Apeli liron kryetarin e Parteshit nga akuzat për keqpërdorim të detyrës

  • 23 February 2018 - 15:17
Apeli liron kryetarin e Parteshit nga akuzat për keqpërdorim të detyrës

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka liruar nga akuza Kryetarin e Komunës së Parteshit, Dragan Nikoliq. Ai ishte dënuar më 6 muaj burgim më kusht, nga ana e Gjykatës Themelore në Gjilan, më 16 tetor 2017, për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

"Gjykata e Apelit vlerëson se në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar në shkallë të parë, rezulton se në veprimet e të akuzuarit, D.N., të cilat i kishte ndërmarrë në cilësi të kryetarit të komunës së Parteshit, nuk përmbushen elementet e veprës penale, në fjalë", ka njoftuar Apeli. 

Tutje në njoftim thuhet se, duke pasur parasysh gjendjen faktike të vërtetuar në këtë çështje penale-juridike, Gjykata e Apelit, vlerëson se nuk është e nevojshme procedim i mëtutjeshëm i provave të reja, me qëllim të vërtetimit të fakteve të tjera, apo për shqiptimin e fakteve ekzistuese. 

"Andaj, në praninë e fakteve të vërtetuara për aplikimin e drejtë të ligjit penal, kjo gjykatë nxjerrë konkludim tjetër nga ato që ka aprovuar gjykata e shkallës së parë", thekson kumtesa. 

Dragan Nikoliq, akuzohej se më 10 shkurt 2015, në mënyrë të kundërligjshme, me vendimin 54/2015, ka ndërprerë marrëdhënien  e punës të dëmtuarit Bozhidar Periq, në pozitën e asistentit administrativ të Kryetarit të Kuvendit Komunal në Partesh, vendim ky të cilën Inspektorati i Punës ne rajonin e Gjilanit e abrogon dhe i njëjti vërtetohet edhe me vendim të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës, i cili kishte kërkuar kthimin në punë të të dëmtuarit dhe kompensimin e pagave të munguara.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe pagesa nga llogaria e Komunës së Parteshit në vlerë prej 5,000.00 euro për pagesën e dënimit me gjobë të shqiptuar nga Inspektorati i Punës, lidhur me shkëputjen e paligjshme të marrëdhënies së punës për Bozhidar Periq. 

(Kosova Sot)