Ekonomia, peng i nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve

  • 23 April 2018 - 07:47
Ekonomia, peng i nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve

Nëntoka kontrollon pushtetin, lejet ndërtimore jepen me ryshfet

Grapci: Prokurorët dhe gjyqtarët janë të korruptuar nga mafio-oligarkët politikë dhe biznesorë

Në Kosovën e pasluftës deri më sot po vazhdon fenomeni i dominimit të nëntokës kriminale, që në bashkëpunim me mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe me parapolitikën, ta mbajnë peng dhe ta kenë në duart e tyre tërë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm. Analistët thonë se po qe se kompania nuk ka pushtetarë të nivelit të lartë pas vetes ose nuk është kompani e mafiooligarkëve dhe lobeve të tyre të inkriminuara, bllokohet në çdo instancë, duke filluar nga komunat, administrata komunale, ajo qendrore e deri tek gjykatat e prokuroritë e degraduara e të korruptuara. Sipas tyre, po qe se nuk 'ua lagë fytin', përmes ryshfeteve të mëdha, sikur oligarkët e tipit Shkëlqim DevolliAdem Grabovcit, si dhe të gjithë pushtetarëve të tjerë, nuk ke shanse të marrësh licenca e as leje ndërtimi në komunat e Kosovës, si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara t'i lëshojnë për bizneset e rregullta ligjore edhe kur i plotësojnë kushtet ligjore. Andaj me të drejtë analistët edhe pyesin si po i bllokojnë nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve dhe pushtetarët e nivelit të lartë edhe në gjyqësor dhe prokurori rastet e atyre bizneseve që nuk i kanë nën kontroll dhe nuk u marrin haraçin, gjegjësisht përqindje të fitimit të kompanisë. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Shkëlqim Devollit dhe Adem Grabovcit, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Beqiri: Ekonomia e Kosovës edhe në vitin 2017 e brishtë dhe pa zhvillime pozitive

Analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" theksoi se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2017 konsiderohet se ishte e brishtë dhe se nuk është karakterizuar me zhvillime të ndryshme, të cilat do të gjeneronin zhvillim ekonomik, e rrjedhimisht hapje të vendeve të punës dhe uljen e nivelit të varfërisë."Kosova nuk arriti që të tërheqë investime të huaja aq sa duhet, në mënyrë që vërehet edhe në jetën e përditshme dhe në xhepin e qytetarëve", u shpreh ai. Tutje ka shtuar: "Mbesim me shpresë se viti që kemi hyrë do të jetë një vit i ringjalljes ekonomike të Kosovës, sepse është treni i fundit para se të shpërthejë një pakënaqësi totale e qytetarëve dhe kam frikë se gjërat do të përkeqësohen shumë dhe do të vijë deri te trazirat e mëdha sociale. Në njërën anë politikanë milionerë, e nga ana tjetër njerëz që janë ka vuajnë për kafshatën e bukës". Beqiri thekson se ka ardhur koha që t'i thuhet mjaft kësaj situate. Sipas tij, stabiliteti politik është një faktor esencial për normalizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të çdo vendi."Lufta e fundit në Kosovë bart me vete edhe një sërë transformimesh në rrafshin politik dhe ekonomik. Me përfundimin e luftës, fokusimi i udhëheqjes kosovare u shtri në hartimin e strategjive për "një shtet të ri", para së gjithash politik. Ky fokusim, për legjitimitet ndërkombëtar karshi Kosovës, duke u konsideruar primar dhe çelës për fushat e tjera të zhvillimit të vendit, mori energjinë më të madhe të përkushtimit". Ndaj, sipas Beqirit, kjo ka bërë që vendi të jetë aktual në mediat ndërkombëtare si shtet i destabilizuar, thirrjet e opozitës për rrëzimin e Qeverisë me anë të demonstratave po i trembin edhe investitorët potencialë. "Investitorët kanë perceptim negativ për Kosovën, janë shumë faktorë që kanë ndikuar te ky perceptim. Ligji aktual për investime nuk është i favorshëm për investitorë të huaj, andaj institucionet relevante duhet që shumë shpejt të hartojnë politika të përshtatshme për investime, pastaj mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni, mungesa e energjisë elektrike, mungesa e mbështetjes institucionale, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale janë disa nga këto pengesa që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi ose të mos vijnë fare", është shprehur ai.

Neziraj: Nuk kemi pritur se do të jetojmë në varfëri pas 10 vjetësh pavarësi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, theksoi për "Kosova Sot" se askush prej nesh nuk e kemi pritur se do të jetojmë në varfëri edhe pas 10 vjetësh pavarësi. "Sot Republika e Kosovës është shteti i vetmi në Evropë pa liberalizim të vizave, pra vendi më i izoluar, mbi 50 për qind e qytetarëve të vendit janë të papunë. Vendi ynë në sytë e vendeve perëndimore shihet si vend ku nuk sundon ligji, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar janë mjaft prezentë", është shprehur ai. Neziraj thekson se edhe pas një dekade pavarësi ekonomia e vendit është një ekonomi pa strategji, ku normë e zhvillimit ekonomik janë pompat e derivateve të naftës, vilat që ushtrojnë prostitucion, kurse niveli i investimeve të huaja është i ulët, ndërsa informaliteti në ekonomi është i lartë."Në vend vetëm disa kompani që janë monopoliste kanë përfitime dhe askush tjetër. Liria dhe pavarësia e Republikës së Kosovës që ka qenë ëndërr e shumë brezave, ka kuptim vetëm atëherë kur qytetari i vendit jeton me dinjitet dhe perspektivë", theksoi Neziraj. Ai vlerëson se kjo qeveri tani duhet të veprojë me hapa konkretë, që të bëjë ndryshime rrënjësore dhe të merret më shumë me zhvillimin ekonomik të vendit. "Qeveria 'Haradinaj' nuk guxon të jetë qeveri rutinë, sikur kanë qenë qeveritë deri më tani. Ajo duhet të jetë dinamike dhe zhvillimore dhe të jetë kundër çdo të keqe që e ka kapluar këtë vend. Ne presim nga qeveria 'Haradinaj' që të kemi zhvillim të hovshëm ekonomik, i mbështetur në potencialin njerëzor dhe pasuritë natyrore të vendit tonë", është shprehur ai. Sipas Nezirajt, qeveria e z. Ramush Haradinaj duhet që të bëjë ndryshime rrënjësore në ekonominë vendore dhe të luftojë haptazi kundër monopoleve dhe krimit të organizuar në ekonomi, si dhe të krijojë një mjedis institucional dhe biznesor, të barabartë për të gjithë njëjtë, pra të ketë një ekonomi me treg të lirë dhe jo si kanë qenë shumica e qeverive të deritashme që ishin për dikë nënë e për dikë njerkë. Ai shton se kjo qeveri do të duhet të mundësojë mobilizim maksimal të potencialit financiar të Republikës së Kosovës dhe të nxisë investimet e jashtme në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. 

Kadriaj: Kosovës i kthehet ora mbrapa, e tregon dhe Raporti i Progresit nga BE-ja

Analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" theksoi se në Kosovë për fat jo të mirë u instalua një sistem që vetëm demokraci nuk mund të quhet."Në Kosovë administrohet qytetari me përqindjen e votave nën 50 për qind të atyre që kanë të drejtë të votojnë më e rënda me votat e militantëve dhe të grupeve të interesit e kur i duhet për balotazhe edhe e shtresës sociale apo të skamnorëve që me pak gjëra ushqimore ua marrin votën. Këtu devijojnë parimet e demokracisë, nuk voton shumica dhe nuk votohet njeriu i duhur, por votojnë militantët dhe grupet e interesit, për njerëz që nuk i plotësojnë kriteret profesionale e mos të flasim për morale. Si rezultat kemi Parlament nën çdo nivel, i cili rrjedhimisht voton një qeveri nën çdo nivel dhe punët në terren janë nën çdo nivel", është shprehur ai. Kjo aleancë e pushtetit, sipas tij, me këto grupe dhe sponsorizues të tyre kanë bërë që Kosovës t'i kthehet ora mbrapa, e këtë e tregon më së miri Raporti i Progresit nga BE-ja për Kosovën. "Pra, sipas raportit, Kosova ende është në fillim të kryerjes së detyrave. Sikur këta qeveritarë nuk po e kuptojnë raportin edhe shqip të përkthyer apo nuk po dinë me të vërtetë t'i kryejnë detyrat. Sepse po të përsëriten në vazhdimësi vërejtjet për 10 vitet e fundit dhe nuk ndërmerr hapa është e pakuptimtë. Për dhjet vjet të përsëritet dukuria e korrupsionit, infrastruktura në energji dhe reduktimet me energji dhe reduktime, me drejtësi të kapur, me vërejtje për Parlamentin dhe më e rënda për opozitën që thuhet që po i ndal proceset që do të duhej me qenë e kundërta", është shprehur ai. Kadriaj pyet se çka po duan tjetër qeveritarët dhe deputetët dhe përgjigjet: "Me këtë nivel të korrupsionit, ku nuk mund të paramendohet të marrësh ndonjë shërbim si qytetar apo biznes pa i joshur me mitë. Me këtë nivel të qeverisjes po dëmtohet çdo ditë e më shumë jeta e biznesit, si një shtyllë kryesore për mbajtjen gjallë të shtetit. Nëse kthehemi në retrospektivë me dashurinë e treguar të disa shqiptarëve në ish-sistemin jugosllav edhe sllovenët iu merrnin lakmi dhe si duket nostalgjia e pushtetarëve të tanishëm ish-pionierët e Titos nuk po mund të pranojnë demokracinë, pra shkruajnë dhe flasin për demokraci, por veprojnë si komunistë, mirëpo një gjë ka evoluar, që shumë shpejt u bënë demokratë, kuptohet me fjalë. Pra, këta qeveritarë mund të jenë aktorë, sepse po dinë mirë të emitojnë demokracinë, por demokratë jo, kështu që Kosova ka arritur në atë stad me këta politikanë që dinë të emitojnë demokracinë në mënyrë brilante me shfaqjet e përditshme neveritëse", është shprehur Kadriaj për "Kosova Sot".

Guraziu: Kush nuk e paguan haraçin për nëntokën kriminale, nuk ka biznes

Analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" theksoi se të bësh sot biznes në Kosovë është e vështirë dhe gati e pamundur, sepse kush nuk e paguan haraçin për nëntokën kriminale dhe mafio-oligarkët dhe pushtetarëve të nivelit lartë, e kanë kot, sepse ata bllokojnë biznese që nuk i kanë nën kontroll."Po qe se nuk 'ua lage fytin' përmes ryshfeteve të mëdha, sikurse që janë mafio-oligarkët e tipit Shkëlqim Devolli - Adem Grabovcit, si dhe të gjithë pushtetarëve të tjerë, nuk ke asnjë shans që të marrësh licenca e as leje ndërtimi nëpër komunat e Kosovës, të marrësh licenca për monopole, të marrësh licenca për banka si dhe çdo dokument tjetër që me ligj institucionet e nivelit komunal apo atij qendror janë të obliguara me ligj t'i lëshojnë për bizneset e rregullta ligjore edhe kur i plotësojnë kushtet ligjore", është shprehur Guraziu. Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, theksoi për "Kosova Sot" se mafio-oligarkët do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim që ta mbajnë peng zhvillimin ekonomik të Kosovës për shkak se pushtetarët politikë që sot i kemi në ulëset e Kuvendit të Kosovës u kanë dhënë lirinë që ta shkatërrojnë tregun e lirë dhe ta varfërojnë ekonominë e Kosovës, me importet nga Serbia dhe rajoni, duke e bllokuar eksportin nga bizneset e tjera që janë në Kosovë, duke u pamundësuar që këto biznese të kenë suksese në punë dhe zhvillim, si dhe të kenë rritje të bizneseve të tyre dhe numrit të punëtorëve. "Administratat komunale, Prokuroria e Kosovës, gjykatat etj., duhet ta qesin gishtin në kokë dhe ta pyesin veten se mbrojtja e mafio-oligarkëve a është opsion i duhur apo me të vërtetë jemi duke gabuar. E tërë kjo po ndodh për shkak se shumë prokurorë e gjyqtarë janë të korruptuar nga mafio-oligarkët politikë dhe biznesor, kurse ata që janë të pafajshëm, për një shkelje të vogël të ligjit dënohen me burgim ose me gjoba. Ryshfeti i të mëdhenjve për pushtetarët ka qenë gjithmonë prezent që nga paslufta dhe kjo ka bërë që të shkatërrohen bizneset e vogla dhe të mesme, duke i lënë anash dhe mos u dhënë mundësi që të zhvillohen", është shprehur ai. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Salihu (i pavarur), thotë për "Kosova Sot" se në Kosovën e pasluftës e deri më sot po vazhdon fenomeni i dominimit të nëntokës kriminale që në bashkëpunim me mafio-oligarkët e inkriminuar, pushtetarët dhe me parapolitikën, ta mbajnë peng dhe në duart e tyre tërë zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe jo vetëm.

(Kosova Sot)