Tentim vrasjeje në Prizren, i dyshuari nuk arrestohet!

  • 24 May 2018 - 10:30
Tentim vrasjeje në Prizren, i dyshuari nuk arrestohet!

Të shtëna me armë janë dëgjuar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar në Prizren.

Sipas Policisë së Kosovës në rajonin e Prizrenit, në orën 18:53 minuta, në magjistrale të fshatit Lubizhdë ka ndodhur një tentativë për vrasje dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm për pjesëmarrësit në komunikacion. “Sipas raporteve hetimore thuhet se i dyshuari B. K. po lëvizte me automjet Audi A 3 nga Prizreni në drejtim të Suharekës, pasi e ka vërejtur veturën e viktimave që lëvizte nga krahu i kundërt, një Audi A 5 në të cilën ndodheshin shoferi dhe dy bashkudhëtar  ka ndalur veturën e tij, ka dalë prej saj dhe ka shtënë disa herë me pistoletë në drejtim të tyre me ç’rast një plumb ia ka shpërthyer gomën”, thuhet tutje në komunikatë.

Gjithashtu, është bërë e ditur se i dyshuari më pas është larguar në drejtim të panjohur. Policia ka kryer hetime në vendin e ngjarjes; janë sekuestruar katër gëzhoja dhe një predhë plumbi. Ndërkohë është identifikuar i dyshuari e më pas është kryer një bastisje në shtëpinë e tij por nuk është gjetur për t’u arrestuar. 

(Kosova Sot)