U priu kriminelëve serbë “Frenkit”, por Frenki Simatoviçin s’po e izolon askush - Lajme - Kosova Sot
U priu kriminelëve serbë “Frenkit”, por Frenki Simatoviçin s’po e izolon askush

U priu kriminelëve serbë “Frenkit”, por Frenki Simatoviçin s’po e izolon askush

Ka shumë kriminelë lufte në Serbi për të cilët ka pëplot dëshmi për krime të rënda në ish-Jugosllavi, që jetojnë të lirë në mes të Beogradit dhe askush nuk ua prish rehatinë. 

Një prej tyre është edhe Frenki Simatoviç, i cili ishte dora e djathtë e Millosheviqit përgjatë gjithë luftrave që nga Kroacia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, transmeton media.

Simatoviç ka një karrierë të gjatë prej rreth 25 vjet në shërbimin sekret serb, që asokohe njihej me akronimin SDB – Sluzba Derzavne Bezbedonsti. Ishte zëvendës i dy krerëve të këtij shërbimi vrastar, i Jovica Stanishiçit dhe i Radomir Markoviçit. Simatoviç kishte punuar në resorin e kundërzbulimit dhe njihej si specialist për shërbimet e huaja sekrete, duke përfshirë këtu edhe CIA-n amerikane dhe BND-n gjermane. Më vonë, ai kishte kaluar në drejtorinë e II-të të shërbimit serb, për ta formuar Njësinë për Intervenime Speciale, të njohur si JSO – Jedinica za Specialne Operacije, së bashku me komandantin e saj operativ, Milorad Ulemek – Legija.

 Pjesë nga një dosje për krimet e Njësisë për Intervenime Speciale (JSO) në Kosovë, nën udhëheqjen e Simatoviçit dhe Legisë

Pjesëtarët e kësaj njësie kanë kryer krime të rënda që nga Kroacia, Bosnje e Hercegovina e deri në Kosovë dhe njiheshin si “Frenkit“ – grup vrasësish i udhëhequr nga vetë Frenki Simatoviç dhe i emërtuar në bazë të emrit të tij, të cilët bashkë me njësitë e tjera si “Skorpionët“, “Tigrat e Arkanit“, “Sheshirat e Kosovës“, “Orlat e Bardhë“, kanë kryer krime të rënda lufte për të cilat askush s’ka marrë përgjegjësi dhe nuk është denuar për to, ashtu sikurse nuk janë dënuar as Frenki Simatoviç dhe Jovica Stanishiç, të cilët u liruan nga Gjykata e Hagës si të pafajshëm në të gjitha aktakuzat.
Madje, nën komandën e Simatoviçit dhe Legijes, Njësia për Intervenime Speciale dikur i kishte dalë nga kontrolli edhe sherbimit sekret serb SDB, duke bërë thirrje mobilizuese vetë si njësi për të luftuar në Kosovë. IndeksOnline posedon një vendim të 28 prillit 1998, ku Ivica Stanishiçi urdhëron organet serbe të sigurisë që t’i fusin nën kontroll këto grupe brenda Serbisë.

Vendimi i Stanishiçit për mobilizimin e vullnetarëve serbë pas thirrjes së JSO-së
Frenki Simatoviç njihet edhe si person që udhëton shumë jashtë vendit, që është jo e zakonshme kjo për njerëzit e shërbimeve sekrete. Në pasaporten e fundit të tij diplomatike, mund të shohim se përveç Greqisë, Qipros, Belgjikes, Austrisë, ai kishte vizituar edhe Anglinë e Amerikën në vitin 1996.

(Kosova Sot)

20 orë e 25 minuta më parë
22/08/18