Uji dhe ajri i pastër tërheqin vizitorët në Delloc (Foto)

  • 19 January 2018 - 18:11
Uji dhe ajri i pastër tërheqin vizitorët në Delloc (Foto)

KURBETI MORI ME VETË SHUMË BANORË, POR JETA PO KTHEHET SËRISH

Posa të kalohen banimet e fundit të fshatit Mushtisht të Suharekës në drejtim të bjeshkës në veri fillojnë disa shtëpi të fshatit Delloc. Fshati është i njohur për shkak të shumë reprezaljeve që serbët e atij fshati patën bërë. Por, familjet shqiptare në këtë frymë atdhetare u frymëzuan edhe më shumë ta duan Kosovën. Kështu, ende ndër këto fshatra jehon kënga për vrasjen e Spir Dellocit, që aq shumë të këqija u kishte bërë shqiptarëve, sidomos në fshatin Kabash, i cili pati prerë 100 burra të Kabashit. Por, pastaj ishte heroi shqiptar Sali Shabani që e vrau Spir Dellocin. Këto mbetën pjesë e historisë. Sot fshati Delloc është pa serbë. Atje jetojnë 19 familje shqiptare që mbijetojnë me kurbet, e disa edhe kultivojnë bagëti. Por, ajo që e dallon këtë fshat janë begatitë e shumta. Nezir Osmani, tregon për gazetën "Kosova Sot" se janë tri krojet e Dellocit, ku atje vijnë mijëra njerëz verë e dimër dhe marrin ujë të shërueshëm e shumë të shëndetshëm. Osmani thotë se verës ka aq shumë pemë, saqë kushdo që shkon ka për t'u ushqyer me pemë bio. Uji i këtyre trojeve ka pastërti të kristaltë. Ajri i këtushëm është shumë i shëndetshëm, dhe për këtë arsye njerëzit e vizitojnë shumë këtë lokacion.

Image

Pishat shekullore 

Në Delloc ka pasur një mini hidrocentral të vogël, e atë e kanë shfrytëzuar për energji elektrike. Por, sot atje shkohet për ujë dhe ajër të pastër. Osmani thotë se ajo që e dallon këtë fshat janë pishat shekullore. Trungjet e pishave atje tashmë janë vënë nën mbrojtjen shtetit dhe ato tashmë mbrohen me ligjet në fuqi. Flladi i këtyre trungjeve verës përshëndet udhë- tarët që kalojnë pranë tij..."Kjo madhështi lindi nga flijimi i një foshnjeje në këtë grykë. Pisha madhështore, që populli e mbron, i shërben dhe e respekton si të ishte një gjë e gjallë, këtë monument natyror me shumë vlera". Këto janë fjalët e shkruara në formën e një shkrimi, në një kornizë të varur në pemën e pishës, si një rrëfenjë për ata që ndalojnë për herë të parë dhe shijojnë freskinë, ujin dhe natyrën e bukur që rrethon këtë pishë mbi 100- vjeçare. Pisha ka hapur degët e tij në një fushë të madhe dhe pret çdo kalimtar të rastit, por edhe të fshatrave përreth për t'u ulur nën hijen e saj, si dhe për të shijuar ujin e ftohtë që rrjedh shumë pranë tij.

Image

Shumica e banorëve ndodhen në kurbet 

Njëri nga këto trungje tashmë supozohet se ka mbi një shekull. Nezir Osmani, duke folur për trashëgiminë e këtij fshati, tregon se fshati është një nga pikat e rëndësishme turistike. "Tani, këtu vijnë nga e gjithë Kosova dhe takohen njerëz familjarë për të rikujtuar edhe këtë fshat të dikurshëm, sepse banorët shumica ndodhen në kurbet", tregon Osmani për gazetën "Kosova Sot". Fshati Delloc, tashmë është bërë edhe një fshat i pushimeve dhe atje tashmë shumë familjarë kanë filluar të ngrenë edhe shtëpi pushimi. Dikur ky fshat kishte më shumë banorë, por shumica e këtyre banorëve, për shkak të kushteve që dikur ishin të vështira të jetohet, janë shpërngulur në vende të rrafshëta. Shumë banorë të këtushëm thuhet se tashmë jetojnë edhe në fshatin Zojz të Përdrinisë. Ka shumë legjenda për ujin e Dellocit dhe shëndetin që ai ujë ua fal njerëzve. Nga shkëmbi rrjedh një burim me ujë të ftohtë, i cili nuk shteron asnjëherë. Vendasit, këtë burim uji e kanë quajtur Burimi i Sipërm ose Burimi i Madh. Ka shumë histori për këtë burim.

Image

 

(Kosova Sot)