TV-ja e Devollëve të "Prontos" mjegullon vrasjet e pasluftës - Lajme - Kosova Sot
TV-ja e Devollëve të "Prontos" mjegullon vrasjet e pasluftës

TV-ja e Devollëve të "Prontos" mjegullon vrasjet e pasluftës

SKANDALI I DREJTËSISË KOSOVARE, I DËNUARI ME 30 VJET BURG LEJOHET TË JAPË INTERVISTË, PROKURORIA NUK HETON VRASJET E POROSITURA

Abazi: Baton Haxhiu është po aq rrenc e i rrezikshëm, sa edhe njerëzit që e mbështesin atë!
"Tani qytetarët kosovarë janë të interesuar të dinë si u realizua dhe nga kush u lejua për emetim intervista me dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, një i gjykuar me 30 vjet burg për vrasje, për televizionin e mafiooligarkut të inkriminuar Shkëlqim Devolli dhe drejtorit përgjegjës, Baton Haxhiu, njeri i shërbimeve sekrete. Kjo që ka ndodhur është më zi se tallje e sistemit të drejtësisë në Kosovë, kur lejon një intervistë të tillë në ambientet e burgut, ndërkaq që vetë nuk bën asgjë për të zbardhur të vërtetat e grupeve kriminale me të cilat, siç thotë i burgosuri Mehmeti, kanë pasur bashkëpunim", tha analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Transmetimi i një interviste me dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, një i gjykuar me 30 vjet burg për vrasje, për televizionin e Shkëlqim Devollit, i regjistruar me pronar në parajën fiskale, British Virgin Island, që u realizua në mbrëmjen e 11 janarit, në drejtimin e drejtorit përgjegjës Baton Haxhiu, sipas analistëve, ka shqetësuar shumë opinionin e gjerë publik në Kosovë dhe njëherësh ka ngjallur edhe reagime se si u lejua një intervistë e tillë nga sistemi i drejtësisë, që të realizohet me një dëshmitar të mbrojtur madje, nga një njeri i cili përflitet se është njeri i shërbimeve sekrete. Për më tepër ky rast skandaloz po konsiderohet edhe si një tallje e sistemit të drejtësisë në Kosovë kur lejon një intervistë të tillë në ambientet e burgut, ndërkaq që vetë nuk bën asgjë për të zbardhur të vërtetat e grupeve kriminale, me të cilat siç thotë i burgosuri Mehmeti kanë pasur bashkëpunim. Ai e pranon se ishte pjesëtar i një grupi kriminal, i cili ka kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasjet politike për qëllime të themeluesve të tij. Sipas Shkumbin Mehmetit, për të gjitha krimet kanë qenë të njoftuar edhe SHIK-u dhe Sigurimi i Atdheut, por edhe struktura bashkëpunuese të policisë. Tani me të drejtë,analistët shtrojnë pyetjen se pse Prokuroria Speciale nuk kërkon të gjitha dëshmitë që mund t'i kenë SHIK-u dhe sigurimi i atdheut për këto vrasje? Nga ky rast i freskët,sipas analistëve, vetëm sa fitohet bindja edhe më shumë se me këtë prokurori të kontrolluar nga nëntoka kriminale dhe nga struktura të politikës së inkriminuar nuk ka shans që ndonjëherë të zbardhen krimet e çdoditshme që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos nga viti 1999 e deri me sot, e ku urdhërdhënës për vrasje, likuidime, kidnapime, shantazhe e shumëçka tjetër janë edhe këto figura aktuale politike dhe mafio-oligarkia aktuale, që edhe sot janë në pushtet apo opozitë. Edhe përkundër dërgimit të pyetjeve për Shkëlqim Devollin dhe Baton Haxhiun, ata, si zakonisht, nuk kanë kthyer përgjigje për gazetarin.

Image

Reagojnë familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj

Pas kësaj interviste kanë reaguar së bashku të tri familjet e apostrofuara nga Shkumbin Mehmeti, familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj, e të cilat kanë kërkuar që me urgjencë të fillohet hetimi i të gjitha atyre të dhënave të prezantuara nga Shkumbin Mehmeti. "Dje, më 11 janar 2018, në emisionin "Zona e Debatit" në Klan Kosova, është transmetuar dëshmia e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ku janë dhënë dëshmi tronditëse për krime të pandriçuara në Kosovë. Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve, si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve. Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherësh i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij", thuhet në këtë letër. "Jemi thellësisht të indinjuar që, pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit. Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t'i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t'i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar", thuhet në reagimin e përbashkët të familjeve Zemaj, Tolaj dhe Haklaj.

SALIHAJ: URDHËRDHËNËSIT E KRIMEVE JANË NË KRYE TË SHTETIT!

Ish-deputeti i LDK-së,Adem Salihaj,njëri nga të atakuarit dhe të rrezikuarit me vrasje nga strukturat e SHIK-ut,e vërtetuar me vendim gjykate,thotë se dëshmitë e Shkumbin Mehmetit nuk dolën mbrëmë për herë të parë në opinion dhe befasisht,sepse shumica prej tyre janë publikuar edhe më parë nëpër media të ndryshme,por prokuroria ka heshtur karshi tyre."Të gjitha këto dëshmi janë të njohura për Prokurorinë,policinë dhe gjykatat.Por,ato,në vend që t'i ndjekin kriminelët,e bëjnë të kundërtën,i fshehin dëshmitë dhe krimet,i mbrojnë kriminelët dhe i rrezikojnë edhe më tutje viktimat.Të gjithë ne që kemi qenë viktima të atentateve e tentim-atentateve, edhe sot jemi plotësisht të rrezikuar,sepse jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të tyre. Urdhërdhënësit e krimeve janë në krye të shtetit,ndërsa shteti ynë është tërësisht i kriminalizuar në çdo segment të tij",potencoi ai."Asnjë prej segmenteve të drejtësisë e të shtetit në tërësi nuk është jashtë kontrollit të strukturave të krimit të organizuar. Ndoshta Gjykata Speciale do ta zbardhë një pjesë të vrasjeve politike,por jam i bindur se shumica do të mbeten të pa zbardhura,sepse janë kryer pas 31 dhjetorit 2000",tha Adem Salihaj për "Kosova Sot"

KELMENDI:VEPËR MONSTRUOZE E BATON HAXHIUT, E NDËRLIDHUR DREJTPËRDREJT ME KLANIN 'PRONTO

Prof.Muhamet Kelmendi,veprimtar dhe tani prof.universitar,thotë se mbështetja në deklaratën e Shkumbin Mehmetit,të dënuar me 30 vjet burg për krime të rënda, për emisionin në Klan Kosova,të përgatitur dhe të komentuar nga Baton Haxhiu,mbi përgatitjen e vrasjeve dhe të ngjarjeve është thjesht vepër e KALIT TË TROJËS! "Kjo të bën të dyshosh ashpër te z.Haxhiu për punën që bën.Pse? Sepse moszgjedhja e temave pa parime të punës dhe në kundërshtim me natyrën e shtëpisë mediatike të jep fakte dhe të bën të dyshosh në qëllimet që ka! Çdo gjë e ka një normë të sjelljes dhe një rregull të punës.Baton Haxhiu duhet të tregoi se kujt i shërben! Natyrisht se të përfolurit e dëshmitarit janë vepra të përgatitura me Xhavit Halitin dhe Hashim Thaçin. Ata akuzohen si keqpërdorues të fondit dhe të shkatërrimit të UCK-së! Kuptohet se këtu është një bazë shumë e fortë e emisionit të dhënë mbrëmë.Fakti se dëshmitari Mustafa thotë se SHIK-u e ka ditur rastin,është fakt i bollshëm për të nënkuptuar qëllimin. Krahas kësaj,me emisionin e bërë,ka për qëllim Batoni të tregojë pabesueshmërinë e dëshmitarëve të të gjitha niveleve,në mënyrë që të ndikojë negativisht në popull dhe gjykatat të humbin kredibilitetin.E tërë kjo për një qellim: përfitime financiare.Ndërsa, sistemi juridik,para kompanisë 'Devolli',si dhe Klan Kosovës,del qesharak dhe tejet injorativ.Thjesht është vepër monstruoze e Baton Haxhiut,e ndërlidhur drejtpërdrejt me klanin 'Pronto', Xhavit Halitin dhe kompaninë 'Devolli'.Këta e dinë se punën e kujt janë duke e bërë aktualisht",tha prof.Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".Në anën tjetër, analisti Reshat Badallaj i tha gazetës se ai shpeshherë ka thënë që Kosova është e shitur dhe se është në dorën e bandave të mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale të bandave serbiane,siç është banda vrastare 'Devolli' dhe Baton Fazliu,që sipas tij punon me direktiva dhe me leje të Beogradit.Sipas tij,një dëshmitar i mbrojtur nuk mund të japë një intervistë të tillë.

Image

Kelmendi sulmon marionetat e Serbisë

Reagim i ashpër ka ardhur edhe nga Ibrahim Kelmendi, i cili është zënë shumë në gojë nga i dënuari Shkumbin Mehmeti. Fillimisht Kelmendi mbetet shumë i habitur se si u realizua një intervistë e tillë, si u lejua ajo nëse bëhet fjalë për dëshmitar të mbrojtur të Prokurorisë. Sidoqoftë ai thotë se kjo megjithatë ka qenë me qëllim të hakmarrjes në rend të parë kundër Ibrahim Kelmendit."Nuk di të përgjigjem si është realizuar dhe kush e mundësoi intervistën me vrasësin Shkumbin Mehmeti (tashmë i dënuar për vrasje), por mendoj që emetimi i kësaj "interviste" ishte edhe një si hakmarrje kundër meje, për demaskimin që u bëra komplotistëve Hashim Thaçi e Baton Haxhiu, që u angazhuan për të shpërdoruar Kuvendin me blic aksion për ta zhvlerësuar "gjykatën speciale". Ky emision është edhe një dëshmi më shumë, në cilat përmasa janë kapur institucionet e Kosovës nga marionetat e Serbisë", tha Ibrahim Kelmendi për 'Kosova Sot'. Sipas tij, ky rast dëshmon përfundimisht se sistemi i drejtësisë nuk po tallet, por po ofron dëshmi, si e kanë "tredhur" marionetat e Serbisë. "Vetëkuptohet, nëse prokuroria dhe hetuesia janë të kapura nga krimi i organizuar, që ka uzurpuar edhe pushtetin, nuk mund t'i zbardhin krimet, sepse nuk lejohen t'i zbardhin… Emetimi i kësaj "interviste" pikërisht në kohën kur krye-komplotistët ThaçiHaxhiu po insistojnë e realizojnë komplotin në tentativë, kundër Shtetit të Kosovës, duke shpërdoruar Kuvendin e Kosovës për ta shfuqizuar "Gjykatën Speciale", është dëshmi logjike se po krijohet mjegull që të mos shihen angazhimet e marionetave të Serbisë dhe të mos zbulohen vrasjet e pasluftës, të cilat duhet të jenë urdhëruar nga institucionet e Serbisë (duke i kamufluar si urdhër dhënie të shqiptarëve)", theksoi Kelmendi. "Vrasjet e pasluftës duhet të kenë pasur për qëllim kryesor përçarjen e popullatës. Tashmë, kur po nuhatet mundësia e zbardhjes së tyre edhe përmes "Gjykatës Speciale", po synohet prodhim mjegulle, që të mos zbulohen autorët vërtet urdhërues dhe dorasit", shtoi më tutje ai."Fatkeqësisht po mungon informimi, kush dhe përse e ka imponuar "Gjykatën Speciale". Akuza e Serbisë edhe përmes raportuesit serbofil e antiamerikan Dik Marty, për tregtim të organeve të robërve serbë të luftës nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte vendimtar që Këshilli Evropian të vendoste për formim të gjykatës që do të shqyrtonte atë akuzë. Uroj që ajo gjykatë të merret edhe me zbardhje e gjykim të vrasjeve të pasluftës, që të mos kenë mundësi t'i shpërdorojnë ato marionetat e Serbisë, si rasti i mbrëmshëm me emetim të "dëshmive" nga Baton Haxhia", tha Kelmendi. 

Dëshmia që e arsyeton Specialen

Me shqetësim të madh dhe kërkesa që të aktivizohet pa hezitim prokuroria e shtetit në zbardhjen e së vërtetës pas kësaj interviste janë deklaruar edhe analistët politik të cilët thotë se kjo dëshmi vetëm sa e arsyeton mjaftueshëm nevojën që Kosova ta ketë një Gjykatë Speciale për krimet që janë bërë këtu."Kosova ka pasur nevojë për një gjykatë speciale, e cila së paku shpresohet se nuk do të korruptohet nga mafio-oligarkët e inkriminuar", u shpreh analisti Ragip Guraziu. Sipas tij, me këtë prokurori që ka Kosova, kurrë nuk do të ketë sundim të ligjit dhe kurrë nuk do të zbardhen as vrasjet, as krimet ekonomike e as marrëveshjet kriminale të monopoleve, të cilat vazhdojnë për afro 10 vite e askush nuk jep dhe askush nuk kërkon përgjegjësi. "Kosova me këtë klasë politike, po dëshmon se është një shtet i MAFISË, tërësisht i inkriminuar në krim të organizuar dhe ku nëntoka kriminale udhëheq këtë shtet dhe institucionet në të tria pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit", vijoi më tutje ai."Tani qytetarët kosovarë janë të interesuar si u realizua dhe nga kush u lejua për emetim intervista me dëshmitarin e mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, një i gjykuar me 30 vite burg për vrasje, për televizionin e mafio- oligarkut të inkriminuar Shkëlqim Devolli dhe drejtorit përgjegjës Baton Haxhiu, njeri i shërbimeve sekrete. Kjo që ka ndodhur është më zi se tallje sistemit të drejtësisë në Kosovë kur lejon një intervistë të tillë në ambientet e burgut, ndërkaq që vetë nuk bën asgjë për të zbardhur të vërtetat e grupeve kriminale me të cilat siç thotë i burgosuri Mehmeti kanë pasur bashkëpunim, njëri prej të cilave grupe ishte vetë Shkumbin Mehmeti, që e pranon se ishte pjesëtar i një grupi kriminal, i cili ka kryer krime të shumta pasluftës, përfshirë edhe vrasje politike për qëllime të themeluesve të tij", tha Guraziu."Sipas Shkumbin Mehmetit, për të gjitha krimet kanë qenë të njoftuar edhe SHIK-u dhe Sigurimi i Atdheut, por edhe struktura bashkëpunuese të policisë. Tani të gjithë duhet të pyesim e të presim përgjigje pse Prokuroria Speciale nuk kërkon të gjitha dëshmitë që mund t'i kenë SHIK-u dhe Sigurimi i Atdheut, këtë pyetje kishin për ta shtruar gjithë qytetarët e Kosovës, që me këtë prokurori të kontrolluar nga nëntoka kriminale dhe nga struktura të politikës së inkriminuar nuk ka shanse që ndonjëherë të zbardhen krimet e çdoditshme që kanë ndodhur në Kosovë, sidomos nga viti 1999 e deri më sot, e ku urdhërdhënës për vrasje, likuidime, kidnapime, shantazhe e shumëçka tjetër janë edhe këto figura aktuale politike dhe mafio-oligarkia aktuale, që edhe sot janë në pushtet apo opozitë", potencoi ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot) 

7 orë e 1 minuta më parë
19/07/18