Shumica po e braktisin Kosovën

  • 17 March 2018 - 08:02
Shumica po e braktisin Kosovën

PASOJAT E KEQQEVERISJES DHE KORRUPSIONIT

Fluksi drejt Perëndimit nuk ka të ndalur

"Nuk u punua mirë dhe ndershmërisht nga asnjë pushtet i pasluftës dhe kjo solli pasurim të pakicës në pushtet dhe të njerëzve të biznesit dhe në anën tjetër, kemi shumicën që po jetojnë dobët, kurse një kategori jo e vogël po jetojnë skajshmërisht keq", tha analisti Skënder Mulliqi për " Kosova Sot"

Duke e parë se në këtë shtet nuk ka asnjë lloj perspektive, Kosova dita- ditës po zbrazet nga të rinjtë dhe një pjesë e madhe e popullatës, të cilët nga skamja dhe krimi i organizuar dhe klanet kriminale, që e kanë në dorë gati çdo pore të jetës, po gjejnë mënyra çdo ditë për të lëshuar Kosovën, qoftë legalisht apo ilegalisht. Ndërkohë që një numër i madh i qytetarëve tanë po shfrytëzojnë mundësinë legale për viza të punës në Gjermani, ku numri i vizave të punës për shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë nga Ballkani është rritur me 70 për qind në tetë muajt e parë të vitit 2017. Mirëpo,shumë të tjerë po detyrohen në mënyrë ilegale që të ikin sa më larg. Sipas analistëve, çdo ditë e më shumë pritet se do të zvogëlohet dukshëm numri i qytetarëve në Kosovë, të cilët të dëshpëruar në shtetin e tyre të inkriminuar deri në fyt me krimin e organizuar, po kërkojnë fatin e tyre jashtë dhe sa më larg Kosovës.

Lidhur me detyrimin e migrimit të të rinjve kosovarë jashtë vendit ka folur edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Safete Hadërgjonaj (PDK), nënkryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, e cila në një prononcim për " Kosova Sot", tha se ky është një sinjal për institucionet që të bëjnë më shumë punë për të orientuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe që të krijojmë një perspektivë më të madhe për të rinjtë tanë. 

Image

 

Mashtrimi elektoral

Sipas Hadërgjonajt, rinia jonë nuk po e shohin veten se ata mund të kontribuojnë këtu, sepse pjesa më e madhe që po kryejnë shkollim nuk po munden që ta gjejnë një vend pune në Kosovë. "Do të doja që deputetët e Kuvendit të Kosovës që të reflektojnë pozitivisht në këtë drejtim në mënyrë që t'ia krijojnë mundësinë rinisë dhe gjithë popullatës sonë që edhe ata të kenë mundësinë dhe të kenë lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit dhe mendoj se me një gjë të tillë të tejkalimit të problemit të demarkacionit do t'ia arrijmë qëllimit", vlerësoi ajo.

Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi, për " Kosova Sot", tha se nuk u punua mirë dhe ndershmërisht nga asnjë pushtet i pasluftës dhe kjo solli pasurim të pakicës në pushtet dhe njerëzve të biznesit dhe në anën tjetër kemi shumicën që po jetojnë dobët, e një kategori jo e vogël po jetojnë skajshmërisht keq. "Kjo klasë politike ka treguar në praktikë se nuk e ka merituar besimin e dhënë nga elektorati", vlerësoi ai. "U investua më shumë në infrastrukturën rrugore dhe tenderomani të ndryshme se aty i gjetën edhe përfitimet e mëdha, duke lënë anash zhvillimin e ekonomisë së vogël dhe të mesme, ku do të gjeneronin vende të reja të punës për të rinjtë tanë, të cilët shumica kanë mbetur duke bredhë rrugëve. Duke parë që perspektiva në Kosovë po iu mbyllet se nuk kanë mundësi ta sigurojnë një vend të përhershëm të punës, po largohen në vendet e zhvilluara perëndimore", tha Mulliqi.  

"Është për keqardhje që askush nga institucionet tona shtetërore nuk po interesohet që kjo punë të bëhet në mënyrë të organizuar përmes enteve të punësimit dhe me ndonjë marrëveshje me shtetet, të cilat po kërkojnë fuqi punëtore të re nga rajoni i Ballkanit edhe nga Kosova", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot".

 

Image

 

Mungon vizioni ekonomik

Analisti Ridvan Emini, tha për " Kosova Sot", se kërkesat për azil në vendet e ndryshme të BE-së nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës, kryesisht bëhet për një jetë me të mirë. "Është e natyrshme që një vend i vogël, siç është Kosova, të ketë mundësi më të vogla për pune, e nga ana tjetër kemi moshën e re të popullatës së saj, andaj për të hyrë në tregun e punës më lehtë dhe për të gjetur veten më shpejt në punë, janë vendet e BE-së ato që e ofrojnë një mundësi të tillë", u shpreh ai. "Kosovës nga ana tjetër i mungon një strategji e mirëfilltë për zhvillim ekonomik, ku edhe do të rritej mundësia për punësim. Nëse shohim vendet e ndryshme të botës se si gjinden në tregun global, janë India dhe Pakistani vende, të cilat më së shumti ofrojnë fuqi punëtore në fushën e IT-së, andaj meqë kemi fuqinë punëtore duhet të bëjmë sa më shumë eksportim të rinisë në tregun global si në IT, po ashtu edhe në fusha të tjera", vlerësoi Emini. "Elita politike në Kosovë duhet të bëjë përpjekje që të dalin qytetarët e saj nga izolimi sa më parë dhe t'i jepet mundësia rinisë. Kjo do t'i kontribuonte zhvillimit ekonomik të vendit", ka thënë ai.

"Paperspektiva e madhe që është krijuar si rezultat i gjithë mostransparencës institucionale, po bën që të rinjtë tanë të shohin Perëndimin si zgjidhje", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Analisti Arsim Haziri, tha për "Kosova Sot", se qytetarët ekonomikisht janë të ndëshkuar, politikisht janë të izoluar. "Zgjidhja e vetme, madje edhe e fundit drejt ikjes nga kjo situatë ndëshkuese në çdo aspekt, është kthimi i lëvizjeve drejt Evropës, vendet ku plotësohen kushtet e mjaftueshme për mbijetesë", potencoi ai.

(Kosova Sot)