kapitalit dhe mënyrën e afarizmit", ka theksuar ai."Pushteti lokal duhet të jetë më i hapur ndaj komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile për hartimin e një strategjie të zhvillimit ekonomik lokal".

Duhen lehtësira për investimet

Asllani thekson se Komuna e Prizrenit, përveçse një kryeqytet shpirtëror të shqiptarëve, duhet ta fuqizojë një qendër ekonomike financiare për të gjithë shqiptarët e trojeve etnike dhe diasporën."Çdo investitori sot i duhet të harxhojë shumë para për lokacion. Komuna në emër të vet e për llogari të komunitetit të biznesit duhet të lobojë në pushtetin qendror për të siguruar hapësira dhe infrastrukturë, të cilën do t'ia ofrojë biznesit përmes partneritetit publiko-privat. Kjo do të përcillte me lehtësira, si për investime vendore ashtu edhe të jashtme, pa dallim. Biznesit vendor sigurimi lokacionit do t'i ndihmonte shumë që të fuqizohet për të çuar partnerët potencialë për bashkë-investime", është shprehur ai. Shton se për diasporën tonë sigurimi i lokacionit do të ishte shumë atraktiv për të investuar në biznes, e jo që mbi 60 për qind të remitancave të përfundojnë në patundshmëri. Afrim Tejeci thekson se ka neglizhencë të Qeverisë qendrore për Parkun e Biznesit në Prizren e kjo, sipas tij, është një dëm i madh për bizneset.

(Kosova Sot)