Thaçi çon fotografi nga Amerika, tregon se ka bërë edhe një vizitë të fshehtë

  • 22 March 2018 - 22:04
Thaçi çon fotografi nga Amerika, tregon se ka bërë edhe një vizitë të fshehtë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar konsulta intensive me partnerët strategjikë të vendit. Nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Facebook, numri një i vendit ka dërguar fotografi nga Amerika, ku aktualisht ndodhet, teksa ka treguar se ka bërë edhe një vizitë të fshehtë në një vend evropian.

Ai ka thënë se ka zhvilluar një varg takimesh, "në Uashington, Londër, Berlin, Paris me qëllim të bashkërendimit të agjendës euro-atlantike për Kosovën".

Për qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara, Thaçi ka folur vetëm pasi kanë raportuar mediat, ndërsa as vizita e tij në Berlin nuk ka qenë e njoftuar deri më tani.

"Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin në Parlamentin e Kosovës, do të dinamizojë dhe qartësojë agjendën tonë, dhe është argument shtesë për miqtë dhe partnerët tanë", është shprehur Thaçi, në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook.

"Përderisa po hyjmë në fazën finale të normalizimit të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, jemi të bekuar me mbështetjen e palëkundshme të aleatëve tanë strategjikë", ka thënë presidenti kosovar. 

Image

 

(Kosova Sot)