Jahtisti Ahmeti "sharron" thellë në prehrin e mafio-oligarkëve - Lajme - Kosova Sot
Jahtisti Ahmeti "sharron" thellë në prehrin e mafio-oligarkëve

Jahtisti Ahmeti "sharron" thellë në prehrin e mafio-oligarkëve

INPO KA FTUAR KRYETARIN E KOMUNËS QË TA NDËRPRESË PRAKTIKËN E JOTRANSPARENCËS SË SHPENZIMEVE TË PARASË PUBLIKE

Analistët: Klani 'Coca Cola Zero' po akomodon interesat kriminale qindra- milionëshe

S ipas organizatës joqeveritare INPO, që monitoron punën e Asamblesë Komunale të Prishtinës, raporti financiar për periudhën janar-dhjetor 2017, i cili pritet të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me përmbajtjen aktuale, nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna e Prishtinës. Kështu ka konstatuar Iniciativa për Progres -INPO në një analizë që i ka bërë këtij raporti. Ajo ka gjetur se ky raport përmban vetëm shuma totale të planifikimit dhe shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshin krahasimet me dy vitet paraprake lidhur me shpenzimin e parasë publike gjatë periudhës raportuese. Rrjedhimisht, sipas INPO-s, kryetari Shpend Ahmeti nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 46 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Sipas të gjeturave të kësaj organizate, gjatë vitit të kaluar, kryetari Shpend Ahmeti nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportime në Kuvend lidhur me ecuritë financiare në komunë në baza tre mujore, ashtu sikurse e obligon ligji. Për më tepër, kryetari Shpend Ahmeti nuk e ka përmbushur as zotimin e tij që deri në fund të janarit ta diskutojë në Kuvend progresin lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit për rekomandimet e auditimit, para se Pasqyrat e Vjetore Financiare të 2017 të jenë dorëzuar në Ministrinë e Financave. INPO po ashtu ka ftuar kryetarin e komunës që ta ndërpresë praktikën e jotransparencës së shpenzimeve të parasë publike. Sipas analistëve politikë, por edhe asamblistëve të opozitës së tanishme në Asamblenë komunale të Prishtinës, një raport i tillë financiar është i papranueshëm dhe si i tillë duhet të shoshitët në detaje për shkeljet dhe devijimet eventuale që mund të jenë në kundërshtim me ligjin."Ky raport për mua si asamblist i Prishtinës është i papranueshëm pasi ka shumë mangësi, qëndrimet e mia do t'i shprehi në seancën e 7 Marsit", tha për "Kosova Sot" asamblisti i PDK-së, Migjen Shala.

Kryetar dembel dhe i paaftë

Analistët politikë theksojnë se mbi bazën e këtij raporti, të analizuar nga një organizatë e pavarur, po dëshmohet çdo ditë e më shumë se Shpend Ahmeti realisht nuk punon asgjë dhe nuk lodhet për qytetarët e Prishtinës, e sidomos nuk lodhet fare që shkel ligjet me të dyja këmbët, pasi që është bindur se nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët, mbështetjen e të cilëve e ka 100%, janë përmbi ligjin. Këtë shpërfillje Ahmeti e bën sipas analistëve, pasi që edhe drejtësia në Kosovë po vazhdon të heshtë para krimit të organizuar që po bëhet në baza ditore para hundës së tyre, përfshirë edhe komunën e Prishtinës me Shpend Ahmetin, kryetar, i cili shkel ligjet në baza ditore dhe punon ekskluzivisht për interesa te mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, duke iu dhënë tenderë ekskluzivisht për vëllezërit e klanit 'Pronto' dhe atij 'Coca Cola Zero', Devollëve. Sipas analistëve Ahmeti, është duke iu dhënë leje ndërtimore të njëjtëve në emra te kompanive fajtomë, e që janë të tyre, duke tentuar për disa vite me radhë dhënien e dhjetëra hektarëve tokë në qendër të Prishtinës, përfshirë edhe Stacionin e Autobusëve, duke u shpërblyer me ekipin e tij jo vetëm me shëtitje në jahte të mafio-oligarkëve, por edhe me disa shtëpi në fshatin amerikan, pastaj "shitja" e lejeve ndërtimore të gjithë prestarëve të nëntokës kriminale e shumëçka tjetër, edhe atë gjatë tërë mandatit të parë dhe po vazhdon edhe tani në baza ditore në të dytin mandat.

"Përse e kanë dhënë betimin këta matrapazë? Për të mbrojtur qytetarët e vendit, interesat shtetërore, Kushtetutën, apo të hedhin valle bashkë gisht për gisht me rrjetin kriminal të mafio-oligarkëve të paskrupullt. Përse i mbyll sytë dhe bëhet veshëshurdhur kur kjo pari e faqes së zezë jep tenderë në mënyrën më të paligjshme, jep leje ndërtimore sallamadi, pastaj akoma nuk kanë pushuar dallaveret për dhënien e dhjetëra hektarëve tokë në zemër të Prishtinës, ku e gëlltit edhe Stacionin e autobusëve, shitja e lejeve ndërtimore dhe shumë e shume dallavere të tjera në dëm të Prishtinës", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot

Analisti politik Reshat Badallaj thotë se tashmë u vërtetua se Shpend Ahmeti, përpos që është dembel, është edhe i paaftë për të qeverisur kryeqytetin e vendit. "Ky njeri nuk është në vendin e caktuar për interesa të qytetarëve, ky është një njeri dallaveraxhi, mashtrues, rrenacak, njeri që nuk njeh ligje, është njeri shëtitës i klubeve të natës, me avion privat fluturon, bën dyzen ahengu dhe sallamadi nëpër bare, nëpër jahte shumë milionësh prapa krahëve të popullit, ndërkaq pesë para nuk i jep se popullin e ka kapluar një varfëri e skajshme", u shpreh ai."Kjo garniturë bandë që e kanë në dorë kryeqytetin janë shumë të rrezikshëm, janë të kapur me kriminelët dhe banditët e kanaleve të nëntokës kriminale, që e dëmtojnë jo vetëm Prishtinën, por e dëmtojnë edhe shtetin e kombin në përgjithësi. Dhe, kjo bandë mafioze e stilit sicilian e kolumbian e kanë shtetin në dorë dhe as që lodhet kush ta ndryshojë", vijoi më tej Badallaj. "Me dashtë populli Shpend Jahti, sejmenët e tij dhe mafio-oligarkët e bandës serbiane 'Devolli' do të ikin e do të strehohen në jahtin e kësaj bande në ujëra të thella të Crna Gores, kush e di sa milje larg tokës", tha Badallaj për "Kosova Sot"

Prapaskenat e investimeve

Kritik shprehet ndaj këtyre të gjeturave të INPO-s edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi. "Unë mendoj se çështja e tillë e këtij raporti financiar të Komunës së Prishtinës mbështetet në faktin se kemi të bëjmë me një udhëheqje, e cila e ka anashkaluar edhe Asamblenë komunale në çështjet vitale për të cilat është dashur të planifikohet dhe të ndërtohet qyteti i Prishtinës, apo me fjalë të tjera që të bëhen investimet, por edhe privatizimi apo dhënie me koncesion dhe mbi bazën e partneritetit publiko privat", u shpreh ai."Pra, duke u anashkaluar krejtësisht Asambleja komunale kemi investime të pakontrolluara nga ana e udhëheqjes së Prishtinës kemi investime në fusha të ndryshme dje nga subjekte të ndryshme krejtësisht të pakontrolluara nga Asambleja komunale, dhe natyrisht që kur investimet e tilla bëhen jashtë kontrollit dhe vendimit të asamblesë, e cila është kompetente të vendosë edhe në bazë të statutit të komunës dhe të mënyrës së funksionimit të komunës kuptohet se edhe raporti nuk del në nivelin sikur që duhet", vijoi më tutje Kelmendi."Investimet nga kjo formë mund të realizohen edhe në bazë të interesave të ndryshme të veçanta subjekteve fizike të cilat janë në interesin e udhëheqjes së tanishme të komunës së Prishtinës dhe që lidhshmëria e tyre është e afërt me kompanitë private për të cilat jemi informuar e është shkruar, që kemi të bëjmë me interesin vital të Devollëve, të privatizimit të shumicës së pasurisë së patundshme në Prishtinë, që fillon me parkun, që fillon me parkingun prapa Pallatit të Rinisë dhe që fillon me shumë pasuri të patundshme të komunës së Prishtinës", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot". 

Qeverisje kundër interesit publik

"Me këto të gjetura përfundimisht po dëshmohet çdo ditë e më shumë se Shpend Ahmeti nuk punon asgjë dhe nuk lodhet për qytetarët e Prishtinës, nuk lodhet fare që shkel edhe ligjet. Ai këtë me gjasë po e bën pasi që është bindur se nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët mbështetjen e të cilëve e ka 100% janë përmbi ligjin, e që i bie që ai nuk ka pse lodhet për ligjet kur është njeri i ekipit të tyre", ka potencuar Ragip Guraziu për "Kosova Sot

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se Raporti Financiar për periudhën janar-dhjetor 2017 nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna e Prishtinës dhe si i tillë duhet të hidhet, të mos aprovohet nga Asambleja Komunale. "Raporti financiar për periudhën janar-dhjetor 2017, i cili pritet të shqyrtohet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës, që pritet të jetë data 7 marsi, me përmbajtjen aktuale nuk i përmbush kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është Komuna e Prishtinës. Këtë shihet që e ka konstatuar fare mirë edhe Iniciativa për Progres - INPO, në një analizë që i ka bërë këtij raporti në mënyrë mjaft profesionale, e që INPO ka gjetur se, ky raport përmban vetëm shuma totale të planifikimit dhe shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshin krahasimet me dy vitet paraprake lidhur me shpenzimin e parasë publike gjatë periudhës raportuese", u shpreh ai. "Rrjedhimisht, sipas INPO-s, është edhe konstatimi shumë i drejtë se kryetari Shpend Ahmeti nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 46 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë. Madje, sipas të gjeturave të kësaj organizate, gjatë vitit të kaluar, kryetari Shpend Ahmeti nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportime në Kuvend lidhur me ecuritë financiare në komunë në baza tremujore, ashtu sikurse e obligon ligji. Për këtë fakt ai duhej të japë llogari dhe përgjegjësi. Për më tepër, kryetari Shpend Ahmeti nuk e ka përmbushur as zotimin e tij që deri në fund të janarit ta diskutojë në Kuvend progresin lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit për rekomandimet e auditimit, para se Pasqyrat e Vjetore Financiare të 2017 të jenë dorëzuar në Ministrinë e Financave", tha Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot". Ai shton se është një shërbim i mirë në interesin publik dhe përmirësimin e qeverisjes në kryeqytet, fakti që INPO ka ftuar kryetarin e komunës që ta ndërpresë praktikën e jotransparencës së shpenzimeve të parasë publike. Sipas tij, qëllimi i fundit i Shpend Ahmetit me vazhdimin e këtij avazi është kundër interesit qytetar dhe tani me të drejtë lind edhe pyetja se a mundet të durohet kështu dhe po ashtu shtrohet pyetja se deri kur drejtësia në Kosovë do të vazhdojë të heshtë para krimit të organizuar që po bëhet në baza ditore para hundës së tyre, përfshirë edhe komunën e Prishtinës me Shpend Ahmetin kryetar. 

ZEQA: SHPEND AHMETI SHKEL LIGJET NË BAZA DITORE DHE PUNON EKSKLUZIVISHT PËR INTERESA TE MAFIO-OLIGARKËVE

"Me mospërmbushjen e obligimeve ligjore po dëshmohet çdo ditë e më shumë se Shpend Ahmeti realisht nuk punon asgjë dhe nuk lodhet fare për interesat e qytetarëve të Prishtinës. Nuk brengoset fare pse shkel ligjet me të dyja këmbët, pasi nëntoka kriminale dhe mafiooligarkët, me të cilët bashkëpunon, janë përmbi ligjin dhe drejtësinë vendore, e cila vazhdon të heshtë para krimit të organizuar që po bëhet në baza ditore para hundës së tyre", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot

Analisti Florim Zeqa konsideron se nga të gjeturat e raportit të INPO-s vërehet qartë mostransparenca e aspekteve financiare në Komunën e Prishtinës, gjegjësisht kryetari Shpend Ahmeti, i cili nuk i ka respektuar urdhëresat e nenit 46 të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, ani pse pasqyrat e vjetore financiare janë obligative të secilit kryetar komune. Andaj me plot të drejtë INPO ka ftuar kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, që ta ndërpresë praktikën e jotransparencës së shpenzimeve të parasë publike pa mbulesë ligjore. "Të gjeturat e INPO-s kanë vërtetuar se gjatë vitit të kaluar kryetari Shpend Ahmeti nuk e ka përmbushur asnjë kriter, si dhe nuk i ka respektuar as afatet kohore për raportime në Kuvend lidhur me ecuritë financiare në komunë në baza tremujore ashtu siç e obligon ligji. Me mospërmbushjen e obligimeve ligjore po dëshmohet çdo ditë e më shumë se Shpend Ahmeti realisht nuk punon asgjë dhe nuk lodhet fare për interesat e qytetarëve të Prishtinës. Nuk brengoset fare pse shkel ligjet me të dyja këmbët, pasi nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët, me të cilët bashkëpunon, janë përmbi ligjin dhe drejtësinë vendore, e cila vazhdon të heshtë para krimit të organizuar që po bëhet në baza ditore para hundës së tyre", u shpreh ai. "Shpend Ahmeti shkel ligjet në baza ditore dhe punon ekskluzivisht për interesa te mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, duke iu dhënë tenderë ekskluzivisht për vëllezërit e klanit "Pronto" dhe atij "Coca Cola Zero", duke iu dhënë leje ndërtimore të njëjtëve në emra të kompanive fantome, "shitje" të lejeve ndërtimore të gjithë pjestarëve të nëntokës kriminale e shumëçka tjetër! Nuk mungoi as dhëna e dhjetëra hektarëve tokë në qendër të Prishtinës, përfshirë edhe Stacionin e autobusëve vëllezërve Devolli, duke u shpërblyer me ekipin e tij jo vetëm me shëtitje në jahte luksoze, por edhe me disa shtëpi në Fshatin amerikan.", tha Zeqa për "Kosova Sot

Gazeta i ka dërguar pyetje lidhur me këto shqetësime të ngritura edhe Komunës, kryetarit Shpend Ahmeti dhe vëllezërve Devolli, të apostrofuar për lidhje me Shpend Ahmetin, por si zakonisht, edhe këtë herë nuk kanë dhënë përgjigje.

(Kosova Sot)

18 orë e 47 minuta më parë
26/09/18