Serbia në ofensivë, diplomacia kosovare në gjumë (Video)

  • 27 April 2018 - 07:37
Serbia në ofensivë, diplomacia kosovare në gjumë (Video)

POLITIKA E DËSHTUAR E ZBEH REPUBLIKËN

Pasojat e fusnotës së famshme godasin Kosovën

Përderisa pushtetarët e të gjitha niveleve në Kosovë, prej kryetarëve të komunave, qeveritarët e deri në nivelin më të lartë, po merren ekskluzivisht me zhvatje të buxhetit të shtetit, si dhe me monopole kriminale e antikushtetuese, ditën e mërkurë nga Qeveria serbe është lëshuar një qarkore në organizatat multilaterale, që urdhëron stafin e tyre që Kosovës të mos i referohen si shtet apo si vend i pavarur. Qarkorja serbe gjithashtu kërkon në mënyrë eksplicite që Kosova të mos listohet nëpër listat e vendeve në radhitjen alfabetike me shkronjën K, por në fund së bashku me fusnotën që i referohet Rezolutës 1244, me qëllim të deklarimit të pozitës neutrale ndaj statusit. Gjithashtu, në të njëjtën qarkore kërkohet që në asnjë mënyrë të mos u referohen institucioneve si qeveri e shtetit të Kosovës, por si autoritete dhe dokumente, jo si strategji. Ndaj kjo ka nxitur analistët dhe qytetarët të bëjnë një sërë akuzash, duke thënë se si e fundosën kaq keq kjo klasë politike kriminale shtetin e Kosovës dhe si është limituar qasja në institucionet, mekanizmat dhe asociacionet rajonale dhe ndërkombëtare. 

Shteti jofunksional

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se kokat kryesore të politikës, sidomos Hashim Thaçi, e fundosën vendin dhe po e çojnë Kosovën drejt humnerës."Këta njerëz e futën Kosovën në një lloj hipoteke duke pranuar çështje të ndjeshme si fusnota, me politikanë të dështuar si Edita Tahiri dhe makiavelistin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn etj. Këta njerëz po bëjnë pazare me fatin e Kosovës dhe kësisoj kanë bërë që Kosova mos të njihet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga një pjesë e shteteve të BE-së që janë në pozicionin as njohje e as mosnjohje", potencoi ai. Ndërsa analisti politik Arsim Haziri për "Kosova Sot" tha se deri më tani qasja e liderëve politikë ka qenë jashtë rregullimit shtetëror, jashtë logjikës dhe obligimit për shtete dhe sovranitet, këtë po e dokumentojnë në vazhdimësi vlerësimet ndërkombëtare. "Vendi si tërësi fatkeqësisht nuk gëzon funksionalitet të brendshëm, këtë mjerim të skajshëm e ka instaluar thuaja edhe dhunshëm politika e pandërgjegjshme, më saktë- sisht udhëheqësit e saj. Këtë edhe liderët politikë e dinë, po qeverisja në këtë mënyrë iu sjell produktivitet të madh ekonomik, prandaj me çdo kusht mundohen ta shtyjnë akoma", vlerësoi ai. Sipas analisti Haziri, Kosova si shoqëri vuan aq shumë për funksionalitet shtetëror sa për asgjë tjetër, atë gjithnjë janë munduar të mos e kenë obligim kushtetues. "Shtetbërjen asnjëherë nuk e kanë marrë si obligim dhe aq shumë e kanë tejkaluar zhvillimin dhe prosperimin sa vendin e kanë bërë gjithnjë për të qenë me vlerësim negativ", shtoi më tutje Haziri.

Mashtrimi i qytetarëve

Edhe qytetarët e anketuar nga ana e gazetës janë ndarë shumë të pakë- naqur me pushtetarët tanë të të gjitha niveleve, duke i akuzuar ata se po merren me zhvatje të buxhetit të shtetit e jo me ndërtimin e vendit tonë. Ata janë të mendimit se janë presidenti Hashim Thaçi dhe kryenegociatorja Edita Tahiri fajtorët kujdestarë që mashtruan qytetarët me të ashtuquajturën fusnotën për Kosovën, duke premtuar se me futjen e saj fusnota do ta anëtarësojë vendin në shumë organizata. Naim Hamiti për "Kosova Sot" tha se ata duhet hequr sa më parë nga pushteti, sepse na kanë zhgënjyer me punën e tyre të mbrapshtë dhe të njëjtit duhet që të japin llogari para qytetarëve të Kosovës. "Edhe Hashim Thaçi së bashku me Edita Tahirin vetëm se edhe një herë sikurse edhe shumë herë të tjera i mashtruan dhe i gënjyen qytetarët me fusnotën e tyre famëkeqe për Kosovën, se ajo do të na anëtarësojë vendin në shumë organizata, por doli se nuk është bërë asgjë nga ajo që u tha", u shpreh ai. Edhe qytetari tjetër Tahir Krasniqi për "Kosova Sot" tha se gënjeshtrat e Thaçit dhe Edita Tahirit nuk janë gënjeshtra të reja, sepse të gjitha të këqijat na kanë ardhur nga këta të dy dhe fusnota për të cilën thoshin se do të shkrihet si bora, na e solli 'Zajednicën'. "Hashim Thaçi dhe Edita Tahiri nuk kanë punuar për popullin, por si të pasurohen. Do të ishte mirë që të shkarkoheshin, por e keqja është se derisa këta të jenë në pushtet nuk ka kush si t'i shkarkojë", potencoi ai. Kurse qytetari Kadri Berisha thotë për "Kosova Sot" se rasti i Fusnotës ka qenë njëri nga mashtrimet që i bënë Thaçi dhe Tahiri vetëm që të qëndrojnë në pushtet. "Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi duhet të japin llogari dhe më e mira do të ishte që përmes zgjedhjeve të reja ta largojmë nga pushteti këtë elitë politike kosovare", theksoi ai. Sipas tij, Kosova ka nevojë për figura të reja politike.

(Kosova Sot)