Reshiti: Joshja e kryeministrit - Lajme - Kosova Sot
Reshiti: Joshja e kryeministrit

Reshiti: Joshja e kryeministrit

Analisti politik Ymret Reshiti thotë se sjellja prej"tradhtarit" politik karshi partnerëve qeverisës është bërë tradicionale në PDK, e kjo mund të përsëritet edhe me rastin e Qeverisë 'Haradinaj'. "PDK-ja forcimin dhe shpëtimin nga humbja e pushtetit e ka siguruar përmes praktikës së "tradhtisë" së partnerëve të koalicionit në bashkëqeverisje. Një politikë kryekëput e bazuar në parimet Makiaveliste "qëllimi arsyeton mjetin". Një politikë fund e krye pa asnjë fije moralin dhe dëshmueshëm e bazuar në interesa të pastra personale. Si rezultat i politikave të tilla ka ardhur deri te kjo situatë, ku gjendet sot shteti i Kosovës. I ngulfatur, i pasigurt, i kapur dhe pa perspektivë", u shpreh ai."Debakli i PDK-së në zgjedhjet lokale vetëm sa ka nxitur udhëheqjen e kësaj partie që t'i kthehet "zanatit të vjetër", të cilën e patën shpikur në "Zanzibar". Është strategji e PDK-së që të kompromentojë të gjitha ato parti politike kosovare që e kritikojnë dhe ia rrezikojnë pushtetin në mënyrë që qytetarëve t'i thotë:"E shihni, të gjitha e kanë për pushtet"! Kështu PDK-ja së pari komprometoi LDK-në dhe atë dy herë, pastaj AKRnë, Listën "Ibrahim Rugova" ,PLK-në etj. Tani radhën e ka AAK-ja dhe pikërisht Ramush Haradinaj, i cili i pati shkaktuar mjaft kokëçarje PDKsë, sidomos planeve djallëzore të Hashim Thaçit për Demarkacionin dhe 'Zajednicën'", theksoi Reshiti. Sipas tij, PDK-ja nuk ia dhuroi postin e kryeministrit Ramush Haradinajt për shkak të "zemërgjerësisë", por për komprometim politik të tij para qytetarëve dhe për t'ia bërë më lehtë kurthin."PDK-ja duke parë rrezikun se mbeti pa asnjë partner politik në skenën politike kosovare, sidomos pas prishjes së bashkëqeverisjes me LDK-në, iu afrua Ramush Haradinajt, duke e joshur me postin e kryeministrit për të bërë një bllok politik në mënyrë që të sigurojë mbetjen në pushtet", tha Ymret Reshiti. Ai pohon se dihet fare mirë se PDK-ja është disejnatorja dhe instaluesja e kapjes së shtetit, prandaj ajo është në gjendje që të mos marrë asnjë post ekzekutiv shtetëror, vetëm e vetëm që të mbetet në pushtet sa për të pamundësuar zhvillimet e hetimeve dhe ndjekjeve penale për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj zyrtarëve të lartë të kësaj partie."Është vetëm çështje kohe që të ndodhë "vetërrëzimi" i qeverisë 'Haradinaj' nga "kali i Trojës " alias PDK-ja që po kalëron korridoreve të Parlamentit të Kosovës që nga viti 2008", tha Ymret Reshiti.

(Kosova Sot)

19 orë e 11 minuta më parë
25/09/18