MIFTARI: PJESËTARËT E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË LIDHUR NGUSHTË ME PUSHTETIN

  • 22 May 2018 - 15:18
MIFTARI: PJESËTARËT E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TË LIDHUR NGUSHTË ME PUSHTETIN

Njohësi i fushës së sigurisë Naim Miftari pohon se pjesëtarët e krimit të organizuar, që në fakt janë të lidhur ngushtë me pushtetin dhe politikanët e korruptuar, e dinë shumë mirë se sa janë duke vjedhur për shefat dhe ndajnë prenë me shefat, prandaj nuk mund t'i dënojë askush as ligji, as gjykatat, pasi edhe prokuroria, gjyqësia dhe hetuesia kontrollohen nga mafia politike

"Grumbullimi dhe mosshqyrtimi i mbi 320.000 lëndëve, që ishin gjysmë milioni lëndë, dhe mos trajtimi asnjëherë i mbi 20.000 mijë lëndëve të profileve të ndryshme nuk janë rastësi, por qartë janë udhërrëfyes se mafia politike i sundon të gjitha nivelet e Qeverisë, nga i larti deri në nivelin e ulët lokal", u shpreh ai. "Dhe, derisa mbretëron një kaos i tillë në drejtësi dhe sundim të ligjit askush të mos presë se kriminelët do ta arrestojnë dhe dënojnë vetveten, sistemi i drejtësisë duhet të shërohet nga virusi politik dhe i korrupsionit ndryshe nuk do të ketë kurrë sundim të ligjit. Problemi shtohet edhe më shumë derisa krimi i organizuar politik ka arritur t'i korruptojë individët dhe zyrtarët e korit diplomatik ndërkombëtar që veprojnë në Kosovë", theksoi Miftari.

"Mafia politike e Kosovës e ka siguruar shpinën mirë edhe nga ndërkombëtarët, pasi pos qeverisë që e kanë në dorë si lodër, po ashtu ka edhe diplomatë të huaj të korruptuar, që kanë filluar dhe po e luajnë lojën e krimit të organizuar, pasi pikërisht janë shumë ambasada të huaja që nuk flasin dhe i mbështesin pikërisht këta politikanë të korruptuar dhe kanë sjellë një gjendje ku edhe nuk mund të jesh politikan apo zyrtar i madh, nëse nuk je i korruptuar dhe nuk je vartës dhe servil apo kukull e shefave të shefave", vlerësoi ai.

"Derisa vazhdon një "politikëbërje "e tillë e stilit të mafisë moderne nuk do të ketë kurrë rend dhe sundim të ligjit në Kosovë. E, për ta shëruar këtë është vetëm terapia me një Vetting gjithëpërfshirës kundër të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)