Këta janë asamblistët që përkrahin Shpend Ahmetin - Lajme - Kosova Sot
Këta janë asamblistët që përkrahin Shpend Ahmetin

Këta janë asamblistët që përkrahin Shpend Ahmetin

Nol Nushi, Qëndrim Sahiti, Drilon Pireva dhe Genc Sherifi më nuk janë asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës.

Këta katër asamblistë që kanë garuar në zgjedhjet lokale tashmë do të veprojnë si grup i pavarur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Deri më tani janë vetëm këta katër që nuk janë më në grup me VV-në por që nuk dihet nëse numri i tyre do të rritet.

Asamblisti Nol Nushi tha se pavarësisht kësaj se këta katër përkrahin kryetarin e komunës Shpend Ahmeti, nuk beson se puna në Kuvendin Komunal do të bllokohet.

“Ne edhe në fushatë kemi thënë se do ta monitorojmë punën e kryetarit. Nuk besoj se asamblistët e Vetëvendosjes do të bllokojnë punën e kryetarit Ahmeti”, tha Nushi.

Ai shpreson se grupit të të dorëhequrve nga VV do t’i bashkohet edhe ndonjë nga asamblistët por që aktualisht janë vetëm këta katër.

“Nuk e di do ta shohim, zyrtarisht VV i ka 13 asamblistë”, tha Nushi.

Dorëheqjet e asamblistëve të VV-së, të kryetarit Shpend Ahmeti por edhe të disa zyrtarëve të këtij subjekti kanë ardhur pas një çarje të thellë në Lëvizje e cila është shpërfaqur pas një fyerje të deputetes Aida Dërguti që ia ka bërë tashmë kryetarit të VV-së Albin Kurti.

(Kosova Sot)

12 orë e 50 minuta më parë
19/10/18