Qarri: Edhe opozita ka përgjegjësi - Lajme - Kosova Sot
Qarri: Edhe opozita ka përgjegjësi

Qarri: Edhe opozita ka përgjegjësi

Një vlerësim pak më të zbutur sa i takon punës së Kuvendit e ka analisti Gani Qarri. Ai thotë se është fakt se analistët, deputetë të opozitës, madje edhe ndonjë nga monitoruesit e Kuvendit të Kosovës, e vlerësojnë negativisht këtë legjislaturë, por, sipas tij, duke pasur parasysh kohën e shkurtër, stërzgjatje e fushatave parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet e njëpasnjëshme, si nacionale edhe ato komunale, të cilat që nga qershori e këndej po vazhdojnë dhe ende nuk kanë marrë përfundimin final të tyre, ka një justifikim."Kjo legjislaturë ka edhe afro katër vite përpara, që do të thotë se me një angazhim efektiv mbetet kohë e mjaftueshme të punojë dhe nuk mund të thuhet që tash se ka dështuar apo edhe që është nga më të dobëtat që ka pasur Kosova deri më tani", theksoi ai. Qarri shprehet kritik ndaj gjuhës dhe veprimeve shumë të vrazhda nga opozita, e cila kur nuk ka argumente dhe sillet me arrogancë. "Vlerësimet me sens negativ dhe të dhënat me ngutësi për t`ia bërë qefin dikujt, ndonjë partie a individi, bëhen me qëllim që ta lënë nën hije edhe punën e bërë, si dhe ligjet e miratuara, të cilat marrë parasysh kohën e kufizuar dhe agjendën e ngjeshur të partive me zgjedhjet dhe ngarkesat me paqartësitë për pamjen dhe krijimin e kuvendeve komunale, nuk janë dhe krejt të pakta dhe aq jo kualitative sa të shahen pa përjashtim, me arsyetimin, kinse Kuvendi i Kosovës nuk i paska përmbushur detyrat e parapara legjislative. Është për keqardhja, gjuha e vrazhdët sidomos nga opozita dhe ata të cilët ishin deri dje në pushtet, por dështuan më së keqi, madje edhe para se të dështojnë të tjerët", vijoi më tej Qarri. "Vetë deputetët e opozitës nuk kanë kërkuar fort as nuk ishin të interesuar dhe aq që të mbaheshin më shpesh mbledhje të Kuvendit dhe miratoheshin ligje", potencoi ai. 

(Kosova Sot)

7 orë e 47 minuta më parë
19/06/18