Takohen për demarkacionin

  • 21 February 2018 - 10:37
Takohen për demarkacionin

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, do të mblidhet sot në ora 16:00, për të diskutuar projektligjin e dërguar nga Qeveria, për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria e vendit dje ka miratuar ndryshimet e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria ka kërkuar që seanca e jashtëzakonshme për demarkacionin të mbahet të enjten

Pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka shkarkuar përbërjen e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, duke emëruar përbërje të re me në krye Shpëtim Bulliqin.

Kryeministri Haradinaj, kohë më parë ka theksuar se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me gjasë do të mund të përfundojë në Arbitrazh, pasi që, siç është shprehur ai, Kuvendi nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes aktuale, të nënshtruar në gusht të vitit 2015. Por, njohësit e çështjeve juridike ndërkombëtare kanë theksuar se kjo çështje nuk mund të shkojë në arbitrazh, pa pëlqimin e Malit të Zi, i cili tashmë e ka ratifikuar marrëveshjen.

(Kosova Sot)