Kapiti: Nuk ka pastrim dhe as VETTING pa filluar nga lart

  • 25 February 2018 - 13:16
Kapiti: Nuk ka pastrim dhe as VETTING pa filluar nga lart

Analisti Skënder Kapiti thotë se KGJKja dhe KPK-ja në Kosovë nuk mund ta bëjnë pastrimin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sepse ata vetë duhet të jenë të parët që duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë. "Nuk ka pastrim dhe as VETTING pa filluar nga lart, sepse kështu thotë edhe një fjalë e urtë në Shqipëri, "se peshku qelbet nga koka", dhe aq më keq akoma kur këta 'peshq' të drejtësisë dhe të politikës në Kosovë janë "peshqit e mëdhenj" dhe kjo do të thotë se shiko se sa shumë e kanë degraduar ambientin politik, të drejtësisë dhe të shoqërisë, me vjedhje, me krime, me korrupsion e me lloj-lloj poshtërsish. VETTING-u është detergjenti ligjor që do e pastronte drejtësinë në Kosovë prej këtij llumi shumë të ndotur", u shpreh ai. "Po të zhvillohet një VETTING sot në Kosovë shumë pak do të ishin ata të cilët do t'i mbante sita e VETTING-ut në sistemin e drejtësisë. Një diplomat i BE-së në Tiranë pati deklaruar gjatë përpjekjeve të tyre për miratimin e VETTING-ut se aq shumë ka degraduar drejtësia në Shqipëri sa që duhej dhe do të ishte e mira që të dëboheshin nga drejtësia të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe sistemi të organizohej nga e para. Në këtë gjendje aspak më mirë nuk është realiteti as në Kosovë", tha Kapiti për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)