Guraziu: Mashtrim tjetër i qytetarëve nga partitë politike

  • 24 March 2018 - 17:07
Guraziu: Mashtrim tjetër i qytetarëve nga partitë politike

Të tej mashtruar i sheh qytetarët e Kosovës nga kjo kastë politike me premtimin e lëvizjes së lirë pa viza, pas ratifikimit të demarkacionit, analisti Ragip Guraziu.

"Ky ishte vetëm mashtrimi i radhës së qytetarëve nga partitë politike se pas demarkacionit menjëherë do të ketë liberalizim vizash, ndonëse të gjithë tani po e dimë dhe po e shohim që kjo nuk ka shanse të ndodhë, sidomos kur po varet nga vendorët, por do të bëhet realitet veçse nëse ndodh ndonjë mrekulli nga ndërkombë- tarët. Po e them këtë sepse po të kishin një vullnet të tillë, partitë politike nuk do na kishin sjellë deri tani në këtë gjendje ku jemi. Dhe derisa nuk e kanë pasur një vullnet tillë deri tani, nuk besoj që do të ndryshojnë tash e tutje dhe nuk do e kenë edhe tani atë vullnet, sidomos në këtë vit, sepse nuk dinë, apo më mirë të themi më qartë nuk duan që t'i përshpejtojnë veprimet që po na kërkohen nga të tjerët", u shpreh ai.

"E vetmja mrekulli për këtë vit mund të jetë, në rast se kanë një vullnet të mirë ndaj qytetarëve të Kosovës, vetë ndërkombëtarët që të na e sigurojnë lëvizjen e lirë, e këtyre partive politike t'ua caktojë një afat se kur duhet përmbushur këto premtime ose t'i izolojnë ato, se ndryshe nuk ka viza për këtë vit për fajin e politikanëve tanë, jo për fajin e qytetarëve.

Për këtë arsye edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, uroi përfaqësuesit institucionalë të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, por i porositi seriozisht ata, ua tërhoqi vërejtjen kur u tha se sa i përket liberalizimit të vizave ka ende punë për t'u bërë. E ka thënë këtë shumë qartë, duke pasur parasysh se ai është në dijeni të plotë se si po i mashtrojnë qytetarët e Kosovës të gjitha partitë politike se pas demarkacionit menjëherë do të ketë liberalizim vizash", potencoi Guraziu.

"Ata janë në dijeni se nuk mund t'i luftojnë mafio-oligarkët e korruptuar, veten, prandaj edhe tërheqin vërejtjen se është e pamundshme që të pritet të përmbushet edhe kriteri i vetëm i mbetur për të përfituar liberalizimin e vizave, me këtë kastë politike të korruptuar deri në palcë", tha Guraziu për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)