Vazhdon telenovela, votimi shtyhet për sot

  • 21 March 2018 - 10:05
Vazhdon telenovela, votimi shtyhet për sot

KUVENDI DEBATOI DJE PROJEKTLIGJIN PËR DEMARKACIONIN ME MALIN E ZI

Kelmendi: Kosova gjendet në një pozicion të keq, që e sollën Hashim Thaçi, Kadri Veseli e tash edhe Ramush Haradinaj

Debati parlamentar lidhur me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ka vazhduar deri vonë në Kuvendin e Kosovës, edhe pse aty kanë mbetur shumë pak deputetë në sallë. Demarkacioni pritet të votohet në seancën që mbahet sot. Disa deputetë e kanë lëshuar Kuvendin dhe kanë shkuar në shtëpi. Analistët thonë se politikanët po tallen me qytetarët 

S eanca e Kuvendit, që ishte thirrur të martën, për të debatuar për projektligjin për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, ka zgjatur deri vonë me diskutimet e deputetëve për dhe kundër miratimit të këtij projektligji. Sipas analistëve, me telenovelën për çështjen e demarkacionit politikanët janë tallur me qytetarët, sepse nuk kanë mundur që të gjejnë një konsensus politik lidhur me këtë çështje. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, ka vazhduar t'u bëjë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votojnë pro Demarkacionit me Malin e Zi. Ai pos thirrjes që u bëri në një fjalim në hollin e Kuvendit, thirrje bëri edhe përmes një postimi në 'Twitter'."Mos i lini qytetarët tuaj të izoluar. Votoni për të ardhmen e Kosovës. Votoni në të mirë të kësaj marrëveshje", ka shkruar Delawie. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në kërkesën e tij para të pranishmëve ka thënë se porosia e evropianëve është e qartë se për të lëvizur lirshëm qytetarët duhet të ratifikohet demarkacioni. Haradinaj ka thënë se miqtë ndërkombëtarë vazhdimisht i kanë thënë deputetëve që nëse e votojnë këtë marrëveshje, atëherë hiqet regjimi i vizave. Ai tha se nëse do të votohej demarkacioni, atëherë do t'i bëhet presion BE-së që të lëshojnë vizat, duke shtuar se është e padrejtë nëse pas këtij votimi nuk jepen vizat. Sa i përket luftës kundër korrupsionit, ai ka thënë se lufta ndaj krimit e korrupsionit nuk është një akt i menjëhershëm, është temë që e ka çdo shoqëri demokratike. Zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë demarkacionin me Malin e Zi dhe se deputetët e Kosovës nuk duhet ta lëshojnë Kuvendin pa e votuar këtë marrëveshje."Kjo është vota më e rëndësishme për dhjetë vitet e ardhshme në lidhjet që kemi ne me Bashkimin Evropian, s'ka proces më të rëndësishëm sesa liberalizimi i vizave", ka thënë Hoxhaj. Ai ka thënë se nëse duhet të rishikohet çështja e Çakorrit dhe Kullës edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë pro rishikimit të vijës kufitare.

Hoti: Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, kjo qeveri duhet të rrëzohet Ulësja dhe tavolina ku është ulur kryeministri i Kosovës është mbushur me dosje me ngjyrë të kuqe.

Këto janë peticionet me mijëra nënshkrime të mbledhura nga VV-ja e që kundërshtojnë demarkacionin, të cilat i kanë dorëzuar deputetët e VV-së, pas një fjalimi që ka mbajtur shefi i Grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca. "Kryeministër, mos ua kthe shpinën këtyre qytetarëve", tha Konjufca. Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se kjo parti do të votojë pro marrëveshjes së demarkacionit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Ai në foltoren e Kuvendit të Kosovës ka thënë se marrëveshja është e drejtë dhe nuk ndryshon nga ajo e vitit 2015."Sot personi që dikur sulmonte Qeverinë për demarkacionin tash është kryeministër i vendit, e që tani si duket nuk është i interesuar ta lejojë futjen e gazit në sallën e Kuvendit", ka shtuar Hoti. Ai theksoi se pas ratifikimit të kësaj marrëveshje kjo qeveri duhet të rrëzohet dhe vendi të shkoj në zgjedhje të reja. Zv.kryeministri Fatmir Limaj ka thënë se rinegocimi me Malin e Zi është rrugë më e mirë sesa dërgimi i kësaj Marrëveshjeje në arbitrazh."Ai në fjalimin e tij në Kuvend thotë se marrëveshja e dy presidentëve e jep mundësinë e korrigjimit dhe i detyron të dyja palët që t'i korrektojnë pikat, vijat, kudo që është gabuar ose janë bërë lëshime". Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, ka dhënë një informacion krejtësisht të ri sa i përket temës së demarkacionit me Malin e Zi. Ai në fjalën e tij fillimisht ka folur se si nëse dikush e do Çakorrin duhet të kërkojë që të përmirësohen të gjitha gabimet historike me territorin e Kosovës, teksa më vonë ka zbuluar se si Rusia ka ndikuar në temën e demarkacionit."Ne nuk do të lejojmë që ambiciet ruse për destabilizim të rajonit të zënë vend dhe të propagandohen si të mira për këtë vend, sepse elementi serbo-rus është shumë i angazhuar në problematikën e demarkacionit", ka thënë Bekim Haxhiu në Kuvendin e Kosovës.

Mulliqi: Koalicioni qeverisës ka disa ditë që deklaron se i mungojnë vetëm dy vota

Analisti politik, Skënder Mulliqi, për "Kosova Sot" theksoi se koalicioni qeverisës ka disa ditë që deklaron se i mungojnë vetëm dy vota për ta bërë faktike punën e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Këto formacione politike kanë dështuar jo vetëm kur bëhet fjalë për këtë temë, por kanë dështuar edhe për shumë tema tjera të rëndësishme për Kosovën", është shprehur ai. Shtoi se Lista Serbe duke e parë këtë situatë të krijuar mund të paraqesë kushtëzime të reja lidhur më "Zajednicën". Mulliqi thotë se rënia eventuale e Marrëveshjes së demarkacionit në Kuvend sigurisht se nuk do të kalojë pa reperkusione të reja politike."Një gjendje e re e krijuar mund të ndikojë që vendi të hyjë në krizë qeveritare. Mosratifikimi mund të ndikojë në prishjen e raporteve politike brenda koalicionit qeverisës, që do të sillte zgjedhje të reja ose më afër riformatim të qeverisë. Marrëveshja e dy presidentëve, Thaçi-Vujanoviq, nuk është obligative ligjërisht. Sikur të ishte kjo marrëveshje ligjërisht obligative për korrigjim objektiv të kufirit, sigurisht së shumë më lehtë do të kalonte si e tillë të martën në Kuvend", është shprehur Mulliqi.

Kelmendi: Kosova ndodhet në udhëkryq, humb 8 mijë hektarë tokë

Analisti Jeton Kelmendi theksoi për "Kosova Sot" se Kosova gjendet në një pozicion të keq, që e sollën Hashim Thaçi, Kadri Veseli e tash edhe Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, që e çuan vendin në një zgrip para falimentimit."Kosova me demarkacion do të humbë 8 mijë hektarë tokë, që është fakt absolut. Liberalizimi rrezikohet, sepse Qeveria nuk e ka kryer luftimin e korrupsionit. Në raport me ndërkombëtarët do të jetë një pranueshmëri më e mirë për faktin se këtu opozita e djeshme po bën çmos që të kalojë demarkacioni. Pra, Kosova ndodhet në udhëkryq të humbë 8 mijë hektarë tokë apo të zihet edhe më shumë me miqtë ndërkombëtarë", ka theksuar ai. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mendime të ndara për demarkacionin. Deputeti opozitar Shemsi Veseli (VV) theksoi për "Kosova Sot" se kërkesa për ta votuar demarkacionin i ngjan kohës së ndryshimeve kushtuese në Kosovë më 1990, kur Serbia e pushtetarët tanë servilë shqiptarë të atëhershëm thoshin se me këto ndryshime kushtetuese Kosova nuk humb asgjë.  

(Kosova Sot)