Qeveria me agjendë të pazakontë, sot dy mbledhje brenda ditës

  • 20 February 2018 - 08:22
Qeveria me agjendë të pazakontë, sot dy mbledhje brenda ditës

Kryeministri Ramush Haradinaj erdhi në krye të Qeverisë së Kosovës me zotimin se do ta rrëzojë marrëveshjen aktuale të Demarkacionit me Malin e Zi, por duket se për këtë i ka rënë ‘pishman’ gjatë rrugës.

Kjo pasi, nga kundërshtimi i pakompromis i para disa muajsh, Haradinaj është bërë shtyesi më i madh i çështjes së Demarkacionit.

Menjëherë pasi u arrit një marrëveshje më Malin e Zi për vendosjen e një aneksi në marrëveshjen kryesore, Haradinaj ka bërë çmos që ta mbyllë Demarkacionin, ani pse disa herë e ka përmendur ditëve të fundit që nuk janë numrat, i cili fakt po e mërzit tash ani pse kohë më parë e gëzonte.

E për t’u vërtetuar zelli i Haradinajt në ratifikimin e Demarkacionit, po shihet edhe një agjendë e pazakontë e Qeverisë. Siç nuk ka ndodhur shpesh, Qeveria sot mblidhet dy herë. Mbledhja e parë do të mbahet në orën 10:00, ndërkaq ajo e dyta në orën 15:00.

Metro mëson se në mbledhjen e parë do të vendoset për rikthimin e marrëveshjes që ishte dërguar më herët në Kuvend, e më pas do të thirret mbledhja e dytë ku do të vendoset për procedimin e të njëjtës marrëveshje vetëm me një aneks më tepër për t’u ratifikuar.

Ndërkohë, problemi i numrave po vazhdon. Edhe Haradinaj e ka pranuar se i mungojnë edhe tri vota për ta kaluar demarkacionin, duke shtuar se Lista Serbe nuk është e sigurtë në votim.

Ndryshe, Demarkacioni me Malin e Zi që është kusht për vizat është mbajtur i bllokuar qe gati tri vite, e i pari që nisi kundërshtimin ishte kryeministri aktual, i cili tash po dëshiron vetë ta miratojë.

(Kosova Sot)