Veseli ia gjuan "pataten E NXEHTË" HARADINAJT

  • 24 January 2018 - 08:02
Veseli ia gjuan

LOJA E PISTË ME GJYKATËN SPECIALE

Thaçi, në prapaskenë, nxit konflikt mes partnerëve në Qeveri 

Pas dështimit në Kryesinë e Kuvendit, që të thërrasë në seancë plenare dhe ta rendit për shqyrtim dhe votim nismën e 43 deputetëve për plotësim- ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale, një ditë më parë, Kryesia vendosi që po atë iniciativë të deputetëve të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ta përcjellë në dorë të Qeverisë. Analistët politikë vlerësojnë se tani jorastësisht kjo temë e nxehtë i është dërguar kabinetit "Haradinaj" dhe se ka qenë një shpresë e kotë e Haradinajt,që procesin e iniciativës së deputetëve ta kryente Kuvendi i Kosovës, pa e implikuar ekzekutivin. Analistët vlerësojnë se tani këtë lojë perfide me Specialen po e luajnë qëllimisht si pingpong Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, për ta djegur dhe për ta minuar shpejt Qeverinë "Haradinaj" dhe për ta dërguar vendin në zgjedhje të reja në pranverën e hershme të këtij viti. Kjo lojë pingpongu Parlament-Qeveri, sipas analistëve politikë, po e tregon joseriozitetin e politikanëve aktualë që udhëheqin vendin tonë, që po mundohen t'ia gjuajnë topin njëritjetrit, për të dalë të larë në tërë këtë aventurë të rrezikshme, që duket se ende nuk ka përfunduar. Sidoqoftë, pavarësisht epilogut, analistët vlerësojnë se lidershipi politik kosovar duhet ta ketë të qartë se tashmë asnjëri prej tyre nuk mund t'i lajë duart e tyre të pista, e të shfaqet si i pafajshëm në këto zhvillime kundër bashkësisë ndërkombëtare, që po e rishfaqin Kosovën për të keq në titujt e medieve botërore. Është e pafalshme që në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën, në të cilën ka hyrë shteti ynë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë, të vihen në pikëpyetje partneritetet serioze dhe marrëdhëniet e rëndësishme që ka Republika e Kosovës me shtetet mike të BE-së dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa edhe këto 30 ditë në pritje, sërish do të jenë 30 ditë drame për qytetarët e Kosovës, të inskenuara artificialisht e për nevoja të politikës së papërgjegjshme edhe karshi qytetarëve të vendit, por edhe karshi miqve ndërkombëtarë.

Image

Kryesia kundër kryeministrit

Politologu Gurakuç Kuçi i ka pohuar gazetës se Kryesia e Kuvendit, shumica e saj, ka një përbërje me disponim politik kundër Haradinajt, prandaj edhe me këtë veprim duan ta djegin keq kryeministrin, duke e sprovuar jo vetëm me Gjykatën Speciale, por edhe me çështjen e Demarkacionit, ngase, përveç procedimit të nismës ligjore në Qeveri, Kryesia ka vendosur që deri më 20 shkurt të pezullojë edhe vizitat e deputetëve jashtë vendit. "Mund të jetë ky një skenar i paramenduar, ngase pritet që deri në atë datë Demarkacioni dhe Gjykata Speciale të mbeten çështjet kryesore, të cilat edhe e kanë shtyrë Kryesinë të marrë këtë vendim, që në rast se këto të dyja procedohen për në Kuvend, deputetët të jenë prezentë dhe të formohet kuorumi për të votuar pro ose kundër", tha ai. "Kryesia e Kuvendit ka një përbërje anti-Haradinaj, nuk ka asnjë përfaqë- sues nga AAK-ja dhe Nisma, tani për tani ka një përbërje të plotë që nuk janë pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, dhe përmban po ashtu një shumicë pro votimit të Demarkacionit sipas marrëveshjes aktuale. Pra, për momentin, qeverisja 'Haradinaj' është në shah dhe shpejt do ta ketë edhe shah-mat. E kemi thënë edhe më herët që Haradinaj ka një ekip të padijshmish për politikë dhe kjo po vërtetohet, sepse ndryshe nuk do të kishin lënë të bjerë në pozita të tilla", potencoi Kuçi. "Tani, çështja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale iu hodh Qeverisë, e cila nëse e procedon ka zemërimin ndërkombëtar, nëse nuk e procedon ka zemërimin e brendshëm, një epilog duhet t'i jepet, ashtu edhe Demarkacionit një epilog duhet t'i jepet, asnjëra nuk i kanë votat të kalojnë. Çdo epilog i tyre ka rrethanat që nuk janë në favor të qeverisjes aktuale, dhe deputetët u urdhëruan që të mos largohen nga vendi deri me 20 shkurt, gjë që nuk besoj se do të kemi qeverisjen e njëjtë edhe pas 20 shkurtit", vlerësoi ai për "Kosova Sot". 

Image

Politika blen kohë 

Mendim të ngjashëm ndan edhe Blerim Burjani. Analisti e kritikon ashpër këtë pingpong politik. "Qeveria aktuale s'ka asnjë sugjerim nga Kuvendi çfarë të bëjë? Sikur Qeveria të kishte një mandat të ri të ndryshojë Ligjin për Specialen, atëherë kishte pasur ndonjë kuptim që i është kthyer Qeverisë, por ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve mund t'i bëjë edhe Kuvendi, pra deputetët. Sidoqoftë, kjo është blerje kohe, taktizim politik , dhënie përparësi diplomacisë, arritjen e marrëveshjeve dhe kompromiseve politike nga grupet parlamentare", u shpreh ai. "Situata është e tensionuar, ekziston një shqetësim i madhe ndërkombëtar dhe kjo mund të prish balancën e raporteve në disa dimensione, prandaj në këto momente kërkohet fleksibilitet politik, kompromis politik", tha Burjani për "Kosova Sot". Sipas tij, Qeveria ka dy rrugë tani, të japë mendim të vetin ose të amendamentojë dhe të dërgojë në Kuvend nismën. Burjani nuk e përjashton rrëzimin e Qeverisë në këtë rast. Ndërsa analisti politik Gani Qarri thotë se pas dështimeve të përsëritura të Kryesisë së Kuvendit, siç thuhej, në mungesë kuorumi, që nga "nata më e rrezikshme" për Kosovën dhe tentativa e 22 dhjetorit, kur u provua të shfuqizohej Ligji për Gjykatën Speciale, të miratuar dy vjet më parë, loja me "thikë pas shpine", nën presionin e jashtëzakonshëm nga jashtë, ka një kthim prapa. "Kështu që, kryeqeveritari më kot ka shpresuar se kërkesës së deputetëve do t'u jepte përgjigje Kuvendi i Kosovës, ngase partnerët kryesorë në qeverisje, proceduan këtë lëndë në atë mënyrë, saqë të lënë përshtypjen se sa i takon iniciativës së 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, asgjë nuk ka përfunduar dhe ajo vetëm sa është transformuar institucionalisht e hedh si 'patate e nxehtë' në duar të kryeministrit për ta nxjerrë të palarë Qeverinë dhe për ta djegur e "për ta përvëluar" mundësisht sa më tepër Ramush Haradinajn", theksoi ai. Sipas Qarrit, kjo dëshmon edhe një herë më tepër se, përderisa Serbia shfrytëzon çdo situatë për të përshkallëzuar veprimet e saj djallëzore në veri të Kosovës, treshja e musketarëve të rebeluar, e pabrengosur për ato që ndodhin në vend, vazhdon lojën e pingpongut me joseriozitetin e skajshëm të politikanëve aktualë, duke mbajtur në "fuqi" dhe duke bërë përsëri pjesë të rendit të ditës shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, por tanimë të katapultuar nga mbledhjet pa kuorum të Kuvendit në mbledhjet e radhës të Qeverisë së Kosovës.

Veprime skandaloze

Qarri thotë se me gjithë përpjekjet për t'ia gjuajtur topin njëri-tjetrit,dhe tendencat për të nxjerrë vetveten të larë nga e gjithë kjo aventurë e ndyrë, që duket se ende nuk ka përfunduar, lidershipi kosovar tashmë e ka të qartë se asnjëri prej tyre nuk mund t'i lajë duart aq lehtë dhe të shitet si i pafajshëm në krejt këto zhvillime të paprecedent kundër bashkësisë ndërkombëtare, prishjes së marrëdhënieve me miqtë tanë më të mëdhenj dhe rrezikimin e interesave të vendit, me rishfaqjen e Kosovës për të keq edhe në titujt kryesor të medieve botërore. "Veprimet e tilla joserioze të politikanëve aktualë dhe ndërmarrja e hapave kaq skandalozë të udhëheqësve kryesorë të vendit, nëse edhe tani nuk reflektojnë, nuk tregojnë pendesën më të vogël, as ndalojnë ato menjëherë, jo vetëm se janë për çdo dënim, por edhe mbeten tërësisht të pafalshme, përderisa edhe në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën, në të cilën ka hyrë shteti ynë në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së vet, nga ata vazhdojnë të vihen në pikëpyetje partneritetet e sinqerta dhe marrëdhëniet jetike që ka Republika e Kosovës me shtetet mike të BE-së, e sidomos ato me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", theksoi analisti Qarri. "Siç dihet tanimë, përkundër të gjithave sa ata kanë ndërmarrë, përpjekjet e tyre tendencioze janë të dështuara që në fillim, ngase Gjykata Speciale jo vetëm se është fakt dhe realitet që nuk zhbëhet, edhe nëse krerët e papërgjegjshëm të Kosovës arrijnë ta shfuqizojnë ligjin e saj, përmes deputetëve joseriozë të Parlamentit të degraduar, por pak ditë më parë, përveç këshillave dashamirëse për të hequr dorë nga kjo aventurë e rrezikshme për vendin, nga përfaqësues legjislativë të SHBA-së erdhën e vijnë porosi shtesë dhe sqarime të prera, se fajtorët me apo pa shfuqizim të këtij Ligji, do të arrestohen dhe do të dërgohen atje ku e kanë vendin', tha ai për "Kosova Sot". Sipas Qarrit, megjithëse Qeveria ka edhe një muaj kohë për ta rikthyer në Kuvend Projektligjin e Gjykatës Speciale.

Image

Lojë e bandave

Analisti politik Ali Hertica thotë se kjo është loja më e çoroditur që është luajtur ndonjëherë nga kjo klasë politike, e cila, nëse gabon dhe ndërhyn në këtë ligj, do ta shndërrojë shtetin në geto të izoluar ndërkombëtarisht, prandaj rruga më e mirë është shpërbërja e Qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të reja, sepse këta vetë e kanë kërkuar këtë Gjykatë Speciale. "Gjatë kohës kur zhvilloheshin bisedimet në Bruksel u mor edhe vendimi lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale nga institucionet e Kosovës. Diplomatët ndërkombë- tarë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, ShBA-së, të shteteve të Quint-it, si dhe miqtë e shtetit të Kosovës kishin kërkuar nga ishkryeministri Thaçi dhe të gjitha instancat e shtetit të Kosovës, se e vetmja zgjidhje për të adresuar pretendimet e ngritura nga senatori zviceran në raportin e paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, lidhur me supozimet për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, ishte themelimi i një Gjykate Speciale nga Kuvendi i Kosovës. Tani, një pjesë e deputetëve që dhanë bekimin e hyrjes në fuqi të kësaj Gjykata sikur janë kthyer në patriotizëm për të mos lejuar funksionimin e saj, ku tani e kanë dërguar si 'patate të nxehtë' sfiduese për kryeministrin Haradinaj", tha Ali Hertica. Lojë me rrezik të bandave kriminale e quan këtë pingpong edhe analisti Reshat Badallaj. "Qeveria, Kuvendi, bandat politike të Kosovës kanë filluar lojën e pistë kundër miqve ndërkombëtarë, që është e dëmshme për vendin tonë dhe jo vetëm e dëmshme, por edhe shumë e rrezikshme. Tani, disa prej tyre që e kanë parë budallallëkun e tyre këtë kanë vendosur t´ia lënë si kopilin në derë Qeverisë së Kosovës dhe pikërisht Ramush Haradinajt. Dhe, me kësi rrokadash që kanë filluar, kjo është aspak serioze vetëm zhagitje në dëm të vendit…Po këta matrapazë harrojnë se bjeshka nuk shtyhet me gjoks. Pisllëqeve të tyre u ka ardhur fundi dhe i ka kapur frika nga kjo Gjykatë Speciale dhe se që nga mëngjesi deri në darkë janë të mbushura gazetat që kanë emër me pisllëqet e tyre, me hajni, ryshfete, krim të organizuar të kanaleve të nëntokës kriminale, që i kanë dhënë emër të keq vendit", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Arsim Haziri nuk e përjashton edhe mundësinë që politika të shkojë deri në fund dhe pa pyetur për çmimin ta voton çmontimin e Speciales dhe për pasojë acarimin e raporteve më ndërkombëtarët. "Deri më tani çdo qeverisje i ka zhagitur dhe neglizhuar proceset vitale. Ndërsa Tribunali ndërkombëtar, i cili erdhi si rezultat i supozimeve të senatorit zviceran, është munduar të zhbëhet pikërisht nga ata që mundoheshin me çdo kusht që kjo Gjykate të jetësohej", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas tij, tashmë kur është nënkuptuar se subjekt të kësaj Gjykate do të jenë edhe disa "institucionalistë", janë vënë në tendenca të radhës për të shfuqizuar juridikisht, por kjo është e pamundur. 

(Kosova Sot)