"Neutraliteti", i Shpend Ahmetit!

  • 21 January 2018 - 19:08

Kryetari i Prishtinës ka shkuar për të votuar për kryetar të Vetëvendosjes, në një përpjekje për t'u paraqitur si neutral. Deri më sot ai është munduar të mos identifikohet as me krahun e Albin Kurtit, as me atë të Dardan Molliqajt - ndonëse ka thënë se nuk e përkrah platformën e Kurtit për kryetar.

Në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje për të zgjedhur kryetarin e saj ka votuar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti. 

Një fotografi është publikuar në rrjetet sociale, ku Ahmeti shihet duke votuar në njërin prej vendvotimeve të Vetëvendosjes.

Albin Kurti është i vetmi kandidat për kryetar të Vetëvendosjes. Në fletëvotim janë opsionet “për”, “kundër” dhe “abstenoj”.

Në zgjedhjet e sotme nuk janë parë duke votuar disa prej të pakënaqurve me zhvillimet brenda VV-së.

Por, përkrahësit e Albin Kurtit kanë njoftuar se e kanë kryer obligimin, duke votuar për liderin e ardhshëm trevjeçar të Partisë. 

Kanë bërë thirrje të dalin edhe të dorëhequrit e deritashëm me në krye ish-Kryetarin Visar Ymeri.

Por, thirrjen edhe të Kurtit nuk e kanë dëgjuar të dorëhequrit.

Deri tash asnjëri prej tyre nuk ka dalë të votojë - as Dardan Molliqaj, as Dardan Sejdiu, as Dukagjin Gorani, as Driton Çaushi, as Shqipe Pantina, as Aida Dërguti, as Shkodran Hoti, e as Zgjim Hyseni. 

Të gjithë të larguarit nga pozitat udhëheqëse në VV kanë deklaruar se mbesin anëtarë të partisë. Rrjedhimisht kanë të drejtë edhe të votojnë.

Në gjithë këtë situatë, Albin Kurti, kandidati i vetëm për Shef të Partisë, u ka bërë thirrje të dorëhequrve të votojnë.

Madje, kohë më parë, Kurti kishte kërkuar rikthimin e tyre në Parti. Kishte premtuar se nuk do të hakmerrej ndaj tyre.

Por, Visar Ymeri, ishte përgjigjur negativisht Kurtit. Kishte thënë se Albin Kurti nuk po pranon gabimet. E ka akuzuar se nuk është distancuar nga linçuesit derisa ka deklaruar se Kurti e sheh veten të shenjtë dhe kërkon nënshtrim.

Problemet në Lëvizjen Vetëvendosje dolën para një muaji kur Aida Dërguti, në një komunikim në viber, i drejtohet Kurtit si mut. Pas kësaj, filloi fushata linçuese ndaj saj duke thënë se ajo është pjesë e SHIK’ut bashkë me Dardan Molliqajn e Dukagjin Goranin.

(Kosova Sot)