Ligjet i diktojnë të fortët e politikës DHE GRUPET MAFIO-KRIMINALE - Lajme - Kosova Sot
Ligjet i diktojnė tė fortėt e politikės DHE GRUPET MAFIO-KRIMINALE

Ligjet i diktojnė tė fortėt e politikės DHE GRUPET MAFIO-KRIMINALE

MESAZHI I AMBASADORIT AMERIKAN PO INJOROHET NGA ZYRTARËT KOSOVARË

Gjatë konferencës vjetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës "Përmirësimet dhe sfidat e gjyqësorit të Kosovë dhe propozimet për zgjidhje", të mbajtur më 2 dhjetor 2017, ambasadori amerikan, Greg Delawie, në fund iu pati drejtuar të pranishmëve të sistemit të drejtësisë duke ua bërë të dituar atyre se sistemi është akoma larg funksionimit të duhur e të pavarur dhe kjo dobësi ndikon edhe në vetë suksesin e shtetit si strukturë."Për Kosovën përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendi, të vendit tuaj si shtet. Prandaj, gjatë marrjes së vendimeve në punë, mbajeni mend se paanshmëria, besnikëria ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit nuk janë vetëm koncepte abstrakte, por janë tepër thelbësore për suksesin e Kosovës. Ju jeni ata që do të vendosni në çfarë shteti do të jetoni, ju dhe fëmijët tuaj. Llogaris në ju. Por, ç'është më me rëndësi, pothuajse dy milionë qytetarë të vendit tuaj gjithashtu llogarisin në ju". Njohësit e kësaj fushe dhe analistët politikë mendojnë se këto mesazhe ndërkombëtare akoma nuk po merren seriozisht nga bartësit kryesorë të përgjegjësive në këto institucione, sepse akoma prokurorët dhe gjyqtarët në Kosovë janë nën ndikimin e plotë nga politika dhe nëntoka kriminale, paanshmëria dhe besnikëria ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit janë koncepte abstrakte dhe si të tilla po kontribuojnë në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, duke mos lejuar kështu që në këtë shtet të ketë sundim të mirë- filltë të ligjit, e jo të 'Maliqit'. Duke qenë të varur nga politika skajshmërisht, prokurorët dhe gjyqtarët nuk po i përfillin edhe as vërejtjet e ambasadorit amerikan, shteti i të cilit ka investuar e kontribuar më së shumti për sistemin e drejtësisë, mirëpo prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë injorojnë faktin se përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendit, por njëkohësisht injorojnë edhe faktin se dy milionë qytetarë të vendit llogarisin në ta, për ta kthyer sundimin e ligjit në këtë shtet. 

Image

Politika fajtore

Sipas Naim Miftarit, njohës i mirë i kësaj fushe, shteti e tregon seriozitetin e vet pikërisht me atë se sa në atë shtet zbatohen ligji dhe rendi dhe nëse mungon serioziteti i zbatimit të ligjit, atëherë tregohet shtet i lig dhe joserioz, një dobësi me të cilën për fajin e ndikimit të politikës po identifikohet tash e gati dy dekada është Kosova. "Sa i përket kritikes serioze që ua bëri ambasadori amerikan me të drejtë organeve të drejtësisë, kur më 2 dhjetor 2017 iu drejtua të pranishmeve të sistemit të drejtësisë, duke u thënë se për Kosovën përparimi në sistemin e sundimit të ligjit do ta përkufizojë suksesin e këtij vendi, të vendit tuaj si shtet, prandaj gjatë marrjes së vendimeve në punë i porositi të mbajnë në mend se duhet të jenë në funksion paanshmëria, besnikëria ndaj ligjit dhe Kushtetutës, si dhe aplikimi i barabartë i ligjit nuk janë vetëm koncepte abstrakte se janë elementet tepër thelbësore për suksesin e Kosovës, ky ka qenë një mesazh i fortë dhe shumë i fuqishëm i një miku ndërkombëtar", u shpreh ai."Kjo dëshmon se ambasadori amerikan e di shumë mirë se pa funksionim ligji në një shtet nuk do të ketë kurrë përparim në atë dhe se aty sundojnë vetëm mafia, kaosi dhe politika e korruptuar. Por, megjithëse ambasadori amerikan dha mesazh të qartë, prapëseprapë këta gjyqtarë dhe prokurorë të sotëm e kanë të zënë bishtin me derë dhe nuk po guxojnë të veprojnë ndryshe, edhe po të duan të merren seriozisht me luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit zyrtar politik, pasi këta prokurorë dhe gjyqtarë janë lodra politike dhe sidomos lodra të parasistemeve politike dhe të krimit të organizuar. Vetëm trysnia serioze e forcave progresive politike vendore të pakorruptuara dhe trysnia serioze e Ambasadës amerikane mund të vërë rend dhe rregull sot në Kosovë", potencoi Miftari për "Kosova Sot". 

Image

Standardi i dyfishtë para ligjit

Sipas analistit Florim Zeqa, për prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar paanshmëria dhe besnikëria ndaj ligjit, si dhe aplikimi i barabartë për të gjithë qytetarët, janë koncepte abstrakte dhe nocione të panjohura! Kjo për arsye se prokurorët dhe gjyqtarët prej kohësh i janë nënshtruar shantazhit të politikës dhe nëntokës kriminale. "Kështu, në vend të mbrojtjes së shtetit dhe qytetarëve nga kriminelët, janë shndërruar në rrënues të tij, duke bërë që në këtë shtet të mjerë të Kosovës të mos ketë sundim të ligjit, por vetëm të 'Maliqit', që i bie se ligjet i diktojnë të fortët e politikës dhe grupet mafio-kriminale. Gjyqtarët e kapur dhe ngulfatur nga bosët e politikës dhe të nëntokës kriminale janë shndërruar në mospërfillës dhe mosmirënjohës edhe ndaj këshillave të miqve ndërkombëtarë, në veçanti ndaj SHBA-së, shtetit i cili ka investuar shumë për lirinë e vendit tonë, e po ashtu edhe në përmirësimin e sistemit të drejtësisë", tha Zeqa për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti politik Gani Asllani po ashtu pohon se ngecja në këtë fushë dhe mospërfillja e mesazheve në raport me ndërkombëtarët vjen si pasojë e dirigjimit dhe kapjes së ashpër të drejtësisë nga politika. "Problemi kryesor që ka sistemi i drejtësisë në Kosovë është emërimi i njerëzve partiakë në secilën hallkë të sistemit gjyqësor. Kjo është sëmundje e secilit sistem tranzitore dhe po manifestohet edhe në Kosovë. Njerëzit partiakë nëpër pozitat e gjyqësorit janë garanci për keqbërësit dhe ata që e shkelin ligjin se janë të paprekur", u shpreh për "Kosova Sot" Asllani.

Image

Shteti mbron të korruptuarit

Sipas analistit Skënder Kapiti, prokurorët, gjyqtarët, politika dhe pushtetarët në Kosovë në aleancë të plotë me krimin dhe me korrupsionin janë mafio-oligarkia, të cilët kanë sfiduar dhe kapur shtetin, kanë pronësuar drejtësinë dhe bëjnë gjithçka që duan me atë që nuk është as e tyre."Ata spekulojnë rëndë me ligjin, me të drejtat e njeriut, me të drejtën shtetërore dhe madje edhe me moralin. Kjo shtresë parazitare e forcuar me pushtet, e armatosur me ligj dhe me pasuri dhe me para kujtojnë se janë mbi gjithçka. Këta janë ngjitur dhe kanë hipur shumë lart, në maje të piramidës së krimit, të paligjshmërisë dhe të korrupsionit dhe gënjejnë veten se atje janë të sigurt, por kur do të fillojnë t'i lëkunden themelet e kësaj piramide ata do të fillojnë të bien dhe do të vriten e dëmtohen shumë rëndë, ashtu siç thotë një proverb kinez: se sa më lart të ngjitesh, aq më shumë do të vritesh kur të rrezohesh", tha Kapiti për "Kosova Sot". Edhe analisti Naim Kelmendi konsideron se derisa nuk tregohet vullnet politik, i politikës në pushtet, për t'i larguar duar e pista nga drejtësia, për ta lënë atë të veprojë e pavarur dhe krejtësisht në baza profesionale, as nuk do këtë drejtësi efektive dhe as shtet të së drejtës."Fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafiooligarkët e që këta mafio- oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo në nivelin lokal. Tani mbase dhe duke qenë të emëruar kundërligjshëm ndodh që prokurorët në Kosovë, në shumicën e rasteve të kallëzimeve penale, i hedhin poshtë pasi ato t'i mbajnë në një heshtje të gjatë e me motivin se nuk ka pasur bazë të veprimeve ligjore pa asnjë argument", vlerësoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, varianti tjetër i mosveprimit është deri në lënien e lëndëve që të parashkruhen nëpër sirtarë. 

(Kosova Sot)

6 orë e 48 minuta më parë
20/02/18