Testohet vaksina kundër virusit Ebola

  • 31 July 2015 - 18:27
Testohet vaksina kundër virusit Ebola

Një vaksinë eksperimentale po testohet te mijëra njerëz në Guine, të cilët janë ekspozuar ndaj virusit Ebola. Sipas rezultateve paraprake të publikuara të premten në revistën “Lancet”, kjo vaksinë mund të ndihmojë në parandalimin e epidemisë së vazhduar në Afrikën Perëndimore. Deri tani, nuk ka një trajtim të licencuar ose vaksinë për Ebolën, e cila ka marrë mbi 11 mijë jetë në Afrikën Perëndimore, që prej shpërthimit të madh në rajonin e pyllëzuar të Guinesë vitin e shkuar.

Kërkuesit u dhanë një dozë nga vaksina e re, e zhvilluar nga qeveria kanadeze, 4000 personave që kishin kontakte me raste të konfirmuara me Ebola brenda 10 ditëve që nga diagnostikimi i tyre. Mbi 3500 persona të tjerë, sërish të afërm të njerëzve të prekura nga Ebola, u vaksinuan pas 10 ditësh. Në grupin e parë, nuk pati raste me Ebola, krahasuar me 16 të tillë në grupin e dytë, shkruan "Associated Press".

Vaksina përdor një proteinë Ebole, e cila hyn në sistemin imunitar të trupit për ta sulmuar virusin. Sipas një virologu, ajo duket po aq e sigurt sa një vaksinë gripi, megjithatë kërkuesit po vlerësojnë ende efektet anësore të mundshme, transmeton Shekulli.

Për vite me radhë, shkencëtarët janë përpjekur të zhvillojnë trajtime për Ebolën, por janë përballur me pengesa të shumta. “Nëse provohet efektiviteti i saj, ajo do t’i ndryshojë rregullat e lojës”, tha Dr. Margaret Chan, Drejtore e Përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, financuese e stuimit. “Do të ndryshojë menaxhimin e përhapjes aktuale dhe shpërthimet në të ardhmen”.