Lista Srpska shtyn seancën për ratifikimin e demarkacionit?

  • 17 February 2018 - 20:34
Lista Srpska shtyn seancën për ratifikimin e demarkacionit?

Qeveria në mbledhjen solemne për 10-vjetorin e Pavarësisë, i ka dhënë aprovimin deklaratës së përbashkët të presidentëve të Kosovës e Malit të Zi. Por seanca për demarkacionin nuk do të mbahet nesër, ashtu siç ishte paralajmëruar.

Votat e deputetëve të Listës Serbe, ministrat e të cilës nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë, edhe një herë tjetër do të jenë vendimtare.

Se nuk janë votat, ka thënë vetë kryeministri Ramush Haradinaj.

“Koalicioni qeverisës 61 vota i ka por besoj e dini se marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me 2/3 e votave që nënkuptojnë 80. Besoj se kur të jemi në seancë se seanca mund të mbahet edhe javën që vjen, jo nesër do të jenë votat. Gjatë javës besoj shumë se do të jenë votat”, tha Haradinaj.

Pas paralajmërimit për shtyrjen e seancës, një gjë e tillë është konfirmuar më vonë, me një kërkesë që kryeministri Haradinaj ia ka dërguar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Kërkesën për shtyrjen e seancës për datën 20 shkurt, Haradinaj e ka arsyetuar me aktivitetet e shumta që do të mbahen për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.

(Kosova Sot)