Poroshenko dëshmon sot në gjykimin për tradhti të Yanukovych-it

  • 21 February 2018 - 11:25
Poroshenko dëshmon sot në gjykimin për tradhti të Yanukovych-it

Presidenti ukrainas, Petro Porosheno, do të dëshmojë sot në Kiev, në gjykimin për tradhti të paraardhësit të tij, Viktor Yanukovych.

Poroshenko ka konfirmuar, se do marrë pjesë në gjykimin në mungesë të Yanukovychit, që njihet si mik i Moskës.

Ai është larguar nga pushteti duke ikur në Rusi, pas protestave masive në rrugë, katër vite më parë.

“Djalli duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye, për herë të parë në historinë e Ukrainës, unë kam vendosur të marr pjesë në gjykim”, ka thënë ai më 18 shkurt.

Protestat në Ukrainë, të njohura si Euromaidan, kanë nisur në nëntor të vitit 2013, pas deklaratave të Yanukovychit, se do të shtynte planet për marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke synuar lidhje ekonomike më të ngushta me Rusinë.

Prokurorët ukrainas kanë thënë se 104 persona kanë vdekur dhe 2,500 të tjerë janë lënduar në protestat që janë mbajtur në qendër të Kievit.

Yanukovych ka kundërshtuar deklaratat, se ka urdhëruar të shtëna drejt protestuesve dhe ka pretenduar se dhuna ka qenë “operacion i planifikuar” për të rrëzuar qeverinë e tij.

Si përgjigje ndaj rrëzimit të tij, Moska ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe ka përkrahur separatizmin në lindje të këtij shteti.

Nga konflikti në mes të forcave pro-qeveritare të Kievit dhe separatistëve pro-rusë, kanë vdekur 10,300 persona ndërsa 1.6 milionë të tjerë janë shpërngulur.

(Kosova Sot)