Ministria e Drejtësisë: Kriterin e dytë të BE-së për viza do ta plotësojmë pas ratifikimit të demarkacionit!

  • 20 February 2018 - 12:55
Ministria e Drejtësisë: Kriterin e dytë të BE-së për viza do ta plotësojmë pas ratifikimit të demarkacionit!

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, është shprehur i gatshëm për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kuvendin e Kosovës.

Tahiri ka thënë se është i vetëdijshëm se sundimi i ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk janë vetëm kritere të vëna nga Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha janë përgjegjësi shtetërore dhe institucionale si dhe garanci për shtetin e së drejtës, në ditët në vijim do të paraqesim në detaje masat e ndërmarra dhe të planifikuara për adresimin e kritereve në veçanti dhe agjendës evropiane në përgjithësi.

“Pas miratimit të demarkacionit, përgjegjësia për liberalizimin e vizave bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe para kësaj përgjegjësie, unë jam i gatshëm dhe i pa kompromis. Na mbetet që me dinamikë të përshpejtuar dhe efikasitet të lartë të përmbushim kriterin e dytë, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ai përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Postim i tij i plotë:

Në rendin e ditës së mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, sot është paraparë miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e cila më pas do të kalojë në agjendën e Kuvendit për ratifikim. Ratifikimi i kësaj marrëveshje nga ana e Kuvendit, do të përmbushë kriterin e rëndësishëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë në Bashkimin Evropian. Pas miratimit të demarkacionit, përgjegjësia për liberalizimin e vizave bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë dhe para kësaj përgjegjësie, unë jam i gatshëm dhe i pa kompromis. Na mbetet që me dinamikë të përshpejtuar dhe efikasitet të lartë të përmbushim kriterin e dytë, atë të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ministria që unë udhëheqë, së bashku me institucionet dhe organet e zbatimit të ligjit, do të jenë në krye të detyrës për të shënuar efikasitet më të lartë në këtë drejtim. Të vetëdijshëm se sundimi i ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk janë vetëm kritere të vëna nga Bashkimi Evropian, por mbi të gjitha janë përgjegjësi shtetërore dhe institucionale si dhe garanci për shtetin e së drejtës, në ditët në vijim do të paraqesim në detaje masat e ndërmarra dhe të planifikuara për adresimin e kritereve në veçanti dhe agjendës evropiane në përgjithësi. Në kuadër të kësaj dinamike të re, do të përfshihen aspekte të politikës legjislative e po ashtu edhe aspekte të zbatimit të matshëm të tyre, në mënyrë që Republika e Kosovës të shkëputet përfundimisht nga perceptimet e mos efikasitetit në luftë kundër këtyre dukurive. Çdo obligim institucional që ka adresë, nuk do të arsyetohet.

(Kosova Sot)