PDK-ja, në rënie të lirë

  • 25 April 2018 - 08:11
PDK-ja, në rënie të lirë

Përfaqësuesit e dy partive politike rivale në këtë mandat, bashkëqeverisëse në mandatin e kaluar, kanë iniciuar dy takime të ndryshme- tryeza të partive politikepër të debatuar dhe mundësisht për të arritur një konsensus nacional të veprimit, para se të vendoset që vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme. LDK-ja sot mbantryezën e parë, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë të gjitha partitë politike, kurse PDK-ja ka hedhur një ide tjetër përmes Kadri Veselit, që subjektet politike parlamentare të mblidhen dhe tëdiskutojnë paraprakisht platformën e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe temat e tjerë serioze, sipas tij, për vendin. Duke qenë në mes të këtyre dy ideve, deputeti Memli Krasniqi, shef i Grupit parlamentar të PDK-së, ka deklaruar për media, se PDK-ja është partia më e rëndësishme në vend dhe, sipas tij, normalisht që vetëm ata edhe mund të vendosin për zgjedhje, se pa vendosur PDK-ja s'mund të vendoset. Ndërkohë, analistët politikë thonë se mund të jetë një loje tjetër shtese "loja me ftesa për konsensus", siç është ajo e Kadri Veselit, ku ai gjoja thërret partitë politike për çështjet e integrimeve, Asociacionit, reforma zgjedhore, dialogu me Serbinë, ndërkaq Isa Mustafa thërret takim për zgjedhjet e parakohshme. Analistët theksojnë se, sidomos PDK-së dhe Kadri Veselit, në këtë situatë i ka humbur rruga në oborr dhe nuk po e ka idenë si të udhëheqë partinë,të cilën e ka shkatërruar krimi i organizuar dhe klanet kriminale, dhe vetëm po degradon para opinionit publik me njerëz të krimit, dhe me servilë të të dyja gjinive, që nuk shohin më larg se hunda e tyre, prandaj po bën përpjeke të blejë kohe duke lansuar tema për konsensus politik.

Skenarët e rrezikshëm me autor Thaçin

Sipas prof. Muhamet Kelmendit, është një fat shumë i keq që në skenën politike të Kosovës është futur mekanizmi i blerjes së votave, i shantazhit dhe i kapjes së pushtetit, dhe që të arrihet kjo nuk ka subjekt që është dhe ka qenë imun ndaj keqpërdorimeve, korrupsionit dhe krimit. Ai beson që këto takime do të shërbejnë vetëm për t'i dhënë akoma më shumë legjitimitet të dëmshëm Hashim Thaçit për bisedimet me Serbinë. "Kjo del vetvetiu nga gjendja pasurore që e kanë të gjithë udhëheqësit partiakë, pavarësisht se a janë në pushtet. Dhe, në këtë anë prijnë PDK-ja dhe LDK-ja, si dy subjekte që më së shumti kanë keqpërdorur mjetet financiare të buxhetit të Kosovës. Në këtë anë, këto dy subjekte, çdo njëra me qëllime të veta, ka ftuar takime të skenës politike, jo për të stabilizuar vendin, por për të ligjë- suar pozitën dhe gjendjen e arritur dhe për të ligjësuar Hashim Thaçin në bisedime, të cilat ai veç i ka shkatërruar me kohë", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". "Si Asociacioni, ndërtimi i ushtrisë, ashtu edhe bisedimet me shtetin serb, sikundër reforma zgjedhore, janë tema shumë të ndjeshme. Por, këtu nuk është qëllimi. Të gjitha këto janë hapur nga ana e Thaçit. Kur u pa se nuk po ecën çështja, u mor Kadri Veseli, i cili e bëri thirrjen e tillë. Kjo, kryesisht për ta "hëngër" populli dhe për të vazhduar edhe më tutje rrugën e njëjtë dhe nënshtruese", theksoi ai. "Natyrisht se LDK-ja nuk është në pushtet dhe po humb mjete financiare. Këndej edhe nuk po mundet për t'i bërë votat për të rrëzuar Qeverinë. Këtu ka të drejtë PDK-ja kur thotë se pa të nuk ka zgjedhje të reja dhe të jashtëzakonshme", shtoi Kelmendi për "KosovaSot".

Kurse analisti Ali Hertica beson se vetëm një koalicion i ardhshëm LDK dhe me një "VETËVENDOSJE" krejtësisht të reformuar mund të hapin perspektivë për ndryshime, por paraprakisht, para se të shkohet në zgjedhje të reja, ai mendon që duhet të mbyllen temat e hapura tani. "Është në interesin e mirë të qytetarëve që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me temat e rëndësishme nacionale. Parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave, pavarësisht kush qeveris si dhe përgatitjet e nevojshme për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme, të lira dhe demokratike, për të nxjerrë një Qeveri stabile të një shumice se cili subjekt fiton duke luajtur fer, por deri më tani këto lojëra i kanë luajtur ata që thirren "Bosa" të nëntokës kriminale dhe grupit të analfabetëve politikë, siç janë Haradinaj dhe Pacolli, së bashku me satelitët e tyre, siç është Nisma dhe të tjerët", tha Hertica për "Kosova Sot".

Ftesa e LDK-së

Për takimin e sotëm me ftesë të LDKsë, deri në orët e vona të pasdites së djeshme, pjesëmarrjen e ka konfirmuar vetëm AAK-ja përmes shefit të Grupit parlamentar Ahmet Isufit, ndërsa subjektet e tjera politike nuk kanë kthyer përgjigje. Gazeta ka kontaktuar edhe me Basri Musmuratin, sekretar nga PDK-ja, por nuk ishte në gjendje të thotë as po dhe as jo. "Propozimi i Kadri Veselit është dhe ka të bëjë me diskutimin e Platformës së Qeverisë së Kosovës, platformë e cila i është dorëzuar edhe kryetarit të Kuvendit, por edhe presidentit Hashim Thaçi nga ana e kryeministrit Haradinaj, por nuk ka datë se kur do të ndodhë kjo tryezë. Thjesht, është ide e diskutimit të grupeve parlamentare që e ka propozuar Kadri Veseli. Sa i takon tryezës së thirrur nga LDK-ja, ne si AAK do të marrim pjesë në këtë takim dhe aty do të themi qëndrimet tonë për të gjitha çështjet që do të hapen për diskutim", tha nënkryetari i AAK-sëdhe shef i Grupit parlamentar, Ahmeti Isufi. Në LDK nuk kanë treguar se cilat parti politike do të shkojnë në takimin e tyre, por as nuk janë deklaruar për ftesën tjetër që tani e ka bërë publike Kadri Veseli për diskutimin e platformës së Qeverisë së Kosovës .

Qytetarët kërkojnë tryezë serioze politike

Qytetarë të anketuar nga gazeta, rreth iniciativës së fundit të kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është edhe kryetar i PDKsë, theksojnë se pavarësisht faktit që një nga qëllimet e kësaj ftese është edhe ruajtja e pushtetit për një kohë më të gjatë karshi presionit të opozitës për zgjedhje të parakohshme, ka një anë pozitive që përfundimisht spektri politik i Kosovës, i cili po shantazhohet në vazhdimësi nga Lista Serbe dhe Beogradi, të ulet dhe të merret vesh për temat e interesit nacional, që të zgjidhen disa çështje kyçe dhe të mos bllokohen proceset me rëndësi derisa të tejkalohet edhe tema e liberalizimit të vizave për të cilën po shpresohet se do të marrë përgjigje pozitive, së pakut deri në fund të këtij viti. Qytetari Nuhi Munishi thotë se do të ishte mirë që fillimisht të kryhen punët e mëdha për shtetin dhe vetëm pastaj të shikohet edhe kah procesi zgjedhor, sado që nuk beson se këto tema do të diskutohen seriozisht. "S'po na dëgjon kush as nuk po na pyet askush. 40 vjet kam punuar dhe pensionin ma kanëndalur, pse... sepse po më thonë po i merr dy,nuk janë dy, sepse tre i kam të vrarë dhe i marr 170 euro, çka me ba me to, kurse ata një mëngjes e kanë 170 euro,nuk ka prej këtyre kurrgjë", tha Nuhi Munishi, Ai dyshon që kjo është një lojë e Kadri Veselit dhe të gjithë të tjerëve me këto tryeza të partive politike dhe shpresa e tij për ndryshime është vetëm në një brez të ri politik. Raif Pllana, nga komuna e Besianës, thotë se ideja për konsensus nacional e propozuar nga Kadri Veseli është ide e qëlluar, sepse mjaft kohë ka humbur Kosova në forcimin e shtetësisë së vetë për kaq vite të kaluara. "Deklarata e fundit e Kadri Veselit është plotësisht e qëlluar në këtë moment, kur i kemi për t'i vendosur 5 shtyllat kryesore, çështja e ushtrisë që është në pyetje, liberalizimi, decentralizimi- asociacioni, dhe besoj që duhet të jetë këtu një unitet i të gjitha partive politike. Këtu mendoj që është edhe çështja e pushtetit, nuk përjashtohet kjo, por më shumë besoj që nja 80% është realitet, janë tema të rëndësishme, sikur është çështja e ushtrisë ku duhet të jetë konsensusi 100% nga partitë politike shqiptare, pasi me serbët nuk kemi më se çka të bisedojmë", tha Pllana. Ai po ashtu tha se edhe tema e reformës zgjedhore duhet të trajtohet dhe vetëm atëherë të mendohet për zgjedhje të reja. Por, tema e ushtrisë thotë duhet të jetë tema numër një, pasi askund në bota nuk ka shtet pa ushtri dhe Kosova është vonuar shumë deri më tani në këtë segment. 

(Kosova Sot)