Thaçi, Rama & Haxhiu po ia përgatisin Kosovës skenarin e tmerrshëm

  • 19 February 2018 - 07:30
Thaçi, Rama & Haxhiu po ia përgatisin Kosovës skenarin e tmerrshëm

ANALISTËT KOMENTOJNË SHKRIMIN E "THE GUARDIAN" PËR NDARJEN E KOSOVËS, SI PËRPJEKJE PËR TË SHPËTUAR LËKURËN NGA SPECIALJA

BYTYÇI:Baton Haxhiu e ka bindur Ramën se vetëm ndarja e Kosovës mund të sjellë paqen midis shqiptarëve dhe serbëve

"Se kjo tendencë vërtet është shndërruar në agjendën jetike të Thaçit, madje se është vënë edhe në tryezën e bisedimeve, tanimë po dëshmohet hapur, jo vetëm nga informatat që më herët rridhnin në mënyrë gjysmë-ilegale nga kanale të ndryshme, por edhe në shkrimet publike në gazetat e huaja më prestigjioze, si 'The Guardian', me burime të sigurta nga politikanë dhe diplomatë evropianë-perëndimorë", është shprehur analisti Gani Qarri për gazetën "Kosova Sot" 

Opsioni për ndarjen e territorit të Kosovës, ndërmjet Prishtinës dhe të Beogradit, po vazhdon akoma të mbetet si temë trajtimi në faqet e shtypit më prestigjioz ndërkombëtar. Edhe sipas gazetës prestigjioze londineze "THE GUARDIAN", që thirret në diplomatë dhe politikanë, Republikës se Kosovës po i përgatitet një skenar i tmerrshëm. Veriu i Kosovës pritet t'i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara!

Sipas "The Guardian", përfaqësuesit diplomatikë kanë treguar se ndarja e Kosovës është në tryezën e bisedimeve, në një modalitet tepër të rrezikshëm: veriu i bashkohet Serbisë, në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB. Analistët politikë po e shohin këtë variant debatues si një opsion të rrezikshëm të copë- timit të territorit të Kosovës, duke akuzuar krerët e shtetit se ata janë vetë përgjegjësit që po e shesin dhe ndajnë Kosovën, si pushtetarë të shantazhuar që janë për shkak të së kaluarës së tyre tepër kriminale, qoftë edhe për t'i ikur Gjykatës Speciale.

Reshiti: Kjo ide është e panegocueshme dhe i takon arkivit të historisë Analisti politik Ymret Reshiti theksoi për "Kosova Sot" se riaktualizimi i debatit rreth idesë së ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të Kosovës është tepër i rrezikshëm për Kosovën dhe Ballkanin.

"Këtë ide e kanë nxitur qarqet serbo-ruse dhe disa politikanë shqiptarë të korruptuar. Pushtetarët tanë mafiozë pasi që dështuan në shtet ndërtimin e Kosovës dhe e lanë Kosovën në mjerim social, të zhytur në krim dhe korrupsion, varfëri ekstreme, pa siguri, pa liberalizim vizash, pa ushtri, tamam e shndërruan në një ishull të paperspektivë, tani shpëtimin e tyre e shohin tek idetë e rrezikshme! Historia është dëshmitari më i mirë që na ka treguar se në bisedime gjithmonë Serbia ka triumfuar ndaj shqiptarëve. Pse duhet ne të kërkojmë të përsërisim gjërat që na dëmtojnë? Riaktualizimin e temës së ndarjes së Kosovës e kuptoj si pazar të pushtetarëve të Prishtinës dhe atyre të Beogradit. Kjo ide është e panegocueshme dhe i takon arkivit të historisë", theksoi analisti Reshiti.

Sipas tij, kjo ide cenon parimin e konsensusit ndërkombëtar të arritur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës bazuar në parimin as kthim para statusit të vitit 199 dhe as mosbashkimit të saj me asnjë shtet fqinj. Pra, Pavarësia e Kosovës si shtet është konsensus ndërkombëtar dhe askush nuk na ka pyetur as ne dhe as Serbinë. Reshiti thotë se prekja e kufijve ka efektin domino në të gjitha shtetit e Ballkanit, kur dihet mirë se sa e brishtë është çështja e kufijve në Ballkan.

Aventura fatale e Thaçit

Analisti Gani Qarri theksoi se nga të gjitha akrobacionet e deritanishme të Hashim Thaçit, kërcënimi më serioz, të cilin për të shpëtuar veten, nga përndjekja e Gjykatës Speciale, me ndërmjetësim të Edi Ramës dhe në ujdi të plotë me kryetarin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paraqet aventura e tij e fundit fatale dhe më e rrezikshme deri më tani, për ndarjen faktike të Kosovës.

"Se kjo tendencë vërtet është shndërruar në agjendën jetike të Thaçit, madje se është vënë edhe në tryezën e bisedimeve, tanimë po dëshmohet hapur, jo vetëm nga informatat që më herët rridhnin në mënyrë gjysmë- ilegale nga kanale të ndryshme, por edhe në shkrimet publike në gazetat e huaja më prestigjioze si "The Guardian", me burime të sigurta nga politikanë dhe diplomatë evropiano-perëndimorë. Ditë më parë, edhe në një opinionin lidhur me këtë çështje, pata shprehur drojën se kjo ide e rrezikshme e Hashim Thaçit, për këmbimin e veriut me një ulëse për Kosovën në OKB, ishte aq e rrezikshme saqë nënkupton edhe zhbërjen e shtetit të Kosovës, e se kjo ide jo vetëm që ka kohë që po qarkullon në qarqet diplomatike si opsion, vërtetohet edhe nga lajmet më të reja të gazetës prestigjioze londineze "THE GUARDIAN", e cila shkruan publikisht se skenar i tmerrshëm, që rrezikon pakthyeshëm tërësinë territoriale dhe ekzistencën e Kosovës si shtet, po i përgatitet jo nga një, por nga disa politikanë të lartë të Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë", është shprehur Qarri për gazetën "Kosova Sot".

Ai shton se pushtetarët e inkriminuar të vendit, pas dështimit për bllokimin me ligj të Gjykatës Speciale, si mundësi tjetër për të nxjerrë veten nga përndjekja ligjore e saj, falë mësitnisë misterioze të kryeministrit( siç po cilësohet kohët e fundit- të shtetit të kanabisit) Edi Ramës ndërmorën aventurën e radhës dhe po ofrojnë opsionin e ndarjes së Kosovës, duke rrezikuar kështu të gjithë qytetarët pa dallim dhe shtetësinë tonë në tërësi.

Bytyçi: Asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk i është nënshtruar diskutimit dhe ekspertizës 

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se çështja e ndarjes së Kosovës është iniciativë dhe interes i Serbisë dhe Rusisë dhe se të gjitha intervenimet e Beogradit dhe Moskës, me ndihmën e diplomacisë së disa kryeqyteteve të tjera, si Athinës, kanë synuar prej më shumë se një dekade e ndoshta dy, ndarjen e Kosovës, si zgjidhja e vetme e pranuar nga Serbia.

"Atë që shkruan këto ditë 'THE GUARDIAN' e ka pohuar para disa ditësh me gojën e tij këshilltari i presidentit Thaçi, kur thoshte se "Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me marrëveshje historike, e cila hap perspektivë të sigurt për integrimet euroatlantike për të dy shtetet, ndërsa për Kosovën edhe anëtarësim në OKB. Këto janë qëllimet e tri palëve të përfshira në dialog, ndërmjetësuesit (BE), Kosovës dhe Serbisë", është shprehur ai."Gazeta britanike bazohet në të dhëna që ne nuk i dimë, por që mund t'i marrim me mend, duke analizuar përvojën e marrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit të nënshkruara në këto pesë vite, kryesisht midis zotit Thaçi dhe zotit Daçiq e zotit Vuçiq! Asnjë marrëveshje e nënshkruar nuk i është nënshtruar diskutimit dhe ekspertizës në Kosovë. Nëse miqtë tanë amerikanë dhe disa evropianë janë treguar të vëmendshëm, kjo është arsyeja pse i kemi shpëtuar një drame të vërtetë që mund të prodhonte dialogu Prishtinë-Beograd. Nuk është zoti Thaçi e politikanë tjerë të shantazhuar. Përvoja e këtyre marrëveshjeve na dëshmon se sa i papërgjegjshëm ka qenë ish-kryeministri i Kosovës në nënshkrimin e atyre marrëveshjeve. E njëjta gjë ndodhi edhe me nënshkrimin prej tij të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Prandaj edhe Edi Rama atakoi Ramush Haradinajn. Ai donte që në opinionin e Kosovës ta çlironte prej përgjegjësisë mikun e tij, presidentin e Kosovës. Kjo ishte arsyeja që Edi Rama paraqiti në studion e Baton Haxhiut! Plani ishte si ta justifikonin Thaçin dhe si ta nxirrnin atë nga përgjegjësia për dështimin e tij në ratifikimin e asaj marrëveshjeje", është shprehur ai.

Sipas prof. Bytyçit, në politikë asgjë nuk ndodh rastë- sisht, kurse Edi Rama nuk lë çështje që del në publik pa diskutuar."Sikur t'i mungonin studio televizive, ai ka krijuar një televizion të vetin për të qenë shpejt e shpesh në ekran, gjithë ditën Problemi që ngre 'Guardian' dhe opinion publik për ndarjen e Kosovës është i pranishëm prej shumë kohës. A ka dëgjuar dikush ndonjë fjalë të kryeministrit të Shqipërisë për këtë çështje?! Natyrisht që ai nuk ka folur. Pse nuk flet? Sepse ka frikë se Aleksandër Vuçiq i publikon bisedat sekrete që ata kanë bërë e njëri-tjetrin. Këto biseda lidhen edhe me ndarjen e Kosovës. Madje me pranimin prej Ramës të këtij opsioni. Për këtë ka punuar intensivisht Baton Haxhiu. Ai e ka bindur Ramën se vetëm ndarja e Kosovës mund të sjellë paqen dhe miqësinë midis shqiptarëve dhe serbëve. Nuk ka pasur kurrë në historinë e Shqipërisë, përveç periudhës 1941-1948, një rast të tillë, kur liderët shqiptarë të jenë interesuar kaq shumë për miqësi me Serbinë sa Edi Rama", theksoi Bytyçi për "Kosova Sot". Gazetari i ka dërguar pyetje Baton Haxhiut për të marrë versionin e tij, por ai nuk është përgjigjur.

Aliu: Pushtetarët tanë nuk guxojnë të bëjnë pazare me tokën e Kosovës

Sipas profesorit të së drejtës, Muhamet Kelmendi, çështja e ndarjes së Kosovës ka kohë që ka filluar dhe në realitet të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me palën serbe në Bruksel kanë po këtë qëllim."Në veri dhe në enklavat serbe kemi thjesht pushtet të shtetit serb e jo të Kosovës. Veriu shumë lehtë me marrëveshje apo me asociacion mundet që me kalimin e kohës të pavarësohet dhe të shndërrohet në vend serb", është shprehur ai, duke shtuar se mbesin enklavat për çka po punohet që të sanksionohen si territore të shtetin serb brenda Kosovës."

Janë dy rruge që po diskutohen aktualisht: 1. Ndërrimi i territoreve dhe 2. Vendosja e sovranitetit shtetëror të Beogradit mbi territorin e Kosovës. Të dy këto mënyra janë të rrezikshme dhe shkojnë në dëm të Republikës". Një plan të tillë të fshehtë për opinionin publik e sheh si antikombëtar dhe antishtetëror edhe analisti Bislim Aliu.

"Ky modalitet tejet i rrezikshëm dhe aspak i pranueshëm, që të ndahet pjesa veriore është modalitet paprecedent dhe asnjëherë nuk duhet të vihet në bisedime. Andaj, pushtetarët tanë nuk duhet dhe as që guxojnë të bëjnë pazare me tokën e Kosovës. Për këtë lojë të rrezikshme të ndarjes së Kosovës është tepër i involvuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po ka shpesh kontakte me presidentin serb, Vuçiq. Këto kontakte me Vuçiqin Edi Rama po i keqpërdor dhe po flet lirshëm për ndarjen e Kosovës, thuajse është e tij dhe mund të bëjë çfarë të dojë me Kosovën?! Edhe pushtetarët e Kosovës, nëse ia duan të mirën Kosovës dhe popullit të saj, nuk guxojnë që fare të bisedojnë për ndarjen e Kosovës", është shprehur ai.

"Tani doli i përfshirë edhe kryeministrit Edi Rama në ndarjen e Kosovës, që thuhet se është tepër i involvuar në këtë lojë kriminale për Kosovën, bashkë me mikun e tij mirë të mirë, Baton Haxhiun, dhe Hashim Thaçin, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkt me presidentin serb Vuciq. Sa dhe pse po e rrezikojnë sërish pushtetarët në krye me Hashim Thaçin dhe të tjerët shtetin e Kosovës, duke e ndarë me Serbinë fashiste të Vuçiqit, vetëm e vetëm për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale, e dinë vetë ata", theksoi analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Analisti Ragip Guraziu thotë për "Kosova Sot" se zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës asnjëherë nuk kanë qenë transparentë dhe temat e nxehta gjithmonë janë zbuluar nga të tjerët, siç po ndodh edhe me këtë rreth opsionit të ndarjes.

Opsion i imponuar

Analisti Hidajet Ahmeti vlerëson se, edhe pse de-jure Kosova është unike brenda sovranitetit shtetëror të Republikës, de-facto Mitrovica e veriut është e ndarë që nga paslufta dhe kjo gjë është e ditur për opinionin e gjerë. Ai thotë se edhe krerëve institucionalë u konvenon një gjendje e tillë, duke ikur prej përgjegjësisë dhe të njëjtën kohë duke shpërqendruar qytetarët prej problemeve reale që ballafaqohen çdo ditë. Ai po ashtu thotë se çdo veprim politik e institucional nuk duhet të kalkulohet me pushtet, por për çështjet me rëndësi shtetërore, kombëtare e qytetare, pasi liderët institucionalë e kanë obligim qytetar, kombëtar e shtetëror të kalojnë jashtë kornizave politike e jashtë agjendave ditore, duke i kontribuar të mirës publike.

Analisti politik Mustafë Kadrijaj vlerë- son se edhe kjo zgjidhje mund të jetë një opsion i imponuar ndërkombëtarisht, me qëllim të arritjes së paqes më të qëndrueshme dhe pajtimin në rajon."Në bazë të rrethanave që janë krijuar që nga paslufta, me një anarki totale në veri, por edhe marrëveshjet e arritura deri më tani me shtetin e Maqedonisë, por edhe marrëveshja me Malin e Zi, që pritet të ratifikohet në Parlamentin e Kosovës, jemi dëshmitarë që në të dy marrëveshjet Kosova ka humbur territor", është shprehur ai.

(Kosova Sot)